Mbajtja nën nivelin e parashikuar prej 4 për qind e inflacionit, e ka detyruar Bankën e Shqipërisë të rrisë me 0.25 për qind normën bazë të interesit.Vendimi i djeshëm i këshillit është i pari në rritje për normën bazë që nga korriku i vitit 2007. Në atë kohë, të gjithë e mbajnë mend rritjen galopante të çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Vetë guvernatori nuk e kundërshtoi këtë fakt. Nga sot norma bazë e interesit është 5.25 për qind. Që nga nëntori i vitit 2007, norma bazë e interesit ka ardhur në ulje, nga 6.5% deri në 5 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë muajve të fundit është vënë re një rritje e inflacionit. Fullani nënvizoi se çmimet e rritura vijnë për shkak të tregjeve ndërkombëtare, pra janë të importuara. “Nën ndikimin e fortë të rritjes së çmimeve në tregjet botërore, norma vjetore e inflacionit kërceu në nivelin 4.5 për qind në muajin shkurt. Rritja e inflacionit në muajin shkurt u shkaktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të produkteve energjetike. Në veçanti, inflacioni i ushqimeve të përpunuara dhe të papërpunuara është përgjegjës për rreth 70 për qind të inflacionit total, ndërsa rritja e çmimeve të administruara kontribuoi me 0.4 pikë përqindjeje në këtë inflacion. Ndikimi i rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në inflacion është më i ndjeshëm në vendet në zhvillim, si Shqipëria, ku këto produkte kanë një peshë të konsiderueshme në shportë.” Por jo vetëm kaq, rritja pritet të vazhdojë edhe më shumë. “Do të ketë një presion për ta mbajtur inflacionin në kahun rritës gjatë dy tremujorëve në vijim- theksoi guvernatori. Kjo ishte arsyeja e rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.
Efektet
Efekti i parë është shtrenjtimi i lekut. Pra, nga sot vlera e lekut pritet të jetë 0.25% më e shtrenjtë. Kjo pritet të sjellë mbiçmimin e lekut, në krahasim me valutat e tjera. Në këtë mënyrë edhe importet e shumica e ushqimeve që vijnë nga jashtë, do të kushtojnë më lirë, pasi një euro apo dollar do të kushtojë më lirë. Efekt tjetër është shtrenjtimi i borxhit të qeverisë. Ndikimi i rritjes së normës bazë të interesit prek direkt normën e bonove të thesarit, pra normën e borxhit. Qeveria do të blejë para më shtrenjtë. Efekt tjetër pritet të ketë në rritjen e normës së depozitave në lekë dhe, si rrjedhojë, edhe të kredive në lekë. Por, lëvizja me vetëm 0.25 % është shumë e vogël për një pasqyrim të shpejtë.
Projekti i Binjakëzimit
Banka e Shqipërisë për herë të parë do të përfitojë nga asistenca financiare e Bashkimit Europian. Qëllimi i këtij projekti është asistimi i Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e kriterit ekonomik të Kopenhagës. Banka do të asistohet nga ekspertë francezë dhe italianë. Në ceremoninë e lançimit të projektit të binjakëzimit, guvernatori Fullani shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer me Banca d’Italia dhe Banque de France, gjatë fazave të përgatitjes, si dhe implementimit të fazës së parë projektit të binjakëzimit. “Ky projekt e ky bashkëpunim janë gurët e themelit për një të ardhme më të mirë, e një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian të institucionit tonë. Le të ndërtojmë mbi shpresat tona dhe mbi të gjitha t’i pranojmë përgjegjësitë tona. Le të jetë kjo e ardhmja jonë europiane.”











