Tregtimi i naftës bruto jashtë cilësisë së përcaktuar me ligj është bërë shkak që Ministria e Ekonomisë të marrë masa drastike, duke i hequr licencën katër shoqërive të tregtimit të karburanteve.Paralelisht me këtë, është vendosur edhe pezullimi i veprimtarisë me 30 ditë për shtatë shoqëri të tjera, për shkak se edhe ato nuk kanë zbatuar me përpikëri detyrimet që u përcakton ligji. Të gjitha këto masa të marra dje nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës erdhën si propozime të Inspektoratit Qendror Teknik, i cili për disa javë rresht zhvilloi kontrolle nëpër pikat e shitjes së karburanteve. Gjithsej, nga IQT-ja janë kryer 430 inspektime, prej të cilave tetë janë shoqëruar me akte ndalimi për shkelje flagrante të kushteve teknike të sigurisë. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Ekonomisë ditën e djeshme, detajohej se për të gjitha inspektimet e kryera janë plotësuar akte kontrolli dhe akte inspektimi. Në to është përcaktuar detyra me afate për vendosjen e instalimeve, sipas kërkesave teknike të sigurisë dhe njëkohësisht duke paralajmëruar subjektet se për mosplotësimin e detyrave do të vendosen gjoba sipas kërkesave ligjore. Nisma për kontrollin e të gjitha pikave të tregtimit të karburanteve në vend erdhi pas urdhrit të ministrit të METE, Nasip Naço. Ky i fundit duke iu referuar shqetësimeve të ardhura në ministrinë e tij për tregtimin e naftës bruto jashtë destinacionit ligjor dhe teknik të përdorimit të kësaj, urdhëroi që IQK-ja të niste kontrollet në terren, rezultatet e së cilës kanë marrë vlerësimin e Ministrisë së Ekonomisë, e cila ka marrë edhe vendimet përkatëse. Qysh në fillim të kontrollit nga ana e kreut të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, u kërkua që Inspektorati Qendror Teknik të zbatonte të gjitha masat që i lejohen me ligj për ata që shkelin ligjin, duke filluar nga vendosje gjobe deri në heqjen e lejes së tregtimit apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë.
Masat e Ministrisë së Ekonomisë
U është hequr licenca:
. Shoqërisë “Erkoci-Ad-El” sh.a.
. Shoqërisë “Dhima” sh.a
. Shoqërisë “Omegaz Energy” sh.a
. Shoqërisë “Edi Kompani” sh.a
U është pezulluar licenca (leja e tregtimit):
. Shoqërisë “Tiramol” sh.a
. Shoqërisë “Albania Airlines & Jet Fuel Supply” sh.a
. Shoqërisë “Beusal” sh.
. Shoqërisë “Pilinci Enterprise Co”
. Shoqërisë “Orient” sh.a
. Shoqërisë “Jemishta” sh.a
. Shoqërisë “Auto Lubrifikant” sh.a
Prodhuesit
Ministri i Ekonomisë, në urdhrin e hershëm të tij, ka kërkuar nga shoqëritë që operojnë në fushën e prodhimit të naftës bruto në vend, të cilat veprojnë mbi bazën e marrëveshjeve hidrokarbure, të zbatojnë me korrektësi këto marrëveshje për të mos lejuar në asnjë rast tregtimin e prodhimit të tyre për t’u përdorur si lëndë djegëse jashtë destinacionit ligjor dhe teknik. Në fushatën e kontrollit ndaj subjekteve të prodhimit të naftës bruto janë angazhuar përveçse Inspektoratit Qendror Teknik, edhe strukturat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për pjesën që u takon.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











