Dy yjet e muzikës botërore, Cher dhe Christina Aguilera, vijnë bashkë në ekranin e madh, në kinema “Millennium”. Prej datës 5 mars kanë filluar projeksionet e filmit “Burlesque”, fitues i çmimit “Golden Globe” për këngën më të mirë origjinale (“You Haven’t Seen the Last of Me”). Mjuzikali me nota dramatike, prej 1 orë e 40 minuta, është vendosur në Los Angeles, nën hijen e kodrave hollivudiane. Teksa performonte “Lady Marmalade” në prapaskenën e “Moulin Rouge”, kantautorja amerikane Christina Aguilera, jo vetëm që i afrohej një hap kinemasë, por edhe frymëzonte regjisorin Steve Antin për të bërë një film, ku ajo vetë të ishte protagoniste. Kështu do të lindte “Burlesque”, romanca mjuzikal që sjell në krah të Aguilerës edhe këngëtaren Cher. Ali Rose ka shumë pak para, por një ambicie të madhe: të lërë provincën për të jetuar ëndrrën amerikane. Zbarkon në Los Angeles dhe gjen punë në një teatër–club varietesh, të drejtuar nga Tess, një grua e rreptë, por bujare. Ajo është gjithashtu krijuese e numrave të kërcimit që çdo natë ndezin skenën e “Burlesque Lounge”. Ndonëse është e punësuar si kameriere, Ali ëndërron të ngjitet në skenë, të vishet me pupla e pse jo, të fitojë dashurinë e Jack, baristit me zemër të artë, që shkruan këngë. Pushimi nga puna i Nikit, balerinës së parë, që gjithnjë ishte në gjendje të dehur, si dhe shtatzënia e papritur e njërës prej kërcimtareve, lë skenën e Burlesque bosh. Nga ana tjetër i jep mundësinë protagonistes që të zbulojë zërin e saj të jashtëzakonshëm. Suksesi vjen menjëherë. Personazhi i interpretuar nga Christina Aguilera arrin menjëherë tek ëndrra e saj, duke u shndërruar nga një vajzë e re që pastron tavolinat tek një artiste, që shpërthen në skenë. Christina Aguilera këndon dhe kërcen me të vërtetë, pa kursyer zërin dhe lëvizjet e sakta. Por sigurisht që kaq nuk mjafton për të qenë aktore në film. Nga ana e saj, popstari ka pranuar faktin se ka marrë pjesë në film, sidomos për të interpretuar në krah të Cher, e cila me sa duket është shndërruar në një profesoreshë të aktrimit gjatë xhirimeve.











