Të gjesh përgjegjësin se pse i ikin dritat gjysmës së Shqipërisë në orare të ndryshme, është kthyer në mision të pamundur.
Operatorët e tregut, ai i transmetimit “OST” dhe ajo e shpërndarjes “CEZ”, kohëve të fundit kanë lajmëruar për kufizime të vazhdueshme, por në fund të ditës faji është faturuar te njëri-tjetri dhe nuk është ndarë mes secilit për pjesën që i takon. Dje në gjithë vendin kanë vijuar kufizimet e zakonshme, të cilat u lajmëruan në mëngjes nga CEZ Shpërndarje dhe që përfshinin disa nga zonat kryesore të kryeqytetit dhe një pjesë të mirë të Jugut. Të gjitha këto ndërprerje, sipas CEZ-it, do të bëheshin për shkak të mbingarkesës së rrjetit të OST-së. Por krejt ndryshe rezulton të jetë pretendimi i Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Kreu i këtij institucioni, Arben Ibro, konfirmoi se një pjesë e ndërprerjeve janë bërë për shkak të mbingarkesës së rrjetit të OST-së, por një pjesë të përgjegjësisë për këto kufizime duhet ta mbajë edhe CEZi. “Në pjesën e Jugut, në Vlorë, Sarandë, Fier apo Gjirokastër, është e vërtetë që kemi bërë ndërprerje gjatë këtyre ditëve për shkak të mbingarkesës, por për disa zona të Tiranës, ku ka pasur ndërprerje, nuk është vetëm përgjegjësi e OSTsë. Në Nënstacionin e Sharrës, është instaluar që nga 2008-a një autotransformator që ka fuqi 740 amper dhe që arrin të përballojë ngarkesë, por problemi në këtë pikë nuk është i yni. Është kablloja e CEZ Shpërndarjes që nuk përballon këtë fuqi. Kablloja e tyre përballon deri në 400-470 amper dhe nëse ne e rrisim në 740 amper, do të digjet rrjeti i CEZ-it. Kjo linjë që unë flas lidhet me furnizimin e Kombinatit, Mëzezit, Yzberishtit apo gjithë zonat e tjera që janë të lidhura nga Nënstacioni i Sharrës”, sqaron Ibro. Në mbrëmje OST lajmëroi se do të kryente kufizime në pjesën e Jugut me 12 mega, që i korrespondon vetëm një për qind e konsumit të të gjithë rajonit dhe ndërprerjet filluan në kohën e pikut, 17:30-20:00, ndërsa për Tiranën u theksua se nuk do të bëhej asnjë ndërprerje. Por, ndryshe lajmëronte CEZ-i, në njoftimin e të cilit thuhej: “Për shkak të mbingarkesës në Nënstacionin e Sharrës, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar prej CEZ Shpërndarjes të kryejë stakime të alternuara për Kombinatin, Yzberishtin, Ndroqin, Vaqarrin dhe Mëzezin. Gjithashtu, mbingarkesa e Nënstacionit të Sharrës rëndon Nënstacionin e Selitës dhe e detyron CEZ Shpërndarjen të kryejë ndërprerje të alternuara për Selitën, Saukun, Kodrën e Diellit, bllokun “Vasil Shanto” dhe Tiranën e Re”. Në mbrëmje, kreu i OST-së, Ibro, konfirmoi se OST nuk bëri asnjë ndërprerje për Kombinatin apo zona të tjera dhe se ndërprerjet që u bënë në orarin e pikur ishin të zbatuara nga vetë kompania “CEZ Shpërndarje”. Kufizimet e energjisë pritet që të vijojnë edhe ditët në vijim, përderisa nga ana e kompanive, një zgjidhje e menjëhershme e problemit nuk është e mundur. Rrjeti tejet i amortizuar, si i OST-së, ashtu dhe i CEZ-it, duket se nuk e përballojnë rritjen e menjëhershme të konsumit, që për këtë vit ka qenë një rritje e ndjeshme.
Bullgaria ndërpret eksportin e energjisë, rritje e çmimeve
Në rajonin e Ballkanit shumica e vendeve këtë vit kanë qenë importuese të energjisë, duke filluar nga Maqedonia, Greqia, Rumania, Serbia apo Shqipëria. Të gjitha kanë importuar energji dhe këtë vit me çmim dukshëm më të lartë. Por, një tjetër telash është shfaqur këto ditë në hapësirë për vendet që importojnë energji, pasi një ndër të vetmit eksportues me çmime relativisht mesatare, Bullgaria, ka stopuar eksportet. Dje, nga ministri i Ekonomisë dhe Energjisë në Bullgari është bërë e ditur që nuk do të eksportohet më energji jashtë për shkak të grevës në disa miniera qymyri në këtë vend dhe do të prodhohet aq sa për të plotësuar nevojat e brendshme. Kjo, sipas ekspertëve, do të përkthehet në një ofertë më të ulët për energji në rajon dhe në çmime më të larta, të cilat kanë reaguar menjëherë ditën e djeshme, ku çmimi mesatar për megavat u rrit ndjeshëm për tregun e Europës Qendrore dhe për Ballkanin, çka do të thotë që vendet importuese do ta blejnë më shtrenjtë në vazhdim energjinë e importuar
Tenderi, BB: Dakord me rekomandimet e ZRPP
Tenderi që lidhet me projektin e administrimit dhe menaxhimit të tokës, që po financohet nga Banka Botërore, është lakuar së fundi për parregullsi, të cilat vetë zyra e BB-së në Tiranë i ka hedhur poshtë. Në një reagim të Bankës për mediat, vlerësohet se rekomandimet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë rishikuar dhe është dhënë miratimi për to. “Banka Botërore, në kuadrin e projektit të administrimit dhe menaxhimit të tokës (LAMP), bazuar në informacionin e ofruar nga Zyra e Regjistrimit dhe Pronave të Paluajtshme, ka rishikuar rekomandimet e ZRPP dhe ka dhënë pëlqimin (no-objection) për ofertuesin me çmimin më të ulët ndërmjet kompanive teknikisht të pranueshme dhe të kualifikuara, në përputhje me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në dokumentet e tenderimit”, thuhet në reagimin e BB.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











