CEZ dështoi me arkëtimet, ERE: Prandaj u rrit çmimi

Mar 5, 2011 | 13:29

Madje, ironia në këtë pikë është që qytetarët që paguajnë, mbulojnë edhe pjesën e atyre që nuk bëjnë një gjë të tillë. Pika më e fortë që çekët e CEZ-it argumentuan pas privatizimit ishte ulja e humbjeve dhe rritja e nivelit të arkëtimeve. Për këtë të dytën duket se përpjekjet gjatë vitit të kaluar dështuan, ku nëse nuk do llogariteshin paratë që qeveria pagoi për detyrimet e prapambetura të subjekteve buxhetore, niveli i arkëtimeve do të ishte 70 për qind e energjisë së faturuar. Raporti vjetor i Entit Rregullator të Energjisë nxjerr në pah këtë fakt, duke shprehur se dështimi i CEZ-it me arkëtimet është në një farë mënyre shkak për tarifat më të larta.
ARKËTIMET
Për Entin Rregullator të Energjisë, shpëtimi i CEZ-it vitin e kaluar erdhi nga paratë e qeverisë dhe jo nga suksesi i arkëtimeve. “Nëse nuk do të merrej në konsideratë shlyerja e detyrimeve të prapambetura për energjinë elektrike të konsumuar nga subjektet buxhetore dhe jobuxhetore në muajin gusht 2010, atëherë vlefta e faturimeve nga ana e CEZ Shpërndarje do të ishte vetëm 70.1 për qind”, thuhet në raportin e ERE. Edhe pse CEZ ngriti një sërë strukturash që do të përmirësofshin shërbimin si dhe do të ndërgjegjësonin pjesën e atyre që nuk paguanin, duket se strategjia e ndjekur ka rezultuar një dështim për rritjen e të ardhurave të kompanisë. Kjo bëri që CEZ-i të kërkojë sërish rritje të çmimit të energjisë për vitin 2011. Nëse strategjia e arkëtimeve do të vijojë të mbetet e dështuar edhe gjatë këtij viti, shqiptarëve do t’ju duhet që të përballen edhe një herë me një rritje tjetër çmimi, që do të mbulojë humbjet e kompanisë. Vetëm me uljen e çmimit të energjisë që CEZ-it iu bë nga KESH-i, kompania fitoi 23 milionë euro për gjithë vitin 2011.
Çmimi i energjisë
Niveli i arkëtimeve dhe ulja e humbjeve në rrjet janë dy elementët kyçë që ndikojnë direkt në çmimin e energjisë që kompania aplikon në treg. Sipas raportit të Entit Rregullator të Energjisë, vendi ynë do të kishte çmime më të ulëta energjie nëse niveli i të ardhurave që arkëtonte CEZ-i do të ishte më i lartë. “Shlyerja me korrektësi nga të gjithë konsumatorët e faturës së energjisë elektrike është një faktor shumë i rëndësishëm që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zvogëlimin e çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike”, thuhet në raport. Por këtu qëndron edhe ironia se ndërkohë që kërkohet korrektësi nga qytetarët, vetë CEZ-i, që duhet të jetë i interesuari numër një për rritje të arkëtimeve, ofron një cilësi shërbimi për të cilin qytetarët ankohen. Të tilla defekte si mbifaturimet apo mosshpërndarja e faturave të energjisë në kohën e duhur duket se janë një pjesë e ngërçit që nuk lejon rritjen e arkëtimeve.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura