Çështja e pronave mbledh myslimanët dhe ortodoksët

Mar 23, 2011 | 11:40

Myftinia dhe Kisha Ortodokse në Shkodër bëhen bashkë për çështjen e pronave.Në një takim të zhvilluar dje mes krerëve të komuniteteve, u deklarua se do të ngrihen në protesta nëse nuk gjendet zgjidhje. Pas deklaratave të ndara që bënë javën e kaluar, tokat për të cilat pretendojnë pronësinë komunitetet në qytetin verior i kanë bërë ato në një mendje. “Në rast të neglizhencës së shtetit për çështjen e pronave ne do të mbajmë qëndrime të ashpra, duke përfshirë edhe protestat paqësore”, u shprehën dje myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari dhe kujdestari i kishës ortodokse në Shkodër, at Nikolla Petani. Gjatë këtij takimi, Sytari dhe Petani kanë ripërsëritur thirrjen për rikthimin e pronave besimtareve myslimanë dhe atyre ortodoksë. Sipas tyre, rikthimi i pronarëve është një e drejtë legjitime. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare kanë deklaruar se në ditët në vijim, në rast se nuk do të ketë reagime konkrete nga ana e pushtetarëve, pritet të mbahen qëndrime më të ashpra, duke zhvilluar edhe protesta paqësore ndaj neglizhencës që po tregohet për rikthimin e pronave komuniteteve fetare. “Ne kemi parashikuar zhvillimin e njëkohshëm të protestave paqësore në të gjitha objektet dhe pronat tona ku ka probleme dhe ne kemi pretendimet tona”, ka pohuar myftiu Sytari, por pa e caktuar datën e saktë të zhvillimit të këtyre protestave.
Takimi i dy krerëve më të lartë të feve në Shkodër vjen pak ditë pas deklaratave që ata zhvilluan javën që kaloi, duke akuzuar shtetin dhe përfaqësues të tij në lidhje me kthimin e pronave të komuniteteve fetare, myslimane dhe ortodokse. Ata u shprehën se qëllimi i këtij takimi ishte bashkërendimi i pretendimeve të këtyre dy komuniteteve, me qëllim realizimin e tyre, fillimisht sensibilizimi i shtetit dhe më pas realizimi i procesit të kthimit të këtyre objekteve. Myftiu i Shkodrës, pas daljes publike deklaroi se do t’u bëjë thirrje besimtarëve që të rifillojnë protestat, në mënyrë të njëkohshme, për të gjitha pronat që ata pretendojnë se janë me probleme, por pa deklaruar ditën se kur do të zhvillohen ato.

Pretendimet

Myftinia
1-Përfshirja në privatizimin e hotelit “Rozafa” (si ish-pronare)
2-Prishja e një banese në afërsi të qendrës tregtare në Zdrale
3-Prishja e një objekti në Zogaj, pranë xhamisë së kësaj lagjeje
4-Prishja e një objekti në afërsi të Xhamisë së Plumbit

Kisha Ortodokse
1-Pretendimi për privatizimin e Shtëpisë së Oficerëve (ish-pronare trualli)
2-Pretendimi në privatizimin e hotelit “Rozafa” (si ish-pronare)
3-Dhënia në pronësi e një sipërfaqeje toke në malin e Taraboshit (ish-varreza)
4-Kompensim për lulishten e spitalit

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura