Situata në centralin e Fukushimës është shumë pranë rrezikut që shkaktoi dikur Çernobili.Deklarata vjen nga Presidenti i Autoritetit Francez për sigurinë nukleare (Asn), André-Claude Lacoste, i cili tha se rreziku nuklear brenda 24 orëve të fundit ka arritur në nivelin 6, ndërsa Çernobili kishte nivelin 7 të rrezikut. Gjendja në centralet japoneze është e rëndë. Dje në mëngjes pati një shpërthim të ri në reaktorin numër 4, i cili nuk u arrit të ftohej në kohë. Reaktori, ashtu siç pritej, mori flakë dhe u desh ndërhyrja e ushtarëve amerikane bashkë me ekspertët e teknikët vendas për ta shuar atë. Por pas zjarrit, erdhi reja radioaktive. Edhe reaktorët 5 dhe 6 në centralit Fukushima 1 po nxehen vazhdimisht. Ndërkohë, qeveria japoneze ka zgjeruar rrezen e evakuimit në 30 km nga centrali. Kompania japoneze që drejton centralin e Fukushimës, Tepco, po përgatitet të përdorë helikopterët për të hedhur ujë mbi një prej vaskave të reaktorit 4 për të ftohur materialin nuklear. Ministri i jashtëm japonez pranoi se, radioaktiviteti i dalë nga defekti në reaktorin numër 4 të Fukushimës, mund të jetë i dëmshëm për shëndetin e popullsisë. Deklarata e Takeaki Matsumotos u bë dje, gjatë një konference për shtyp, pas takimit të G8-ës në Paris. Ndërkohë, janë evakuuar 750 punëtorë të centralit nuklear të Fukushims 1 dhe në impiant kanë mbetur vetëm 50 teknikë. Nuk janë deklaruar të dhënat për nivelin e radioaktivitetit në ajër. Më parë është raportuar se nivelet e radioaktivitetit brenda sallës së Fukushimës janë shumë të larta për të lejuar punën e stafit teknik të Tepco-s.
Rriten kërkesat për energji
Numri një i Agjencisë Internacionale të Energjisë (Aie), Nobuo Tanaka, parashikon një rritje të kërkesës për gaz dhe energji të rinovueshme, nga kriza në Japoni. Tanaka e cilëson “teknologji të domosdoshme”, atë nukleare. Ndërkohë, centrali nuklear japonez i Hamaokas, pranë epiqendrës së tërmetit të djeshëm me magnitudë 6,4, vazhdon të jetë “i sigurt”, sipas autoriteteve japoneze. Centrali është 100 km nga epiqendra e tërmetit të djeshëm në prefekturën Shizuoka, dhe jo larg malit Fuji.
Thirrje për gjakftohtësi
Japonia i kërkon komunitetit ndërkombëtar që të mos bjerë në panik. “U kërkojmë vendeve të huaja që të qëndrojnë gjakftohtë”, tha ministri i Jashtëm, Takeaki Matsumoto, duke aluduar mbi ftesën e evakuimit që Franca u bëri qytetarëve të saj. “Ne informojmë rregullisht Aiea-n, shtypin ndërkombëtar, diplomatët dhe qytetarët e huaj të pranishëm në vendin tonë mbi situatën”, shtoi ai. Për sa i përket ndihmave nga jashtë, ministri ka theksuar se “për momentin, i është kërkuar Aiea-s dërgimi i një ekipi special për vlerësime”.
© Panorama.al











