Censusi, të dhënat e para dalin në mes të dhjetorit

Nov 18, 2011 | 8:33

Të dhënat e para të censusit do të publikohen në muajin dhjetor. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, në një deklaratë për shtyp pranoi se ekziston një marzh gabimi, por kjo gjë ende nuk është përllogaritur. Ndërkohë, anketa post-census  nisi të plotësohet dje në të gjithë vendin. Specialistët e Institutit të Statistikave nisën punën në terren për mbledhjen e të dhënave. Kjo anketë shërben për të vlerësuar përqindjen e mbulimit të popullsisë dhe banesave të censusit si dhe cilësinë e të dhënave. “Qëllimi i kësaj ankete është edhe për të vlerësuar gabimin në census, e cila jep një shifër të përafërt të gabimit në mbulim”. Drejtoresha e INSTAT-it deklaroi gjatë konferencës për shtyp se përfundimet e para të censusit pas skanimit të formularëve do të mësohen në muajin dhjetor. Anketa pascensus bazohet në metodën e mbledhjes së të dhënave nëpërmjet vizitave në çdo derë, në zona numërimi të censusit të shpërndara në të gjithë Shqipërinë dhe të përzgjedhura në mënyrë rastësore. Për këtë anketë është përgatitur një pyetësor tip me 11 pyetje dhe kohëzgjatja në terren do të jetë rreth tri javë. Aktualisht janë rreth 106 anketues të INSTAT-it, të cilët kanë filluar punën në terren për të mbledhur këto të dhëna. Numri i zonave të censusit së përzgjedhura është 106 (rreth 1% e totalit të Shqipërisë), të cilat përfaqësojnë të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që mbledhin informacion në rang qytetesh të ndara në urban-rural. “Ftojmë të gjithë qytetarët e zonave në të cilat kryhet anketa që të marrin pjesë dhe të japin informacionin e kërkuar nga INSTAT. Ky informacion do të ndihmojë për të vlerësuar se si është kryer procesi i censusit, i zhvilluar gjatë muajit tetor”, tha drejtoresha e INSTAT-it. Për këtë anketë, ashtu si dhe për të gjithë procesin e censusit, Instituti i Statistikës ka mbështetjen e ekspertizës së asistencës teknike të Bashkimit Europian, e cila e ka ndihmuar INSTAT-in në të gjithë hapat e përgatitjes së kësaj ankete.

© Panorama.al

Te lidhura