ELSA BALLAURI
Censusi i ka mbledhur shqiptarët për të folur për disa probleme, të cilat prej shumë vitesh janë shmangur, ose janë trajtuar keq. Në diskutimet e hapura flitet më shumë për një regjistrim popullsie dhe jo për census. Pavarësisht se censusi vetë përfshin regjistrimin në vetvete, më shumë se kaq, ai është i afërt me numërimin se sa me regjistrimin. Termi vjen nga latinishtja dhe ka filluar të përdoret në Republikën Romake fillimisht për të shënuar evidencat e meshkujve të rritur që thirreshin në ushtri. Nevoja e censusit në Shqipëri është shumë e gjerë, pavarësisht se pjesa e numërimit të popullsisë sipas pakicave përkatëse kombëtare dhe fetare ka ngjallur një reagim të madh. Pra, është nevoja për të pasur evidenca të sakta në shumë aspekte të jetës së njerëzve, në mënyrë që edhe kërkesat e shtetit ndaj tyre të plotësohen sa më mirë. E megjithatë, çështja e minoriteteve, e fesë dhe sidomos ajo e marrëdhënieve shqiptaro-greke kanë hapur përgjysmë kutinë e Pandorës. Shqetësimi im këtë radhë është mbi problemin e minoriteteve etnike dhe jo mbi besimin fetar, gjë që dua ta bëj një herë tjetër.
E firmosa peticionin e nënshkruar nga një grup intelektualësh sepse jam kryesisht në një mendje me nevojën për debat që rezervon ky problem. Debati ynë i deritanishëm, më shumë se sa konstruktiv, ka qenë i hapërdarë dhe ekstremist. Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë parë gjithmonë me syrin e viktimizimit shqiptar dhe kriminalitetit grek. Vështrimi bardh e zi nuk ka mundur të nxjerrë asnjëherë në pah shqetësimet e vërteta që kanë minoritetet. Edhe nga ky debat i tanishëm, ne nuk po tentojmë të flasim në emër të minoriteteve të këtij vendi, në të kundërt, sikur përpiqemi të minimizojmë prezencën e tyre.
Jam e mendjes se debati ka nevojë për kohë dhe kjo kohë na duhet të gjithëve të flasim dhe të arrijmë në një zgjidhje. Ky rast është një model i mirë se si mund të arrihet një përfundim jo vetëm me vullnetet dhe iniciativat politike, por edhe me ato shoqërore dhe sidomos intelektuale.
Ky debat i rëndësishëm duhet të jetë shumë serioz dhe profesional, të mos mbetet në dorën e personave ekstremistë që nuk i mungojnë këtij vendi. Pyetja e parë që më lind dhe për të cilën shumë më pak është shkruar dhe folur është:
Po minoritetet?
Vetëm pas vitit 1990 u bë e mundur që minoritetet të gëzojnë ligjërisht të drejtat e tyre. Periudha e komunizmit njihte vetëm minoritetet me shtetin mëmë: grekët, maqedonasit dhe serbo-malazezët. Edhe këta ishin gjithmonë nën presionin e përjashtimit dhe përqeshjes. Krahas intensitetit të madh të politikës komunistë për ta heroizuar çdo gjë shqiptare, u rrit natyrshëm psikologjia diskriminuese e maxhorancës së popullit karshi tyre. Diskriminimi ka qenë gjithmonë i fshehur, por i fortë. Megjithëse Shqipëria i ka tepër të dukshme komunitetet e veta etnike, gjuhësore dhe kulturore, kur flitet për to, shqiptarët janë shumë të ndjeshëm. Përpara disa viteve u hartua një Atlas Gjeografik dhe autorët pësuan një presion negativ të madh sepse kishin tentuar të jepnin shifra korrekte për numrin e pakicave në vend, të marra nga zyrat e gjendjes civile. Shqiptarët jetojnë gjithmonë me ndjenjën virtuale të qendrës së botës dhe kjo në raport me minoritetet gjithmonë ka prishur shumë punë.
Censusi është nevojë e vetë minoriteteve në Shqipëri. Në çdo takim që bëhet me ta, secili jep shifra të ndryshme, të pabazuara në fakte dhe kjo shpesh bëhet shkas për debate të ashpra.
Natyrisht që shifrat janë një element i rëndësishëm, që tregon se ç’duhet bërë, ku është shpërndarja më e madhe, ç’detyrime ka shteti, etj. Në këtë kontekst, edhe Konventa Kuadër e Këshillit të Europës për Minoritetet, merr më shumë forcë, kur dihet që ajo është një obligim për shtetet dhe jo aq shumë një mundësi për të gjetur të drejta të hollësishme për individët që i përkasin komunitetit. Shifrat kanë rëndësi të madhe, por për sa i takon obligimit në parim të shtetit për pakicat, ato nuk janë decizive. Kështu, për një shtet që vërtet është i gatshëm të ndihmojë shtetasit, ato nuk duhet të kenë rëndësi, po ashtu edhe si kriter për njohjen e vetë minoritetit nga shteti përkatës. Natyrisht që kanë rëndësi për shpërndarjen e ndihmës që do t’iu jepet pjesëtarëve të këtyre pakicave.
Nga ana tjetër, për minoritetet vetë, shifrat marrin një rëndësi shumë më të madhe. Është jo vetëm çështje ndihme, por edhe personaliteti. Sa më mirë të dinë për veten e tyre, aq më mirë dinë të kërkojnë të drejtat e tyre. Secili minoritet ka të drejtën e tij për të ditur sa është numri i pjesëtarëve. Kjo gjeneron edhe më mirë të drejta të tjera, si ajo e përfaqësimit, edukimit, pjesëmarrjes, etj..
Do të ndalem shkurt në problematikën e disa nga minoritetet. Minoriteti boshnjak është një nga më të vegjlit, i panjohur nga shumë shqiptarë dhe me karakteristikat më të mira dhe më të qarta për një minoritet. Shumë i organizuar dhe komunitar, boshnjakët janë një model se si njerëzit e një komuniteti mund të ndihmojnë njëri-tjetrin, se si përpiqen për të mbajtur gjuhën nëpërmjet shkollave private (pa ndihmë nga shteti sepse nuk janë njohur prej tij), traditat, aktivitetet kulturore, etj. Jam e bindur se ato pak fshatra boshnjake e ndiejnë se duhet të dinë se sa janë, si shkon shtimi i popullsisë së tyre, të analizojnë raporte të ndryshme mes brezave, etj.
Një tjetër minoritet i vogël është ai që ne e quajmë ende minoriteti serbo-malazez. Censusi në këtë rast ndihmon për të sqaruar jo vetëm termin, i cili është vënë që në kohën e regjimit komunist dhe aktualisht është i pasaktë, por edhe për të treguar dhe respektuar secilin komunitet sipas përkatësisë së tyre reale: serbe dhe malazeze, që nuk është e njëjta gjë si e mëparshmja. Sipas B. Fevziut në një shkrim të dy ditëve më parë, për minoritetin egjiptian thuhet se: pretendimi i tyre i vjetër është se ata janë pjesë e një komuniteti egjiptian dhe do të deklarohen si të tillë. Por vetë Egjipti as e ka pranuar dhe as i ka njohur si minoritet të tij. Atëherë ç’do të bëjmë me këtë komunitet? Do t’i themi botës se kemi 1, 2 apo 3 egjiptianë në Shqipëri?!” Mendoj se ky vlerësim është i paplotë e i njëanshëm dhe cenon dhe mohon të drejtën e ekzistencës së minoritetit egjiptian. Marrëdhëniet e minoritetit egjiptian me shtetin egjiptian, janë njëra anë, ato mund të jenë marrëveshje të gjata, që një ditë prej ditësh mund të përfundojnë me njohjen e këtij komuniteti nga Egjipti (në varësi edhe të politikave të reja), ose mund të mos mbarojnë kurrë. Kjo nuk e cenon aspak ekzistencën e minoritetit egjiptian. Sipas kategorive kemi minoritete që kanë “dheun mëmë” dhe të tjera që nuk e kanë atë. Janë karakteristika të tjera ato që përcaktojnë të qenit apo jo minoritet. Egjiptianët ndihen minoritet, ata ndihen të ndryshëm nga të tjerët, nga shqiptarët Romët, grekët, etj. Kjo është e mjaftueshme për t’i njohur ata dhe për të ditur sa janë. Në këtë kontekst, ata duhen respektuar njëlloj si të tjerët, pavarësisht a e kanë gjetur apo jo dheun mëmë.
Një tjetër minoritet tek i cili regjistrimi ndikon në mënyrë shumë problematike, është minoriteti vllah. Problemet e këtij minoriteti janë mjaft të lidhura edhe me pjesën më të ndjeshme të diskutimit, atë mbi marrëdhëniet me Greqinë.
Vllehtë në Shqipëri janë ndër më të shumtët. Hipotezat e origjinës së tyre janë të ndryshme, por po të marrim një nga më të qëndrueshmet, që është ajo e prejardhjes së tyre nga mbetjet e legjioneve romake, tregon se vllehtë në Europë, Ballkan dhe Shqipëri janë shumë të hershëm. Sikurse thotë gazetari italian Indro Montanelli për ta: ky element latin u përputh me atë shqiptar në një mënyre perfekte, vllehtë mund të jenë ndofta popullata më ë madhe minoritare në vendin tonë. Por periudha shumë e hershme e shpërnguljes, tipari i tyre tipik, fleksibiliteti dhe përshtatja, qetësia dhe karakteristika kulturëformuese i bëri shumë prej tyre të ndërthuren kaq fort dhe natyrshëm me vendasit, sa vetëm atje ku nevoja apo frika për asimilim ishte më e madhe (në zonat e Shqipërisë së Mesme ku vllehtë jetuan mes popullatës myslimane), ata ruajtën të paprekur gjuhën. Në zona të tjera ku ata u bënë udhëheqës të shoqërisë në aspektin qytetar apo kulturor, si në Korçë ku vllehtë e zbritur nga Voskopoja i dhanë një hov të madh dhe të vrullshëm qytetit, aq sa mund të thuhet se ishin ata që e formuan zhvillimin kulturor dhe patriotik të Korçës, nuk e ndien frikën e asimilimit dhe ruajtja e gjuhës deri në ditët tona, nuk është tipar i fortë i këtij grupi.
Kështu, jeta e komunitetit vllah ose arumun, njeh një aktivitet të hershëm. Shumë gjëra ende nuk dihen dhe nuk janë zbuluar. Origjina e vllehve endet mes hipotezave historike dhe ka shumë dokumente historikë ende të pashfaqura që rrëfejnë për prejardhjen e njërit prej minoriteteve më interesantë në Europë. Mirëpo sidomos vetë vllehtë, ato shoqata që janë ngritur prej vitesh dhe përpiqen aq shumë të ndërtojnë dhe të tregojnë historinë e tyre, nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për ta bërë këtë. Fatkeqësisht, vllehtë/arumunët vështrojnë në dy drejtime të ndryshme përtej mureve të Shqipërisë: drejt Rumanisë dhe Greqisë. Janë këto dy vende që iu kanë dhënë më shumë shanse për të mbijetuar, për t’u shkolluar dhe për të punuar. A nuk është kjo një ironi e hidhur?
Sipas vlerësimit të Ministrisë se Jashtme shqiptare, vllehtë nuk e marrin dot njohjen si minoritet kombëtar sepse nuk kanë dheun mëmë. Por ndërkohë, Konventa Kuadër nuk është aspak e ngurtë ndaj këtij përcaktimi. Ajo është fleksibël ndaj krijimit dhe ndryshimeve të reja që shfaqen në jetën e popujve dhe minoriteteve të tyre përkatëse nga viti në vit apo nga dekada në dekadë. Mosnjohja si minoritet kombëtar i përjashton vllehtë nga mundësia e ndihmës nga shteti për strategji të reja, për edukim, për zhvillimin e kulturës, etj. Ashtu siç kanë vepruar popullsi të tjera minoritare si boshnjakët apo maqedonasit, edhe vllehtë janë përpjekur të ngrenë me forcat e tyre shkollat për mësimin e gjuhës vllahe. Iniciativa të tilla nuk vazhdojnë dot gjatë, ndërkohë njerëzit kanë probleme të mëdha mbijetese dhe zgjatja e dorës nga qeveritë rumune dhe greke i ka nxjerrë ata nga situata. Kështu aktualisht në Shqipëri kemi një komunitet vllah të ndarë në vlleh/arumunë grekë dhe në vlleh/arumunë rumunë. Të dyja këto pjesë kanë përfituar dhe përfitojnë të mirat e secilit vend. Ndryshimi i sistemeve dhe hapja e Shqipërisë pashmangshmërisht do të shoqërohej nga fenomene të tilla, por fenomeni vllah është kaq shumë në masë, sa që vetë komuniteti vllah shqiptar ka mbetur i dobët, i pambrojtur dhe i zhgënjyer. Nëse shteti shqiptar do ta vlerësojë dhe konsiderojë siç duhet minoritetin vllah, atëherë do të mësohemi të kemi një komunitet vllah shqiptar, i cili do punojë për të njohur origjinën, historinë, jetën e tij në territorin shqiptar, sikurse edhe ka ndodhur. Kjo është një vlerë e madhe edhe për të gjithë shqiptarët, për historiografinë shqiptare, për brezat e rinj që s’po e mësojnë dot cila është e vërteta e historisë së vendit të tyre. Kështu, shqiptarët do ta mësojnë historinë e tyre në kompleksin e të gjitha llojeve të popullsisë që ata kanë, por edhe do dinë të vlerësojnë raportet njerëzore mes njëri-tjetrit, do ulin nivelin e paragjykimeve dhe përjashtimit.
Edhe Rumania, edhe Greqia kanë treguar se kanë tendenca të forta politike në çështjen vllahe. Dhe për këtë arsye thashë më lart se çështja vllahe është çështja kyç që kontradikton marrëdhëniet shqiptaro-greke mbi minoritetet. Greqia nuk e ka as termin minoritet në kushtetutën e vet, gjë që e bën më të fortë mekanizmin e saj asimilues. Sipas politikave greke, çdo vllah ortodoks është edhe grek. Por kjo ka qenë një politikë e hapur e Greqisë prej vitesh. Ajo që personalisht e kam kritikuar aq herë sa kam pasur mundësi, është se ç’ka bërë shteti shqiptar për të ruajtur identitetin e vllehve shqiptarë? Pse ka gjithmonë një vesh të shurdhër nga ana e politikës për t’i konsideruar vllehtë minoritet kombëtar? Nëse vazhdohet kështu, shumë shpejt ne do të kemi vetëm vlleh-grekë apo vlleh-rumunë dhe jo minoritet vllah shqiptar. E ndërkohë, sikurse thashë më lart, ky komunitet është ndër më të pasurit në kulturë, histori e shkencë dhe e rezervon respektin e dinjitetin.
Nevoja e tyre për të ditur sa janë, është e madhe, por nga ana tjetër, edhe më delikatja aktualisht. Është e nevojshme të bëhet një ndërgjegjësim sidomos i vllehve që kanë ndryshuar dokumentet për t’u bërë grekë. Nëse identifikohen si të tillë, ky është një dëm që i bëhet komunitetit vllah, që në këto momente ka mundësi të tregojë forcën e identitetit të vet.
Po nacionalizmi?
Shqiptarët akoma nuk e bëjnë dot ndarjen midis nacionalizmit dhe patriotizmit. Më shumë, për fat të keq anojnë nga e para, të dytën s’e kanë kuptuar akoma. Madje, edhe argumentet nacionaliste që përdorim janë më shumë virtuale sesa konkrete. Asnjëherë nuk është bërë me qetësi dhe seriozitet një analizë se çfarë po ndodh me shqiptarët e larguar, ç’mendojnë ata, si ndihen ata. Cila është pjesa më e rëndësishme e tyre, të qenit shqiptar apo diçka tjetër. Sapo flitet për Greqinë, fillon të veprojë nacionalizmi virtual: akuza për ndërrimin e emrave, presioni grek, kujtimi i rilindësve, etj. Kjo është e natyrshme të ndodhë, por krahas kësaj, rrallë herë ka një analizë tjetër: cilët jemi ne shqiptarët, sa lehtë mund të shitemi, sa lehtë i ndërrojmë emrat siç fryn era, ç’kemi bërë ne për veten, sa përpiqet shteti ynë të na mbajë dinjitetin lart, që edhe polici grek më i rëndomtë në kufi të mos tallet me shqiptarët që kalojnë atje, që nga fshatari më i humbur e deri te ministri….
Pjesa jonë virtuale është larg kësaj analize, jemi si gjithmonë bardh e zi… marrim atë që na pëlqen dhe s’ndihemi kurrë fajtorë. Nëse je pjesë e një minoriteti apo jo, është një veprim individual dhe kjo është e drejtë e padiskutueshme e njeriut. Është shumë e rëndësishme në këto kushte të kemi një ndërgjegjësim qytetar mbi baza profesionale. Vetë formulari i censusit në përcaktimin e kombësisë dhe fesë ka edhe një opsion të fundit që është zgjedhja për të mos u shprehur fare. Pra, qytetarët duhet ta dinë mirë se ç’kërkohet, kjo është detyrë e organizatorëve dhe e shoqërisë civile. Organizatat e minoriteteve duhet të bëjnë gjithashtu një punë sqaruese dhe të shprehen në këtë debat.












