Çelsi ka marrë një fitore më shumë se të rëndësishme në shtëpi. Përballë Mançester Sitit, djemtë e Karlo Ançelotit treguan se ishin më të përgatitur fizikisht dhe bënë diferencën në minutat e fundit, duke shënuar edhe dy gola. Ajo që bie në sy, është fakti se Fernando Torres, po vuan akoma “shterpësinë” në gola, pasi nuk e ka gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës, që kur u transferua në merkaton e janarit. E kundërta ka ndodhur me blerjen tjetër të pak muajve më parë, David Luizin. Ky i fundit po bëhet një nga futbollistët më të rëndësishëm të ekipit, ndërsa udhëhoqi Çelsin te fitorja në ndeshjen e djeshme. Pavarësisht se skuadrat po krijonin raste për shënim, sidomos vendësit, asnjëra nuk po arrinte ta dërgonte topin në rrjetë. Por, mbrojtësi brazilian David Luiz, zhbllokoi ndeshjen në minutën e 78-të, duke shënuar një gol mjaft të bukur me kokë. Një gol që e bëri ekipin e tij të marrë frymë lirshëm. Kaq mjaftoi që blutë e Londrës të administrojnë me qetësi avantazhin, madje të shënojnë edhe një herë tjetër në momentet e fundit të ndeshjes, këtë herë me anë të Ramirezit dhe ta përfundojnë takimin me rezultatin 2-0. Një fitore që i ritkhen në vendin e tretë të renditjes, por jo vetëm kaq. Tashmë Çelsi ka ringjallur shpresat për titullin kampion, edhe pse duket mjaft e vështirë.
Ançeloti: Mund të isha shkarkuar
Karlo Ançeloti e pranon se ka qenë shumë pranë shkarkimit si trajner i Çelsit, por tashmë është në një situatë mjaft të qetë për këtë aspekt. “Skuadra ime ‘fjeti’ për dy muaj dhe kjo është një periudhë shumë e gjatë. Isha shumë pranë shkarkimit nga Çelsi dhe padiskutim që ndeshja e sotme (dje) ndaj Mançester Sitit ka qenë deçizive gjithashtu. Gjithsesi, unë jam i lumtur që ia kemi dalë mbanë të lënë pas krahëve periudhën e vështirë dhe të rikthehemi në një formë të shkëlqyer. Tashmë jemi në pozita shumë komode dhe mund t’i surprizojmë të gjithë në fund të sezonit, nëse vazhdojmë me këtë ritëm”, deklaroi Ançeloti.
Liverpuli
Liverpuli ka marrë një fitore me shumë vlera në transfertë, ndaj Sandërlendit. Gjithsesi, protagonist i takimit është bërë edhe arbitri Kevin Frend, i cili u ka ‘dhuruar’ të kuqve një 11-metërsh. Në minutën e 34-t, Mensah shkakton një faull ndaj Xhonatan Spiring, pa hyrë ende në zonë. Në fillim gjyqtari akordoi goditje dënimi, por më pas u konsultua edhe me anësorët dhe ndryshoi vendimin e tij. Holandezi Dirk Kajt, u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhuruar më shumë qetësi lojës së skuadrës së tij. Në minutat në vazhdim, ishin sërish miqtë ata që dominuan në fushë dhe në minutën e 77-të, Luis Suarez shënoi edhe golin e sigurisë, duke vulosur rezultatin në 2-0.
© Panorama.al











