Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka shpjeguar me anë të një reagimi publik të bërë nëpërmjet profilit të tij në rrjetin social Facebook shkaqet e përjashtimit të 2 anëtarëve të Këshillit Bashkiak Durrës.
Ai thotë se kërkesa është bërë prej kohësh nga PD-ja lokale e Durrësit dhe se vendimi është marrë mbi baza konkrete.
Noka nënvizon se “njëri prej këshilltarëve ka punuar për Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, ndërsa tjetri akuzohet për përfitime personale nga posti në Bashki dhe bashkëpunim me këtë forcë politike”.
“Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS”.
Në fund ai thekson se: Çdo interpretim tjetër është trillim!
Reagimi i plotë i Flamur Nokës:
“Sqarim për opinionin publik
Lidhur me dizinformimin e mediave të qeverisë për motivin e vendimit për largimin e dy këshilltarëve nga grupi i këshilltarëve të PD të Bashkisë Durrës, sqarojmë sa vijon:
Dy këshilltarët e grupit të PD në Bashkinë Durrës janë larguar nga grupi i këshilltarëve dhe strukturat e PD lokale me kërkesë të Degës së PD Durrës, cila ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë.
Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS.
Çdo interpretim tjetër është trillim”.
Çfarë ndodhi?
Shkak u raportua në media se është bërë mbështetja që ata i kanë dhënë lëvizjes së ish-deputetit Ervin Salianji, që kërkon reformim të strukturave drejtuese të selisë blu.
Sipas vendimit zyrtar, përjashtimi është bërë “në mbështetje të statutit të partisë dhe rregullores së brendshme”, për “shkelje të dispozitave që lidhen me etikën dhe integritetin”.
Në vendimin e firmosur dhe vulosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, propozohet edhe kryetari i ri Ardian Muka.
Në dokumentin me titull “Për ndryshimet në grupin e këshilltarëve të PDSH në Këshillin Bashkiak Durrës”, theksohet se “vendimi bazohet në nenet 24, 40 dhe 48 të statutit të PDSH, si dhe në Kodin e Sjelljes dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.
Po ashtu, në vendim propozohet emërimi i Ardian Mukës si kandidat për kryetar të ri të grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak Durrës.
Burgija dhe Boshku i kanë dhënë mbështetje ish-deputetit Ervin Salianji, në një kohë kur brenda Partisë Demokratike po zhvillohen diskutime, ndërsa është caktuar edhe data e garës për kreun e saj, më 23 maj.
Vendimi (foto poshtë) mban datën 23 mars 2026 dhe është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Reagojnë 2 këshilltarët, Boshku: Investim tim në PD nuk e heq dot askush as ti o Nul Lepurush!
Menjëherë pas vendimit të PD-së për përjashtimin e dy këshilltarëve të Këshillit Bashkiak Durrës, ka ardhur reagimi i një prej tyre.
Arlind Boshku me anë të një postimi në rrjetin social, shprehet kundër vendimit, duke nënvizuar se “investimin e tij në PD nuk e heq dot askush”, madje ka ironizuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të selisë blu, Flamur Noka, suke e etiketuar si “Nuk lepurush”.
“Dje morëm një vendim absurd: përjashtimin tonë nga Këshilli i PD-së. Arsyeja? Një drekë me Ervin Salianjin. E vërteta është tjetër. Prej muajsh kemi kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e rregullave të qarta për meritokracinë dhe promovimin brenda partisë”, shprehet ai mes të tjerash.
Reagimi i plotë i Arlind Boshkut:
“Prej 35 vitesh familjarisht kemi kontribuar për Partinë Demokratike.
Kemi qenë aty në çdo betejë: anëtarë komisionesh, pjesë e çdo fushate, drejtues seksionesh e grupseksionesh, nën kryetar dege dhe sot sekretar dege.
Gjithmonë me një parim: pa kërkuar asgjë në këmbim dhe luftë me shpenzimet tona.
Por e vërteta duhet thënë.
Ndërkohë që ne mbulonim fushatat me kontributet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private pa transparencë, pa përgjegjësi dhe pa asnjë mbështetje reale për strukturat në terren.
Dje morëm një vendim absurd: përjashtimin tonë nga Këshilli i PD-së.
Arsyeja? Një drekë me Ervin Salianjin.
E vërteta është tjetër.
Prej muajsh kemi kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e rregullave të qarta për meritokracinë dhe promovimin brenda partisë.
Kemi kërkuar diçka elementare: që anëtarët të vendosin për lidershipin, jo lidershipi të përzgjedhë anëtarët sipas interesit për të mbajtur peng partinë.
Shpifjet se ne nuk jemi më me PD janë qesharake.
Ne kemi qenë dhe jemi në terren, në fushatë, dhe në çdo përballje politike.
Ajo që nuk pranojmë është heshtja përballë dështimit dhe abuzimit.
Për më tepër, është e papranueshme që para edhe pas zgjedhjeve të kërkohen “kontribute” financiare pa asnjë transparencë apo dokumentacion siç Nul Moka kërkon.
Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve. Ne nuk do paguajme dhe veshjet miliona lek apo luksin e shfrenuar te drejtuesve te opozites qe duhet te kishin kulmin e modestise per shkak te varferise qe kane demokratet te cilet per shkak te gabimeve te ketyre kane 13 vjet ne Opozite!
Partia Demokratike është e demokratëve, jo e një grupi që kërkon ta mbajë të uzurpuar.
Investim tim në PD nuk e heq dot askush as ti o Nul Lepurush”.
Reagimi i Dritan Burgija:
“Të nderuar demokratë, miq, shokë, bashkëpunëtorë dhe kolegë, që na ka bashkuar ideali demokratik, mendimi i lirë dhe revolta ndaj padrejtësisë.
Kontributi im personal dhe familjar në Partinë Demokratike, si pasardhës i një shtrese të përndjekur, nuk është çështje fjalësh, por qëndrimi. Ky kontribut nuk matet me deklarata, por me praninë në përballje, me rezistencën ndaj padrejtësisë, me sakrificën dhe me besnikërinë ndaj një kauze që nuk është tradhtuar as në ditët më të vështira.
Ky rrugëtim ka nisur herët, që në rini, kur ishim në vijën e parë përballë diktaturës në grahmat e saj të fundit, dhe ka vijuar pa ndërprerje ndër vite: si anëtar, komisioner, numërues, anëtar kryesie, koordinator në zona të caktuara, nënkryetar, kryetar i PD Durrës, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Këshillit Bashkiak. Kam qenë dhe kam qëndruar aty ku duhej të isha, jo në ditët e lehta, por në momentet e vështira, kur Partia Demokratike kishte nevojë për qëndresë; jo për heshtje, për karakter; jo për servilizëm.
Miq demokratë,
Ne jemi njerëzit e lirisë, të së vërtetës dhe të drejtësisë. Për këto vlera kemi punuar pa kushte dhe për këto vlera u ngritëm në rithemelim. Rithemelimi nuk ishte luks politik, por domosdoshmëri morale dhe historike për të shpëtuar Partinë Demokratike nga zhbërja, kapja dhe deformimi.
Unë jam pjesë e kësaj qëndrese. Kam ngritur zërin, kam folur hapur dhe kam qëndruar krah çdo demokrati të ndershëm për të thënë të vërtetat tona mes nesh, jo për të dëmtuar Partinë Demokratike, por për ta ndrequr atë; jo për ta dobësuar, por për ta kthyer te vlerat, te parimet dhe te dinjiteti i saj. Dhe nuk jam i vetëm në këtë rrugëtim, sepse kjo nuk është beteja e një individi, por e çdo demokrati që refuzon heshtjen, nënshtrimin dhe mashtrimin.
Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi! Kjo është vija e kuqe që kanë ngritur kundër nesh çdo kryetar i mbyllur në vetvete dhe çdo servil i pushtetit: të mos flasim, të mos kërkojmë llogari, të mos kërkojmë standarde, të mos kërkojmë garë.
Ndërkohë që ne kërkojmë fitore, ata ofrojnë pazare, kulisa dhe lista të bunkerizuara me akrobaci ligjore.
Ndërkohë që ne kërkojmë hapje, gjithëpërfshirje të kontributeve ndër vite, garë reale, standarde politike, konkurrim të ndershëm, analizë të sinqertë dhe program veprimi; përgjigjja që vjen është shpifja, denigrimi, arroganca dhe në fund përjashtimi. Ky nuk është reagim force, por akt frike. Nuk është vendim politik, por shenjë paniku nga e vërteta.
Kemi të bëjmë me një vendim absurd, arrogant, të pabazë dhe të paburrë, që nuk turpëron ata që u përjashtuan, por ata që e hartuan dhe e firmosën, e që flasin në emër të besës e që vetëm besë nuk kanë. Është një akt jashtë çdo parashikimi statutor, jashtë çdo procedure, pa legjitimitet, pa standard dhe pa dinjitet politik. Një akt qesharak në formë dhe i mjerë në përmbajtje, që zbulon fytyrën e vërtetë të atyre që nuk durojnë mendimin ndryshe, nuk pranojnë garën dhe nuk i besojnë demokratëve.
Ju garantoj se mbetem besnik i demokracisë, qëndrimeve dhe bindjeve të mia, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi, sepse askush nuk ka as tagrin dhe as të drejtën morale e politike, të fshijë me firmë, kontributin, sakrificën dhe historinë e askujt në Partinë Demokratike”.
© Panorama.al














