Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë është një hap i vonuar dhe përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur në kontroll inflacionin. Për ish-guvernatorin Shkëlqim Cani, lëvizja e BSH duhet të ishte marrë kohë më parë. “Sipas gjykimit tim, ky hap duhet të ishte ndërmarrë nga politikbërësit e bankës që në muajt tetor-nëntor. Në këtë mënyrë do të ishte frenuar disi rritja e çmimeve, dhe dalja e inflacionit jashtë kontrollit. Sot ky hap është shumë i vonuar.” Por, kjo nuk është akuza e vetme e Canit. Më e rëndësishme, sipas tij është aftësia e Bankës së Shqipërisë për të parashikuar ekonominë. “Po të shikosh deklaratat e fundit, duket se parashikimi i bankës po çalon rëndë. Nuk dihet a është neglizhencë, apo paaftësi. Unë nuk dua të dyshoj te aftësisë e stafit teknik të bankës për parashikimin, por kam frikë se janë aftësinë e politikbërësve, pra krerëve të bankës ato që lënë për të dëshiruar.
Si e vlerësoni lëvizjen e fundit të Bankës së Shqipërisë?
Reagimi i Bankës së Shqipërisë përsëri duket i vonuar, pasi duket drejtuesit e saj (drejtuesit dhe ndonjë anëtar Këshilli) para disa kohësh nuk kishin vlerësime se inflacioni ishte problem. Ky veprim i BSh mund të ishte ndërmarrë para disa muajsh, për të qenë më parashikues dhe për të paraprirë, siç është dhe vetë funksioni i BSh.
Rritja vetëm me 0.25% do të ketë ndikim?
Masa e veprimit te BSh është relativisht e butë dhe nuk besoj të ketë ndikime të ndjeshme në interesat e tregut, si të kredive dhe të depozitave. Paksa më e ndjeshme dhe më e shpejtë do të jetë ndoshta lëvizja e interesit tek yieldi (interesi) i bonove të thesarit. Edhe efekti në kursin e këmbimit besoj do të jete i papërfillshëm.
Mendoni se mosveprimi i bankës ka lejuar rritjen e çmimeve?
Banka e Shqipërisë, në njoftimin e saj për herë të parë (edhe pse me fjali te përzgjedhura dhe në një gjuhe aspak komunikuese për publikun e gjerë) pranon rritjen e dukshme te çmimeve të ushqimeve, që janë baza e shpenzimeve të një familjeje tipike shqiptare. Ky pranim është shumë i vonuar, pasi tashmë kurrizi i qytetarit te thjeshte ka muaj te tere qe eshte kerrusur nga pesha tejet e rëndë e çmimeve të rritura të ushqimeve. Banka e Shqipërisë, e tulatur nën tutelën e qeverisë nuk ka parë si parësore transparencën me publikun dhe mbrojtjen e tij nga rritja e çmimeve, por i ka bërë “fresk” qeverise. Pra, drejtuesit e Bankës së Shqipërisë kanë parë më parësore interesat personalë për t’u rizgjedhur sesa të mbrojnë interesat e qytetarit të thjeshtë, duke shkelur kështu dhe mbi pavarësinë e institucionit te Bankës Qendrore.











