Ç’ndodh kur dëmtohen reaktorët si Fukushima

Mar 18, 2011 | 9:19

Frika për shkrirjen e bërthamave me lëndë nukleare në reaktorët e centralit të Fukushimës, Japoni, është e madhe.Nëse kjo ndodh, atëherë të gjithë liderët duhet të tërheqin deklaratat e tyre të mëparshme, se skenari më i keq në Japoni nuk ka për të ndodhur. Ky do të ishte skenari më i keq. Edhe pse nivelet e radioaktivitetit, sipas ekspertëve nuk do të ishin të larta sa ato të katastrofës së mëparshme të Çernobilit, ato sërish do të kishin pasoja të pakthyeshme te populli japonez. Niveli i rrezikut është vlerësuar në shkallën 6, vetëm një më pak se Çernobili, i cili edhe 25 vjet pasi shpërtheu, vazhdon të trashëgojë tek fëmijët e të prekurve sëmundje të pamëshirshme. Në reaktorin e Fukushimës ka uranium, plutonium dhe cezium, nga elementet më të rrezikshme toksike. Centralet po ftohen me ujë deti, një metodë që edhe pse është e rekomandueshme nga ekspertët nuklearë, do t’i bëjë ata të papërdorshme më pas. Edhe procesi i shuarjes së flakëve nuk është suksesi i fundit. Duhen bërë përpjekjet maksimale për të frenuar daljen e avujve radioaktivë përtej zonës së centralit, edhe pse ky është një mision pothuajse i pamundur. Ekziston rreziku i vazhdueshëm, edhe pas vënies në kontroll të zjarreve të mëparshme, që hidrogjeni të ketë kontakt me ajrin dhe të provokojë shpërthime të tjera. Sipas BBC-së, kjo është hera e për në botë që një shtet po shuan me ujë nga lart reaktorët atomikë. Fokusi i qeverisë japoneze është vënë tek reaktori i tretë i Fukushimës, ai që ka materialin më të rrezikshëm, moksin, të përbërë nga miksimi i plutoniumit dhe uraniumit. Një shpërthim i rrezikshëm do të quhej ai kur shufrat me karburant bërthamor do të qëndronin shumë kohë në ajër, të parrethuara me ujë. Atëherë ato do të shkrinin dhe shkrirja e tyre do të ishte katastrofa më madhe për tokën japoneze. Ky rrezik ishte te reaktori numër 2. Nëse do të binin në tokë, për shkak të nxehtësisë, pjesë nga shtresa e jashtme mbrojtëse e betonuar e reaktorit, copëza radioaktive do të kalonin menjëherë në ajër, duke përhapur një sasi të madhe radioaktiviteti e cila do të ishte e përafërt me atë të Çernobilit. Helikopterët dje kanë hedhur tonelata me ujë mbi impiante. Inxhinierët në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës, në luftë me kohën kanë arritur suksesin e parë, duke rikthyer energjinë elektrike në reaktorin e dytë. Kjo do të thotë se është bërë riaktivizimi i sistemit të tij të ftohjes. Por, ekspertë jashtë Japonisë deklarojnë se fakti që qeveria japoneze në Fukushima po përdor helikopterët për të hedhur ujë e për të ftohur impiantet, do të thotë se izolimi i bërthamës është dëmtuar. Lajmin e konfirmoi më pas edhe drejtori i ANEA-s. Nivelet e radioaktivitetit në zonën e Fukushimës dje ishin shumë më të larta. Sidoqoftë, ekspertët amerikanë kanë vënë alarmin për situatën në reaktorin e katërt të Fukushimës, e cila, pas sasisë së avujve me radioaktivitetit të dalë pas shuarjes së flakëve më ujë, sipas tyre është vdekjeprurëse.

Reaktorët nuklearë, si funksionojnë

1.Shpërthimet

Gazi i hidrogjenit dhe presioni i akumuluar në central provokojnë një shpërthim, që hedh në ajër një sasi të caktuar radioaktiviteti (në formën e elementeve të rënda)

2.Shkrirja e bërthamës

Për shkak të uljes së nivelit të ujit, shufrat me karburant rrezikojnë të shkrihen e më pas ekspozohen, shufrat mund të lëshojnë në një kohë të shkurtër një sasi të pakontrolluar elementesh radioaktive, me rrezikun e madh të shpërndarjes së tyre

3.Reja

Avujt e krijuar nga kontakti i ujit me bërthamën dhe aq më tepër në rastin e shkrirjes së lëndës djegëse, krijojnë një re radioaktive që ndjek erërat

4.Elementet radioaktive

Disa elemente, si jodi 131 dhe ceziumi 137, sapo thithen nga organizmi, rrisin rreziqet e tumoreve. Elementet rezistojnë edhe në ujë dhe ushqime.

5.Radioaktiviteti

Kush është në ambientet e afërta, ekspozohet edhe në nivele radioaktiviteti 1000 herë më të larta se normalja
Nuk është vdekjeprurës, por ka pasoja të gjata mbi shëndetin

Shufrat e uranit

72 kapsula
Përmbajtja e uraniumit është mbledhur në një shufër metalike
4 m
Lartësia standarde

Një kapsulë përmban mesatarisht 300 toptha uraniumi të mbyllur dhe kompresuar

1-1,2 cm është lartësia standarde e çdo topthi

Tri mënyrat e ekspozimit

• Reja radioaktive
Ekspozimi, normal i drejtpërdrejtë
Shpëtimit
Të qëndroni në ambiente të mbyllura

• Inhalacioni (thithja me hundë) apo gëlltitja
Ekspozimi është zakonisht i shkurtër, gazrat shkrihen në atmosferë
Shpëtimi
Mbuloni rrugët e frymëmarrjes

• Rrezatimi
Ekspozimi ndodh në terrenin e kontaminuar
Shpëtimi
Marrja e elementeve që luftojnë efektet e rrezatimit (jod, jodur, potas)

Në një vit jemi të ekspozuar nga burimet natyrale në masën 2,3 milisievert
(e barasvlershme me
150 radiografi në kraharor)
Në Japoni ekspozimi ishte
16-20 milisievert

Merkel: Gjermania kërkon kalimin në energji të tjera
Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, ka deklaruar dje se vendi i saj do të rishikojë politikën bërthamore, duke përshpejtuar tranzicionin në energjinë e ripërtërirë. Në fjalimin e saj në Parlament, Merkel bëri thirrje për “dalje të kujdesshme”, nga energjia atomike, duke premtuar se “çdo gjë do të futet nën mikroskop”, gjatë rishqyrtimit të sigurisë. Shtatë impiante gjermane u mbyllën për tre muaj që të inspektohen masat e tyre të sigurisë, pas incidentit që ndodhi në Japoni. Opozita e ka akuzuar Merkelin, se po përdor ndryshim të politikës jo të popullarizuar atomike të qeverisë, me shpresën për t’iu shmangur disfatës në zgjedhjet kryesore rajonale, në fund të muajit.

Obama: Nuk presim radioaktivitet në SHBA
Presidenti amerikan, Barak Obama, tha dje se nuk do të ketë re të rrezikshme radioaktiviteti nga incidentet nukleare japoneze në territorin amerikan. Deklarata u bë pas shqetësimit në rritje të popullatës me raportimet mediatike, se reja nukleare ka nisur të përhapet dhe brenda pak orëve do të jetë në SHBA. Sidoqoftë, Obama tha se nuk ka asnjë plan që vendi i tij të heqë dorë nga energjia nukleare. “Duhet të bëjmë një rishikim të impianteve pas asaj që ndodhi në Japoni, por energjia nukleare është pjesë e së ardhmes sonë energjetike”, tha Presidenti amerikan. Obama ka firmosur dje librin e ngushëllimeve në ambasadën e Japonisë në Uashington.

Ban Ki Mun: Shqetësim për situatën e rëndë
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka marrë dje një raport të detajuar mbi situatën e centraleve nukleare në Fukushima, nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, japonezi Yukiya Amano. Ban Ki Mun dhe Amano, që punon në zyrat e OKB-së në Vjenë, kanë diskutuar edhe mbi udhëtimin e drejtorit të ANEA në Japoni. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka shprehur shqetësimin e tij të madh për situatën e rëndë të centraleve nukleare dhe ka shprehur vlerësim për ndihmën që po ofron ANEA për autoritetet japoneze, me qëllimin për të mbajtur nën kontroll incidentet nukleare në Japoni.

Sarkozi: Vizitë solidariteti në emër të Francës
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i ka ofruar Japonisë një vizitë në shenjë solidaritetit, në emër të Francës, por edhe G8-ës dhe G20-ës, në të cilat Franca ka presidencën e radhës. Sarkozi ka theksuar se do të kalojë nga Tokio në kuadër të vizitës së tij në Nankino më 31 mars, vetëm nëse qeveria japoneze do ta mirëpresë këtë mundësi. Franca ka shprehur gatishmërinë për të pritur dhe kuruar japonezët e kontaminuar nga radioaktiviteti nuklear. “Franca do të jetë e gatshme të mirëpresë të gjithë ata japonezë që kanë nevojë për kura, të cilat nuk mund t’i marrin aktualisht  në Japoni”, tha dje ministri i Brendshëm francez, Claude Gueant.

© Panorama.al

Te lidhura