Byroja dënon 3 javë Taulant Ballën

Mar 5, 2011 | 13:27

Byroja e Kuvendit mori dje vendimi për përjashtimin e tij nën debate të ashpra mes përfaqësuesve të PS-së e atyre të PD-së. Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, dhe deputeti i PS-së, Erjon Braçe, morën pjesë në mbledhje me dyer të mbyllura të Byrosë. Mësohet se Braçe e Dokle kanë debatuar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për këtë përjashtim. Sipas tyre, përjashtimet po ndodhin si pjesë e një dhune verbale ndaj deputetëve dhe për më tepër në shkelje të Rregullores e Kushtetutës. Por nga ana e saj, Topalli ka kërkuar një standard të përbashkët për të mos lejuar shpifjet në Kuvend nga ana e deputetëve. Ajo ka paralajmëruar se nëse do të ketë deklarata të ngjashme, atëherë do të merren masa me përjashtim dhe prerje të pagës për deputetët. Sipas saj, deputeti Balla shpifi në Kuvend dhe dënimi është i drejtë. Në këtë pikë, dy deputetët e PS-së kanë deklaruar se deputeti në bazë të Kushtetutës nuk mban përgjegjësi për deklaratat e tij në Kuvend. Sipas tyre, kryetarja e Kuvendit është kthyer në gjykatë, duke vendosur se Balla ka shpifur, në një kohë që një vendim të tillë mund ta marrë vetëm Gjykata e Lartë. Kryetarja e Kuvendit ka thënë më tej se deputeti Balla fyeu rëndë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar dhe se Rregullorja e përmban përjashtimin nëse ka fyerje. Por deputetët e PS-së thanë se ndaj tyre ka pasur fyerje nga kryeministri Berisha apo nga ministra të tjerë të kabinetit, por nuk janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, i ka kujtuar Topallit akuzat e rënda të kryeministrit Berisha ndaj mjaft prej deputetëve të selisë rozë. Sipas tij, ky është një standard i dyfishtë. Mësohet se në mbledhjen me dyer të mbyllura, Topalli të ketë thënë se socialistët nuk kanë kërkuar zyrtarisht që kreu i qeverisë të penalizohet. Duke mos u pajtuar me këtë mbledhje, deputetët e PS-së kanë bërë të ditur se ata do të marrin iniciativa zyrtare për penalizmin e deputetëve të PD-së që lëshojnë akuza personale ndaj kreut të PS-së apo kundrejt çdo deputeti tjetër. Një gjë e tillë u bë e ditur në Kuvend në seancën e një dite më parë nga deputeti i PS-së, Erjon Braçe. Nëse deputetët e PD-së do të lëshojnë akuza personale ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, atëherë 7 deputetë të PS-së, siç e thotë rregullorja e Kuvendit, do t’i kërkojnë Byrosë që të përjashtojë deputetin. “Neni 62 i rregullores thotë që ‘anëtarët e Kuvendit nuk duhet të ndërpresin fjalën e drejtuesit të seancës plenare ose të diskutuesve të tjerë, të përdorin gjuhë ofenduese dhe joparlamentare në Kuvend, të ndërmarrin sulme personale, apo veprime ndaj ndonjë deputeti, të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo, të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit”. Moderoni diskutimet me sulme personale ndaj deputetëve në sallë, apo ndaj personave të tjerë jashtë kësaj salle. Përndryshe, për çdo diskutim, 7 deputetë të PS do t’ju propozojnë përjashtimin nga seanca”, ka thënë Braçe.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura