Buxheti, “humbin” paratë e pronarëve

Nov 8, 2011 | 11:01

Në fund të dhjetorit të këtij viti, buxheti i shtetit do të shkurtohet sërish. Akti normativ, një vendim tashmë i kthyer në rutinë të përvitshme nga qeveria, do të korrigjojë jo pak por rreth 140 milionë dollarë të ardhura më pak dhe po aq shpenzime.  Gazeta zbardh sot vendimin e fundit të qeverisë për miratimin e kuadrit makroekonomik deri në vitin 2014. Në tabelë mund të shikohet qartë se si qeveria, edhe pse me deklarata është ende optimiste, me shifra e ka korrigjuar dhe pranuar se ky vit është një vit krize. Financat parashikojnë që në fund të vitit të mbledhin 14.1 miliardë lekë më pak, sesa buxheti i miratuar në korrik të këtij viti. Po ta krahasosh me buxhetin fillestar, optimizmi qeveritar i asaj kohe merr nuanca qesharake. Në fund të dhjetorit, kur qeveria pritet të miratojë me shpejtësi aktin normativ për buxhetin, shifrat parashikohen të jenë turpëuese. Nga 362 miliardë lekë të ardhura, do jenë mbledhur 329 miliardë, ose 32 miliardë më pak. Nga 408 miliardë lekë shpenzime, do jenë shpenzuar 376 miliardë, ose 31.9 miliardë më pak. Nga 82 miliardë lekë investime, do jenë realizuar 69 miliardë, ose 13 miliardë më pak. Nga këto shifra, të publikuara dhe miratuara nga vetë qeveria, del qartë se sa e besueshme është kjo e fundit, kur flet për buxhetin e ri.
Preken fondet për pronarët dhe të përndjekurit
Prekja e fondeve për të përndjekurit dhe më keq akoma, mosshpërndarja e parave për ish-pronarët, e tregojnë qartë krizën e financave. Qeveria parashikon që në fund të këtij viti të ketë mbledhur 1.954 miliardë lekë për ish-pronarët. Këto janë para që vijnë nga legalizimet dhe parashikohet të shpërndahen për pronarët që i janë zënë tokat. Shifra është rreth 5.4 milionë USD më e madhe sesa parashikimi. Por çuditërisht, qeveria parashikon që të mos i shpërndajë të gjitha këto para. Nga 19.5 milionë USD të mbledhura, qeveria do të ndajë vetëm 13 milionë USD, edhe pse vetë ishte parashikuar të shpërndante 17 milionë USD. Pra, do kursejë 6.5 milionë USD. E njëjta gjë ndodh edhe me të përndjekurit. Nga 18 milionë USD që ishin parashikuar të shpërndaheshin për dëmshpërblim, do të shpërndahen vetëm 16 milionë USD, ose 2 milionë USD më pak. Në total, nga dy grupet kryesore ku mbështetet qeveria e djathtë, kjo e fundit po kursen 8.5 milionë USD.
Të ardhurat
Të ardhurat nga tatimet e doganat pritet që në dhjetor të jenë 98 milionë USD më pak sesa parashikimi. Pjesën tjetër të minusit në arkën e shtetit e mbulon mungesa e 35 milionë USD në zërin e ndihmave. Buxheti pritet të kontribuojë me 27 milionë USD më pak. Çuditërisht, të ardhura që mblidhen nga ALUIZNI, për kompensimin e pronarëve kanë një rritje me rreth 5 milionë USD. Çka do të thotë se shumë shpejt, në fund të vitit, qeveria mund të miratojë një tjetër listë pronarësh që kompensohen. Një pjesë të paaftësisë së saj për të realizuar parashikimet e veta, qeveria do e mbulojë nga të ardhurat jo tatimore. Këtu futen dividenti dhe të ardhurat që vijnë nga fitimi i Bankës së Shqipërisë. Ka shumë mundësi që kjo e fundit të japë kontributin e saj në shifrën prej 37 milionë USD që do të shtohen.
Shpenzimet
Sa më pak para të mbledhësh, aq më pak do të shpenzosh. Në rast se qeveria meriton një lavdërim për vitin 2011, është se nuk ka rritur borxhin. Paaftësinë për mbledhjen e parave e ka përkthyer në uljen e shpenzimeve. Tabela tregon qartë se në fund të vitit, shpenzimet kapitale do të jenë 41 milionë USD më të vogla. Kjo përkthehet me 41 milionë USD më pak punë publike dhe investime të tjera. Por nuk është ky i vetmi zë që do të rishikohet me aktin normativ të fundvitit. Edhe shpenzimet korrente janë prekur me afërsisht 42 milionë USD. Po t’i krahasosh me fillimvitin, fondet janë shkurtuar në mënyrë të frikshme. Qeveria ka hedhur 127 milionë USD më pak për investime, sesa kishte premtuar në dhjetorin e kaluar dhe ka shpenzuar po kaq më pak për shpenzime korrente.

Krahasaimi i buxheteve

Buxheti i ri, Berisha: Borxhi e deficiti, në nivele të shëndetshme
Kryeministri Berisha u shpreh dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i madhi që ka miratuar Parlamenti ndonjëherë. Nga ana tjetër ai theksoi se buxheti do të jetë konservator në ruajtjen e parametrave të stabilitetit ekonomik. Kështu, borxhi dhe deficiti do të ruhen në nivele të tilla që janë të pranueshme botërisht, apo siç njihen, nivele të shëndetshme për ekonominë. Pavarësisht konservatorizmit të buxhetit, sipas Berishës, fondet e parashikuara janë të mjaftueshme për të mbajtur premtimet që kjo qeveri i bëri popullit dhe programin që i paraqiti. Më në detaje kreu i qeverisë u shpreh se do të vijohet me politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve, si një prej premtimeve të mbajtura. “Kjo është një politikë konstante jona. Natyrisht, me një çmim të padiskutueshëm. Mund t’ju them vetëm kaq: se nga vjet e deri sivjet, fatura e pensioneve rritet me 80 milionë dollarë”, tha Berisha para deputetëve. Ndërkohë që përveç rritjes së pensioneve do të vijohet edhe me rritjen e pagave të administratës apo investimet në infrastrukturë. Një tjetër synim i qeverisë është që për 100-vjetorin e Pavarësisë të arrihet maksimumi për Shqipërinë dixhitale. Lidhur me këtë pjesë, më herët, gjatë një tjetër konference për zhvillimin e shoqërisë së informacionit, në kuadër të e-SEE, Berisha u shpreh se vitin që vjen do të jepen edhe dy licenca të tjera 3G.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura