Burg përjetë Aldo Bares për 6 vrasje

Mar 29, 2011 | 10:49

Aldo Bare, i akuzuari si “kreu” i Bandës së Lushnjës,  organizatës famëkeqe kriminale që ngjallte tmerr dhe terror në qytetin myzeqar pas korrikut të vitit 1997, u dënua dje me burgim të përjetshëm.Gjykata për Krimet e Rënda e deklaroi Baren fajtor për autorësinë e një sërë veprave të rënda penale, përfshi atë të “vrasjes me paramendim”. Vendimi i fajësisë ndaj Bares, emri i mëparshëm i të cilit ka qenë Alfred Shkurti, u shpall nga një trupë gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Sipas vendimit, Bare u dënua me një burgim të përjetshëm, nga disa të tillë të kërkuar nga Prokuroria në fazën e konkluzioneve përfundimtare të Akuzës. Ndërsa për veprat e tjera, ai u dënua me një total prej 146 vjetësh heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, përfundimisht ai u dënua me burgim të përjetshëm. Vetë Bare, i pranishëm në kafazin e sallës së gjyqit, e priti me një qetësi të admirueshme vendimin, i cili nëse lihet në fuqi në shkallët e mëtejshme të gjyqësorit mund ta mbajë në qeli për pjesën tjetër të jetës. Me verdiktin e djeshëm, pas 48 seancash gjyqësore, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i dha fund shqyrtimit gjyqësor të një nga emrave më të përmendur të “bandave” të krijuara në vend pas vitit 1997. Sipas Prokurorisë, Banda e Lushnjës tentoi të dublonte shtetin në Lushnjën e viteve 1997-2005.
VENDIMI
Pasi të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë për shpalljen e vendimit, kryesuesja Hajdari tha dje se do të lexohej dispozitivi i tij. Kjo për shkak të volumit të madh të vendimit të arsyetuar, totali i të cilit arrinte në 140 faqe. Sipas vendimit, gjykata sqaroi se ndaj Aldo Bares kishte ndryshuar kualifikimi i veprës penale në dëm të Genci Kasharit dhe Artur Dajës, nga “vrasje me paramendim” dhe “vrasje me paramendim, mbetur në tentative” në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, në bashkëpunim”. Për këtë vepër penale Bare u dënua me 23 vjet burg. Në vijim, sipas vendimit, ai u dënua me burgim të përjetshëm për “vrasjen me paramendim” të Xhevat Demirit. Për “vrasjen me paramendim” ndaj Nimet Zenelit u dënua me 25 vjet burgim. Për dy raste të “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj Gramoz Selamnit dhe Masar Aliut u dënua me nga 25 vjet burg. Për “vrasjen me paramendim” të Masar Aliut u dënua me 25 vjet heqje lirie. Referuar verdiktit të gjykatës, të gjitha veprat e mësipërme, me përjashtim të asaj ndaj Genci Kasharit e Artur Dajës, janë kryer në kuadër të organizatës kriminale. Po sipas vendimit, Bare u dënua me 5 vjet heqje lirie për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit, me 10 vjet burg për “shkatërrim të pronës me zjarr” të banesës së Shkëlqim Haxhiut dhe me 8 vjet burg për “krijim të organizatës kriminale”. “Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal ‘Caktimi i dënimeve për disa vepra penale’, gjykata në përfundim i jep dënimin e vetëm ‘burgim të përjetshëm’ të pandehurit Aldo Bare”, thuhej në vendimin e gjykatës. Gjykimi ndaj Aldo Bares në Gjykatën për Krimet e Rënda nisi në 21 korrik të vitit 2009, pak pasi ai u ekstradua nga Turqia, vend ku u arrestua në vitin 2006.

Akuzat dhe dënimet

– “Vrasje në rrethana te tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” në bashkëpunim kundër shtetasit Genci Kashari e Artur Daja, 23 vjet burgim

– “Vrasje me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, në kuadër të Organizatës Kriminale, burgim të përjetshëm

– “Vrasje me paramendim” të shtetasit Nimet Zeneli, në kuadër të Organizatës Kriminale, 25 vjet burgim

– “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë të shtetasit Gramoz Selmani, në kuadër të Organizatës Kriminale, 25 vjet burgim

– “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë të shtetasit Masar Aliu, në kuadër të Organizatës Kriminale, 25 vjet burgim

– “Vrasje me paramendim” të shtetasit Masar Aliu, në kuadër të Organizatës Kriminale, 25 vjet burgim

– “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, 5 vite burgim

– “Shkatërrimi i pronës me zjarr” të banesës të shtetasit Shkëlqim Haxhiu, 10 vite burgim

– “Krijimi i organizatës kriminale”
8 vite burgim

Bare pret i qetë vendimin e gjykatës

I veshur me kostum dhe me kravatë, si në të gjitha seancat e këtij procesi, Aldo Bare nuk shfaqi asnjë reagim gjatë kohës që gjykata e deklaroi fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm. Ndryshe nga seanca të tjera të procesit, ku ai ka reaguar ashpër apo me batuta ndaj akuzave, dje ai dëgjoi qetësisht vendimin. Në përfundim, ai shkëmbeu pak fjalë me avokatin, ndërkohë që qëndronte i buzëqeshur.

 

ARMANDO BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura