Burg biznesmenit të “200 kg kokainë”

Mar 27, 2011 | 9:49
Dhimitros Harisis në gjykatë

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Dhimitër Harisis, i arrestuar në lidhje me ngarkesën e dyshuar, 200 kilogramë kokainë, të kapur në Gjirokastër.Sipërmarrësi që njihet edhe me emrin Vullnet Harizi, sipas Prokurorisë është i dyshuar si porositësi i ngarkesës së vajit të palmës në Spanjë brenda të cilit ishte tretur 200 kilogramë kokainë kolumbiane, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dje ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për akuzën e “trafikut ndërkombëtar të narkotikëve”. Para Gjykatës, Harisis pohoi se kishte porositur vetëm vajin, që do të përdorej në fabrikën e kroasantëve në Gjirokastër dhe se nuk kishte dijeni mbi drogën apo linjën e trafikut. Biznesmeni Harisis u arrestua pas bllokimit të një konteineri me ngarkesë vaj palme e ardhur nga Kolumbia, brenda të cilit dyshohej se ishte tretur super sasia e kokainës. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme në 22 mars. Rrugëtimi i maunes ka qenë: Kolumbi-Spanjë-Belgjikë, Austri-Slloveni-Kroaci-Serbi-Maqedoni-Shqipëri. Më pas, rezultoi se bidonët e vajit janë ndërruar në Amversë të Belgjikës, duke e lënë aty edhe sasinë e drogës, por itenerari i maunes nuk është “prishur”.
SEANCA
Pak minuta pasi Dhimitër (Vullnet) Harisis u shfaq dje në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit, i shoqëruar nga dy punonjës policie, kryesuesi i seancës, gjyqtari Fran Prendi kërkoi boshatisjen e sallës nga publiku. Prokuroria kishte kërkuar seancë me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor të çështjes. Gjatë konfirmimit të gjeneraliteteve, Harisisit iu tërhoq vëmendja që duhet të qëndronte në këmbë kur të komunikonte me Gjykatën. “Më falni, por nuk kam qenë ndonjëherë në gjykatë”, u shpreh biznesmeni. Vendimi i ndërmjetëm për seancë me dyer të mbyllura u mor pas kërkesës së prokurorit, Adnand Xholi. Prokurori Xholi pretendoi se publikimi i seancës do të dëmtonte rëndë vijimësinë e hetimeve. Burime pranë seancës bënë të ditur se prokurori lexoi para palëve akt-akuzën, sipas së cilës i arrestuari Harisis dyshohet të ketë porositur lëndën narkotike. Në përfundim, prokurori ka kërkuar caktimin e masës “arrest me burg” pa afat për të pandehurin Harisis, duke argumentuar se ekzistonin prova që faktonin përfshirjen e tij në trafikun e drogës. Ndërkohë, mbrojtësi i biznesmenit, avokati Ardian Leka, ka pretenduar dje se klienti i tij nuk kishte lidhje dhe as dijeni për praninë e lëndës narkotike në kamionin e bllokuar. Pretendimet e avokatit janë mbështetur më pas edhe nga vetë i dyshuari Harisis. “Kam porositur vaj, dhe jo kokainë. Nuk kam lidhje me asnjë rrjet trafiku dhe nuk di gjë për drogën”, mësohet të jetë shprehur i pandehuri para Gjykatës. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtari Fran Prendi ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Dhimitër (Vullnet) Harisisit.

Biznesi

Sipas të dhënave zyrtare nga QKR-ja, i pandehuri Harisis rezulton të jetë pronar i një shoqërie të quajtur “HARISIS” sh.p.k. Po sipas të dhënave, si datë e themelimit të saj është 3.05.2001, ndërsa statusi i saj aktual
është ai “aktiv”.

Ngarkesa me kokainë u zëvendësua në Belgjikë

TIRANË – Itinerari që ka përshkruar maunia me targa maqedonase, në të cilën u deklarua se ishte bllokuar ngarkesa me 200 kg kokainë, ka qenë mjaft i ndërlikuar. Mjeti i transportit ka kaluar në shtatë shtete, duke mbërritur së fundi në Shqipëri. Informacioni për lëndën narkotike nuk ka qenë rezultat i punës së Prokurorisë apo policisë shqiptare. Në datën 18 mars mësohet se është vënë në dijeni Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Shqipërisë. Informacionet kanë mbërritur nga Spanja dhe Belgjika dhe ato sugjeronin se gjatë javës, në maunen me targa maqedonase, pritej të mbërrinte në Shqipëri ngarkesa prej 200 kilogramë kokainë. Prokuroria shqiptare e ka marrë çështjen me seriozitet. Aktet i kaluan menjëherë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme autorizoi përdorimin e metodave speciale të hetimit. Kokaina si zakonisht ka pasur për vend burimi Kolumbinë, ndërkohë, vaji i palmës që ishte porositur të vinte në Shqipëri, është blerë në një lokalitet të Spanjës. Nuk dihet për çfarë arsyesh maunia gjatë rrugëtimit për në Shqipëri ka ndaluar për disa orë në Belgjikë. Është pikërisht Anverpi, qytet i Belgjikës, ku dyshohet se është kryer ndërrimi i ngarkesës së lëndës narkotike. Prokuroria dhe policia shqiptare ende nuk kanë realizuar një ekspertizë që të provojë se ka kokainë të tretur në fuçitë prej druri, që janë bllokuar në karrocerinë e maunes me targa maqedonase në Gjirokastër. Falë një skeme të ndërlikuar të trafikantëve apo një dekonspirimi, dyshohet se enët ku ndodhej vaji i palmës me kokainën e tretur janë ndërruar në Belgjikë. Droga dyshohet se ka mbetur atje, ndërsa drejt Shqipërisë ka udhëtuar ngarkesa e zëvendësuar me vaj palmash të pastër. Sipas hetuesve, këtë skenar pritet ta verifikojë vetëm ekspertiza mbi lëndën e sekuestruar në Gjirokastër.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura