Bulqizë, minatorët: Nuk do t’i çojmë fëmijët në shkollë

Sep 3, 2011 | 11:04
Nga protesta e minatorëve të Bulqizës

BULQIZE – Pas dy muajsh ndërprerje të punës, minatorët e Bulqizës kanë ndërmarrë të tjera nisma. Dje ata kanë kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të ngrejë një komision parlamentar, ndërkohë kanë kërcënuar se nuk do t’i lejojnë fëmijët e tyre të nisin vitin e ri shkollor, duke e argumentuar këtë me faktin se nuk kanë lekë për blerjen e librave dhe rrobave. Ky vendim i ri doli nga mbledhja e fundit e sindikalistëve. Sipas tyre, 700 minatorët që firmosin prej dy muajsh nuk kanë asnjë mundësi financiare për t’i dërguar fëmijët në shkollat 9-vjeçare, të mesme apo të larta. Protesta paqësore nisi rreth orës 07:00 dhe përfundoi pasdite, në orën 15:00. Në orët e paradites është mbledhur këshilli sindikal dhe komisioni i protestës dhe ka diskutuar në lidhje me lëvizjen sindikaliste të javës së ardhshme. Drejtues të Konfederatës janë të rezervuar për të dhënë detaje të vendimeve të marra, por dy nga këto vendime ata i bënë publike nëpërmjet kreut të KSSH-së, Kol Nikollaj. Ai tha se minatorët kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor pranë Kuvendit të Shqipërisë për të parë me kujdes zbatimin e marrëveshjes koncesionare mes kompanisë “Albanian Chrome” dhe palës shqiptare. “Minatorët, – theksoi Nikollaj, – kuptojnë qartë se kontrata nuk është zbatuar dhe se firma e huaj duhet t’i nënshtrohet një hetimi parlamentar, sidomos në lidhje me investimet. Ndryshe deklarohet në media nga përfaqësuesit e ACR-së, ndryshe është realiteti në minierën e Bulqizës. E kemi theksuar edhe herë tjetër, blerjet e makinerive dhe pajisjeve janë bërë me fatura fiktive, duke abuzuar me firmën austriake. Ne kemi dhënë fakte të abuzimit, ndërkohë kërkojmë që kjo të vërtetohet dhe nga parlamentarët”, nënvizoi Nikollaj. Minatorët shkojnë më tej kur thonë se duhet hetuar me transparencë edhe zhvillimi i tenderit për dhënien me koncesion të minierës. Ata janë të informuar se firmat konkurrente kanë deklaruar se ka pasur shkelje të rënda ligjore gjatë zhvillimit të tij. Sipas sindikalistëve, disa herë ata i janë drejtuar prokurorisë për hetimin e firmës austriake, por gjithçka ka mbetur pezull, pa përgjigje.                               h.p

© Panorama.al

Te lidhura