Bulqizë, ACR fton minatorët: Firmosni, gati paga e 13-të

Sep 2, 2011 | 9:34
Minatorët e Bulqizës, gjatë protestës së djeshme

Dje ata janë tubuar pranë portës hyrëse të ACR-së dhe kanë deklaruar se nga e hëna mund të nisin grevën e urisë ose të bllokojnë rrugën nacionale. Rreth mesditës së djeshme, ACR-ja ka kërkuar që minatorët të kthehen në vendet e tyre të punës. Ndërkohë, kanë përsëritur akuzat e mëparshme ndaj presidentit të KSSH-së, Kol Nikollaj, duke e konsideruar atë shkaktarin e protestave dhe grevës së urisë. Në deklaratën e bërë publike thuhet: “Kompania ‘ACR’ i fton minatorët të paraqiten pranë administratës së minierës së Bulqizës për të firmosur kontratat e reja individuale të punës. Në këto kontrata përfshihet edhe rritja 20% e pagës, garancitë për përmirësimin e kushteve të punës dhe informimin e vazhdueshëm të planit të investimeve”. Firma e huaj përmend problemet e mëdha financiare që përjeton, por shton se është e gatshme t’u japë minatorëve rrogën e 13-të, si një formë parapagimi. “ACR dëshiron t’u vijë në ndihmë minatorëve për të përballuar vështirësitë në të cilat i kanë futur disa njerëz të papërgjegjshëm të udhëhequr nga Kol Nikolla”, theksohet në njoftimin për shtyp të ACR-së. Është e disata herë që kompania austriake sulmon krerët e sindikatave dhe ka deklaruar se nuk ulet në bisedime me krerët e saj. Pas njoftimit të ACR-së kanë reaguar minatorët e Bulqizës. Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, tha për gazetën “Panorama” se komisioni i grevës dhe këshilli sindikal janë optimistë se pas dy muajsh grevë e protestë janë pjekur kushtet për nënshkrimin e marrëveshjes mes kompanisë koncesionare dhe minatorëve. Në lidhje me deklaratën e fundit të ACR-së, Koleci thotë se ajo është refren i deklaratave të mëparshme. “Minatorët janë ngopur me fjalë, ata tani kërkojnë zgjidhje të kërkesave të tyre. Ne jemi të gatshëm të ulemi në bisedime dhe të nënshkruajmë marrëveshje me ACR-në. Kushtet e vëna nga ana jonë janë bërë tashmë publike. Ato janë plotësisht të realizueshme. Duhet vetëm dëshira e pronarëve të firmës austriake. Protesta ka zgjatur kaq shumë sa nuk pritej”, tha Koleci. Ai shtoi se minatorët janë të habitur me kërkesën e ACR-së për nënshkrimin e një kontrate individuale nga minatorët. “Është totalisht shkelje e rëndë ligjore kërkesa e ACR-së që minatorët të nënshkruajnë kontratë individuale me administratën e minierës. Kur ka greva e protesta nuk nënshkruhen kontrata pune. Pastaj, nuk duhet harruar se kontrata individuale mbështetet në kontratën kolektive, të cilën minatorët e Bulqizës e kanë nënshkruar me ACR-në”, nënvizoi Koleci. I pyetur se në ç’fazë janë marrëdhëniet mes minatorëve dhe ACR-së, Taf Koleci tha se tonet janë ulur disi, por që minatorët t’i kthehen punës, duhet që firma e huaj t’u zgjidhë atyre kërkesat.

© Panorama.al

Te lidhura