Buka e mishi, me ngjyrues artificial

Mar 29, 2011 | 11:56
Specialistja e sektorit të inspektimit në AKU, Edi Misja

Bukë, mish, vaj. Tri produkte bazë të tryezave tona familjare. Duhet të jenë më të shëndetshmet, aq më tepër për një popull që e ka në traditë përdorimin e tyre më shumë se të tjerët.”Të paktën të ngopim barkun me bukë”, është një nga shprehjet që haset shpesh në çdo cep të vendit. Më shumë në sofrat e varfra, ku paga mujore nuk mjafton. Por, edhe bukës i është gjetur marifeti. E bashkë me të edhe mishit e vajit. Përpos tyre, dhjetëra produkteve të tjera. Shtohen konservantë, ngjyrues të cilët artificialisht rrisin volumin, por nga ana tjetër kërcënojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve. Kur alarmi ngrihet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, të gjithë risjellim në mendje disa raste. Episode kur buka, pa kaluar mirë dita, na është dukur “kashtë”, apo vaji aq “safi” në dukje, ka pasur një shije të tmerrshme, apo edhe kur sallami e mishi se pse kishin një lloj arome. Ky është realiteti në tregun e produkteve ushqimore shqiptare, ku konkurrenca dhe mania për të fituar ka arritur deri në atë pikë, sa të luhet me shëndetin e qytetarëve. Deri tani, sidomos për bukën, nuk janë bërë asnjëherë analiza se çfarë përbërësish ka. Prodhuesit e gatuajnë brumin si t’u teket, duke hedhur maja tej normave apo ngjyrues. Problemin e ngrenë vetë përfaqësuesit  e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilët theksojnë se kanë nisur kontrollet për të identifikuar se çfarë konservantësh përdoren e nëse janë apo jo brenda standardeve. “Më problematiket mbeten buka, vaji por edhe mishi e pijet freskuese. Çdo produkt i ambalazhuar ka përbërës konservantësh, por problemi është te masa, te cilësia e këtyre konservantëve e përbërja e tyre”, sqaron Edi Misja, specialiste në sektorin e inspektimit të ushqimeve në AKU.
Konservantët
Ndonëse ka një listë të konservantëve që lejohen të përdoren, tejkalimi i masës mund të shkaktojë probleme serioze. “Mund të ketë shtesa që shtojnë jetëgjatësinë e produktit, ngjyrën. Ka ardhur momenti që prodhuesi duhet t’i deklarojë, që ne të shohim nëse këto produkte janë të lejuara ose jo. Çdo gjë që shtohet jashtë masave të caktuara është e dëmshme”, tha Misja. Ajo shtoi se dyshime për ngjyrues e konservantë ka edhe për vajin e mishin. “Kryesisht janë zbuluar raste kur vajit të lulediellit i është shtuar ngjyrues, për ta bërë të duket si vaj ulliri, por edhe mishit”, thotë specialistja e sektorit të inspektimit në AKU. Ajo u bën apel konsumatorëve të bëjnë kujdes. Drejtues të AKU-t kanë nisur kontrollin e tregut për të gjithë, por nga ana tjetër kërkojnë që edhe buka të tregtohet e shoqëruar me etiketë. “Ne do këmbëngulim hap pas hapi dhe do kërkojmë që buka të bëhet me etiketë, bizneset të bëjnë kërkesë dhe të pranojnë etiketën për bukën apo produktet e tjera që vijnë nga furrat. Gjithashtu, do vazhdojmë me kontrollin e kushteve të higjienës ku prodhohet ajo”, theksoi Misja. Përveç etiketës, specialistët kërkojnë që buka e freskët të mos tregtohet nëpër qese plastmasi, por në qese letre. AKU ka vetëm pak muaj që ka nisur aktivitetin e saj dhe drejtues të saj shprehen se kontrollet për bukën nuk janë përqendruar vetëm tek furrat e bukës, por në të gjithë zinxhirin e saj. Nga ana tjetër, fabrikave prodhuese të sallamit dhe të vajit do t’u kërkohet që t’u vënë në dispozicion inspektorëve etiketat përkatëse të përbërësve që kanë produktet. “Kjo, në mënyrë që të bëjmë analizat dhe të kemi mundësi të krahasojmë se ku abuzohet”, shprehet Misja.

Mielli i bardhë kthehet në bukë të zezë
Miell i lirë i bardhë dhe i një cilësie të dobët. Prodhuesit i shtojnë ngjyrues dhe qytetarëve u serviret një bukë e zezë, shpesh edhe dietike. Shqetësimi është ngritur më parë nga shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve, ndërsa tani vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se abuzohet me sasinë e majasë dhe ngjyruesit.

Vaji i lulediellit ngjyroset si vaj  ulliri
Nga shishja ka një ngjyrë që të bën të mendosh se është vaj ulliri “safi”. Por në fakt është thjesht vaj luledielli, të cilit i është shtuar ngjyrues. Këto abuzime bëhen në një sërë fabrikash të përpunimit dhe të ambalazhimit të vajit “Made in Albania”. Inspektorët e AKU kanë nisur kontrollet dhe analizat.

Dhjamit të grirë i shtohet ngjyrues artificial
Kryesisht ngjyruesit i hidhen mishit të grirë, që në fakt është dhjam i ngrirë. Konservantë të tjerë i shtohen mishit që përdoret për sallamet në mënyrë që të ruhet, apo për t’i dhënë shije tjetër. Këta përbërës rrezikojnë ndjeshëm shëndetin e qytetarëve, të cilët paguajnë për produkte aspak cilësore.

Pijet freskuese, konservantë tej masës së lejuar
Edhe tek pijet freskuese pa diskutim që ngjyruesit nuk mungojnë, por ka raste që janë tej masës së lejuar. Këtyre produkteve u shtohen edhe konservantë për të trashur lëngjet e ka raste edhe ngjyrues që përmbajnë kimikate. Specialistët bëjnë apel për më shumë kujdes nga konsumatorët.

20 mijë
tonë produkte janë asgjësuar për 7 muaj nga Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit. Kjo strukturë e re ka në fokus sigurinë ushqimore.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura