Britania vendos sanksione ndaj dy instituteve dhe shtatë zyrtarëve rusë për helmimin e Alexei Navalny-t

Jul 6, 2026 | 16:13

Qeveria e Britanisë së Madhe ka vendosur sanksione ndaj shtatë individëve dhe dy instituteve kërkimore ruse, të cilat akuzohen për përfshirje në zhvillimin dhe prodhimin e armëve kimike të përdorura në helmimin e opozitarit rus Alexei Navalny dhe të shtetases britanike Dawn Sturgess.

navalny

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, individët dhe institucionet e sanksionuara kanë qenë të përfshira në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e agjentëve nervorë vdekjeprurës, përfshirë Novichok dhe epibatidinën, substanca që lidhen me helmimin e Navalny-t dhe Sturgess.

Në deklaratë thuhet se përdorimi i përsëritur i armëve kimike nga Rusia përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një kërcënim serioz për sigurinë globale.

Në shkurt, Britania e Madhe, së bashku me Suedinë, Francën, Gjermaninë dhe Holandën, akuzuan Moskën për helmimin e Navalny-t me një toksinë të rrallë, epibatidinë. Navalny ndërroi jetë në vitin 2024 në rrethana të dyshimta, ndërsa ndodhej në burg.

Dawn Sturgess, një 44-vjeçare britanike, humbi jetën në korrik të vitit 2018 pasi u ekspozua ndaj agjentit nervor Novichok. Ajo konsiderohet viktimë anësore e sulmit ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia Skripal, në Salisbury të Anglisë. Skripalët i mbijetuan sulmit, ndërsa Sturgess u helmua pasi partneri i saj gjeti në një kosh mbeturinash një shishe që përmbante substancën toksike dhe ia dha asaj duke menduar se ishte parfum.

Ky incident shkaktoi një krizë të rëndë diplomatike mes Londrës dhe Moskës, e cila çoi në dëbimin reciprok të diplomatëve.

Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se përdorimi i armëve kimike nga Rusia është “një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë globale”.

Dy institucionet e vendosura nën sanksione janë SC Signal dhe GNIII VM, ndërsa shtatë individët e sanksionuar janë drejtues të këtyre instituteve.

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 3,400 individëve dhe organizatave të lidhura me Rusinë.

© Panorama.al

Te lidhura