Bregasi: Hapat për të dalë nga spiralja e krizës ekonomike

Mar 10, 2011 | 10:10

“Në Shqipëri kriza vjen vonë dhe ikën vonë, por gjithsesi mendoj se ndikimet e saj mund të minimizohen nëpërmjet uljes së shpenzimeve, reduktimit të taksave, politikave ndihmëse dhe lehtësi për nxitjen e eksporteve, rritjes së investimeve nga ana e shtetit, thithjes së investimeve të huaja etj”
Ju jeni zgjedhur president i “Biznes Albania”. Aktualisht ka me dhjetëra shoqata biznesi në vend. Pse duhej krijuar një e re?
Shoqata “Biznes Albania” e themeluar para 3 javësh, nuk është një shoqatë e re që i shtohet zinxhirit të shoqatave të biznesit, por është një bashkim i 20 e më shumë shoqatave të biznesit në një shoqatë të madhe ombrellë, e cila, sigurisht, nuk do të ketë kuptimin e ombrellës, por të një promotori tashmë me një fuqi më të madhe në mbrojtje të interesave të sipërmarrjes private.
Shoqatat që e përbëjnë atë janë realisht të mëdha, me peshë në jetën ekonomike e sociale të vendit, me profil të qartë, të pavarur dhe me eksperiencë të konsiderueshme si përfaqësues të sipërmarrjeve të tyre, të tilla si “Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë”, “Konfindustria Shqiptare”, “Dhoma e Tregtisë e Italisë në Shqipëri”, “Shoqata e Hidrokarbureve”, “Shoqata Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve”, “Shoqata Shqiptare e Prodhimit të Këpucëve”, “Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë”, “Shoqatat e Turizmit” etj.
“Biznes Albania” u krijua si nevojë e të gjithë shoqatave të biznesit për të qenë bashkë, për të qenë më të fortë, më të organizuar dhe më rezultativ në aksionet e tyre. Në mbledhjen themeluese u nënvizua një tezë shumë e drejtë: “Jemi të fortë, por në të njëjtën kohë nuk jemi të fuqishëm”. “Biznes Albania” u krijua për të qenë të fuqishëm.
A mendoni  se një bashkim i tillë i shoqatave të biznesit, pra “Biznes Albania” do të bëjë diferencën në krahasim me shoqatat e tjera? Pra do të jetë “Biznes Albania” një oponencë e qeverisë?
“Biznes Albania” nuk është krijuar për të zëvendësuar shoqatat e tjera, përkundrazi ajo ndikon në forcimin e individualiteteve të tyre, veçorive të sipërmarrjes mbi të cilën ato janë krijuar, i respekton ato dhe në të njëjtën kohë për probleme që kërkohet ndërhyrja e “Biznes Albania” në institucionet e ndryshme, zëri i tyre bashkohet, qëndrimi do të jetë më profesional, më i argumentuar dhe me formën e propozimeve për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet biznesi.
Është në misionin e saj përfaqësimi i interesave të biznesit, dhe për rrjedhojë pozicioni i të bërit oponencë për çdo lloj qeverie, do të jetë një nga objektivat e “Biznes Albania”. Sigurisht të bërit oponencë nuk është qëllim në vetvete, pasi ne mendojmë që “Biznes Albania” nuk do të qëndrojë në pozita pritëse, por do të ndërmarrë iniciativa që çojnë në rregullime ligjore dhe ekonomike të tregut.
Në takimin e krijimit të “Biznes Ambania” u fol për bashkëpunim edhe me Bashkimin Evropian. Çfarë hapash po ndiqni për t’u bërë pjesë e “Biznes Europe”, organizatës më të madhe të biznesit me qendër në Bruksel?
Duhet thënë se pjesë e iniciativës për themelimin e “Biznes Albania”, ka qenë edhe një projekt i organizatës së punëdhënësve holandez, për të krijuar organizatën partnere të “Biznes Europe” në Shqipëri. Kështu që, për organizatën e “Biznes Europe”, themelimi i organizatës sonë ishte një lajm shumë i mirë. Axhenda e shoqatës sonë do të jetë aderimi me statusin e kandidatit në “Biznes Europe” dhe ajo do të eci paralel me axhendën e Qeverisë shqiptare.
Një nga temat e përkrahura gjerësisht nga biznesi është ajo e amnistisë fiskale. Çfarë mendon “Biznes Albania” për këtë zhvillim. A i ka kushtet tani Shqipëri për këtë hap?
“Biznes Albania” mendon se asnjëherë nuk është vonë për të bërë një amnisti fiskale. Është mirë që u fillua nga puna. Nuk shpresoj në një pritshmëri të madhe, pasi në një mënyrë, Shqipëria nuk ka qenë një vend me rregulla të forta. Formalizimi i aseteve ndoshta do të ishte një arritje pozitive. Ligji duhet bërë me kujdes dhe me referenca të vendeve që e kanë aplikuar dhe kanë çliruar fonde të mëdha.
Një tjetër temë e nxehtë tashmë edhe politike është krijimi Gjykatës Administrative. Ju si bashkimi i fuqishëm biznesi, do të loboni për këtë gjykatë të re?
Faktikisht, “Biznes Albania” do ta konsideroj objektiv të rëndësishëm kalimin e projektligjit për Gjykatën Administrative. Ne do të bëjmë një lobim të hapur për këtë projekt. Fillimisht do të shohim ligjin, pasi kam kuptuar që në parim edhe opozita, që e ka refuzuar këtë ligj, është dakord, por ka disa objeksione për përmbajtjen e tij. Kështu që do të kuptojmë mirë problemin dhe pastaj do të veprojmë.
Përplasja më e madhe mes Qeverisë dhe biznesit është paketa fiskale. A ka një plan “Biznes Albania” për “mbrojtjen” e biznesit nga taksat?
E njoh këtë konstatim, nuk është kjo një nga problemet kryesore të sipërmarrjes, por megjithatë ndryshimet e shpeshta të paketave fiskale shoqërohen me probleme që sjellin paqartësi, korrigjime të planeve të biznesit etj. Kur këto rregullime fiskale çojnë në procedura lehtësuese dhe ulje të ngarkesës fiskale, ne këto i mirëpresim, por kur ato çojnë në rritjen e taksave, në rritjen e kostove të prodhimit etj., sjellin shqetësim tek biznesi. “Biznes Albania” mendon se kjo mund të rregullohet në dy mënyra: së pari, duke marrë vetë iniciativa për rregullime ligjore e fiskale dhe së dyti, duke institucionalizuar një dialog që do të respektoj më shumë biznesin.
Politikisht, njëra palë flet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik ndërsa oponenca për krizë ekonomike. Për biznesin si është situata, a jemi në krizë ekonomike?
Kriza globale sigurisht është ndjerë edhe në ekonominë tonë dhe pothuajse ka prekur të gjithë sektorët. Ndihet vështirësi në financimin e projekteve, ka pak kreditim për ekonominë, interesat e kredive janë të larta, kredi të pakthyera, ulje të shpenzimeve të popullatës, kërkesë e vogël për blerje, rritje të çmimeve të naftës, bukës, etj. Sigurisht, rrugëdaljet nga kjo situatë e vështirë ekonomike, specialistët e ekonomisë mund t’i thonë dhe artikulojnë më mirë. Unë mendoj se dalja nga kjo situatë nuk është e shpejtë. Në Shqipëri kriza vjen vonë dhe ikën vonë, por gjithsesi mendoj se ndikimet e saj mund të minimizohen nëpërmjet uljes së shpenzimeve, reduktimit të taksave, politikave ndihmëse dhe lehtësi për nxitjen e eksporteve, rritjes së investimeve nga ana e shtetit, thithjes së investimeve të huaja etj.
Një tjetër situatë politike, por jo vetëm, ishin ngjarjet e 21 janarit dhe në vazhdim. Sa kanë ndikuar në jetën e biznesit?
Në Shqipëri nga ngjarje të tilla, biznesi goditet më shumë. Sigurisht kriza politike e tejzgjatur dhe në mënyrë të veçantë trazirat e janarit, kanë krijuar tronditje të madhe tek sipërmarrja vendase dhe në mënyrë të veçantë tek investitorët e huaj. Nuk i duhej kjo që ndodhi Shqipërisë dhe ekonomisë së saj të brishtë. E keqja më e madhe sipas meje qëndron se politika shqiptare nuk ka përgjegjësinë e duhur për të kuptuar pasojat që krijojnë situata të tilla tek sipërmarrja dhe nuk ndiejnë detyrimin që janë zgjedhur dhe paguhen për t’i shërbyer vendit, biznesit dhe qytetarëve të tyre.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura