E kanë quajtur “Piano bar për 3 groshë” dhe do ta shëtisin në Durrës e në Tiranë. Sot në mbrëmje, në Teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” do të ngjitet një kolazh i një prej kryeveprave të dramaturgut Bertold Brecht dhe kompozitorit Kurt Weill. Bëhet fjalë për muzikalin “Opera për 3 groshë”, një vepër e vitit 1931. E kemi parë këtë vepër muzikore në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por kësaj here vjen në një mozaik të përkthyer dhe paraqitur nga Ardian Klosi, në shoqërinë e një pianoje. Regjisore e kësaj shfaqjeje është Charlotte Siegerstetter. Interpretojnë Altin Alla, Blerat Lesi, Fatime Shehu etj. Në piano shoqëron Gentian Rushi, vokal Olsa Papandili. Dhe pasi të jetë ngjitur në skenën durrsake, nesër në orën 18.00, “Piano Bar për 3 groshë” do të ngjitet në skenën e “Black Box” të Akademisë së Arteve në Tiranë.











