Pas më shumë se 24 orë nga gjetja e tre fëmijëve të braktisur në zonën e Porcelanit në Tiranë, nëna e tyre është paraqitur në Komisariatin Nr.4, duke kërkuar rikthimin e dy vajzave dhe djalit të mitur.Policia tha se shtetasja Violeta Kala ka kërkuar t’i tërheqë fëmijët në banesë. Ajo u paraqit në polici rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, por në vend që të merrte fëmijët dhe të kthehej në shtëpi, Violeta Kala, një ish-e dënuar për prostitucion, është përballur me një mal me pyetje në polici, ku është konsideruar në hetim si e dyshuar për veprën penale “braktisje të fëmijës”. Burime nga Policia thanë mbrëmë se ajo është mbajtur gjatë gjithë natës në rajonin e policisë dhe rrezikon që të arrestohet për këtë vepër penale. Vendimi i policisë ka ardhur edhe nga justifikimet kontradiktore që ajo jepte herë pas herë për braktisjen e fëmijëve të saj të mitur. Ndërsa mësohet se pritet që të vendosë prokurori nëse Kala do të arrestohet apo do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Aktualisht fëmijët e mitur, Manushaqe, Rexhina dhe Serxho, të moshave, 7, 6 dhe 2 vjeç, janë strehuar në Qendrën e Pritjes së Viktimave të Trafikut në Linzë, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga policia. Burimet sqaruan se gjatë deklarimeve të saj, Violeta Kala, që rezulton të jetë e divorcuar nga bashkëshorti i saj, banues në Librazhd, nuk ka dhënë sqarime rreth faktit se si tre fëmijë të mitur janë gjetur të vetëm në mes të katër rrugëve. Ajo vazhdimisht është justifikuar duke thënë “s’e di…”, për çdo gjë është pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Tre fëmijët e saj të mitur, që kishin humbur rrugën për t’u kthyer në shtëpi, u gjetën pasditen e së mërkurës në zonën e Porcelanit në Tiranë. Fëmijët, dy motra dhe vëllai, të moshave 7, 6 dhe 2 vjeç, janë parë duke qarë në rrugë, nga kryetari i Minibashkisë Nr.3, Ilir Kokona. Pasi ka biseduar me ta dhe ka kuptuar që kishin humbur, Kokona ka lajmëruar një patrullë policie të Komisariatit Nr. 4, që ka shkuar për të marrë fëmijët duke i transportuar në rajon. Burime nga Policia thanë se të njëjtët fëmijë kanë humbur edhe disa ditë më parë, por është paraqitur e ëma për t’i marrë.
Rrëfimi i nënës
Violeta Kala, nëna e fëmijëve që u gjetën të braktisur në Tiranë tri ditë më parë, sipas Policisë, pretendon se i ka braktisur fëmijët për shkak se është rrëmbyer nga disa persona. Nëna e të miturve pretendon se personat në fjalë janë shkaktarët që largimin e saj nga banesa dhe braktisjen e fëmijëve. Policia dje ka refuzuar t’i dorëzojë nënës tre fëmijët, pasi në Gjykatën e Tiranës është vendosur të ngrihet një padi për heqjen e kujdestarisë së fëmijëve. Deri në një vendim nga gjykata, fëmijët do të mbahen në një qendër sociale strehimi.
policia: Dyshimet për nënën e fëmijëve
Nëna e tre fëmijëve, të cilët u gjetën nga një zyrtar i Njësisë Bashkiake në Porcelan, ka qenë e dënuar më parë për akuzën e ushtrimit të prostitucionit. Sipas Policisë, e ëma e tre fëmijëve ka kryer një dënim më parë për ushtrim të prostitucionit, pasi është arrestuar në flagrancë duke kryer aktivitetin në fjalë. Pasi kishte përfunduar dënimin e dhënë më parë ndaj saj për akuzën e ushtrimit të prostitucionit, nëna e tre fëmijëve është transferuar në zonën e ish-farmacisë 10 në Tiranë, në një banesë me qira. Nga ana tjetër, babai i të miturve mësohet se ende nuk është interesuar në polici për fëmijët që ishin lënë vetëm dhe më pas kishin ikur nga banesa duke humbur rrugën tri ditë më parë në kryeqytet.
Rritet numri i prindërve që braktisin fëmijët
Kushtet e vështira ekonomike dhe sjellja në jetë e foshnjave pa njërin prind kanë shtuar numrin e kërkesave të nënave për dhënien në birësim të fëmijëve. Kjo vihet se më së shumti në në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Sipas burimeve zyrtare, gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë pranuar 8 fëmijë në këtë institucion dhe janë birësuar tre të tjerë, ndërkohë që janë në proces 5 dosje që po shqyrtohen nga Komiteti shqiptar i Birësimeve. Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë, Olta Ganaj, ka thënë dje se këtë vit shikohet një rritje e fëmijëve, të cilët janë me interesim nga familjarët. “Për arsye të nevojave social-ekonomike, nënave të pamartuara që sjellin në jetë fëmijë pa prindin përkrah, atëherë i bie që ka pasur shumë nga këto hyrje. Gjatë 8-mujorit që sapo mbyllëm ka pasur 8 hyrje të reja, 5 prej të cilave janë bërë me vendim të Këshillit Bashkiak dhe 3 me vendim të Komisionit të Vlerësimit të Nevojave pranë Shërbimit Social Shtetëror në Tiranë”, tha drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë. Një rritje krahasuar me një vit më parë ka pësuar edhe numri i shtetasve të huaj për të birësuar fëmijë shqiptarë.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











