Braçe kundër Ramës për bashkëpunim me Metën

Nov 19, 2011 | 11:01

TIRANE- Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, del kundër një mundësie të dytë për Ilir Metën që të bashkëpunojë me Partinë Socialiste.

Duke komentuar në Facebook deklaratën e kreut socialist Edi Rama bërë të enjten në mbrëmje në Top Story, se “…Ilir Meta ka një mundësi të dytë…”, Braçe shprehet se vendimet për bashkëpunime nuk mund t’i marrë një individ, kushto qoftë ai. “’… e ka një mundësi të dytë..’!!! Unë nuk e kam parë emisionin dje, por kam lexuar gjithë shtypin sot. Dua të them dy gjëra: E para, në një organizatë, mundësinë e parë, të dytë, të tretë… nuk e jep një individ, pavarësisht pushtetit që ka në të, mundësinë e jep organizata, por në respekt të rregullave të përbashkëta; e dyta, një vendim për një ‘mundësi të dytë’ duhet të ketë moral, shumë moral; unë kujtoj vetëm muajin janar të këtij viti, publikimin e skandalit më të madh prej 1990-s në një qeveri shqiptare, shpërthimin e zemërimit qytetar ndaj korrupsionit publik, konsumuar mu para syve të tyre, reagimin kriminal të qeverisë së përfshirë në korrupsion duke vrarë 4 qytetarë të angazhuar, opozitarë, familjarë, prindër. 21 janari është një ditë kufi për çdo politikan!”, shprehet Braçe në adresën e tij në Facebook. Për anëtarin e Kryesisë socialiste dhe njëkohësisht nënkryetar i Grupit socialist, çdo aleancë apo bashkëpunim duhet të bëhet mbi bazën e një morali. “Nuk kam dëshirë të bëj protagonistin dhe as të ndal një debat që duhet të konsumohet dhe të jetë parimor, por dua të them: Ndodh që numrat nuk kanë moral, por prodhojnë pushtet. Por unë nuk mund të pranoj që pushteti në këtë vend të kalojë nga të korruptuarit tek të njëjtët të korruptuar!”, e mbyll reagimin e tij Erion Braçe lidhur me një aleancë të mundshme të PS me LSI-në e Ilir Metës. Deputeti socialist shprehu rezervat e veta që ditën e arritjes së marrëveshjes PD-PS për ligjet me tre të pestat, duke kujtuar se asgjë nuk ka ndryshuar në jetën politike të vendit. “Pas ‘Marrëveshjes’, PS duhet të kujtojë dhe dëshmojë se është opozitë! Kujdes! Nuk ka ndryshuar gjë! Nuk ka ndryshuar gjë në Kushtetutë, deformimet e rënda të saj janë po aty!”, u shpreh Braçe pak ditë më parë.

 

 

 

© Panorama.al

Te lidhura