Bota pret në ankth pasojat e shpërthimeve nukleare

Mar 15, 2011 | 11:35

Bota i ka kthyer sytë nga Japonia, me ankthin e shpërthimeve të reaktorëve në centralin Fukushima, pasojat e të cilit nuk do të ndihen vetëm në Japoni.Shpërthimi i parë në këtë central u ndie një ditë pas tërmetit 9 ballësh, që goditi të premten Japoninë. Të hënën pati edhe një shpërthim tjetër  hidrogjeni. Ftohësit në këto impiante nuk po funksionojnë dhe përpjekjet për të pompuar ujë deti kanë dështuar. Pas shpërthimit të djeshëm në centralin numër 3 të Fukushimës, një punëtor ka mbetur i kontaminuar me lëndë radioaktive dhe 11 të tjerë janë plagosur. Rrjedhja e lëndëve radioaktive, qoftë edhe në formën e lehtë të avujve, tashmë është e sigurt. Ka rrezik që në orët në vazhdim të shpërthejë edhe reaktori numër 2 i Fukushimës. Me gjithë përpjekjet e qeverisë japoneze për të ulur tensionin mes popullsisë duke siguruar shumë herë se nuk do të ketë një Çernobil të dytë në këtë vend, frika është e madhe dhe njerëzit janë të tmerruar. SHBA, BE dhe Rusia po organizojnë takime të vazhdueshme me ekspertë të fushës dhe po bëjnë matje të vazhdueshme të ajrit për të matur nivelin e radioaktivitetit, pasi reja e dalë nga Fukushima mund të shpërndahet me anë të erës kudo. Por sipas Kryeministrit rus, Vladimir Putin, nuk ka asnjë rrezik për një katastrofë botërore nukleare. Putin ka deklaruar se Rusia nuk do ta ndryshojë programin e saj nuklear. Po ashtu edhe Turqia, edhe pse është vend me rrezikshmëri të lartë sizmike. Ministri turk i Energjisë, Taner Yildiz, tha se “ne do të vazhdojmë me ndërtimin e impianteve tona nukleare”. Reagimet brenda BE-së janë të ndryshme mbi nivelin e rrezikut në Tokio. Ndërsa Franca, një ditë më parë u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Japonia për shkak të rrezikut të kontaminimit. Britania nuk pranon ta hedhë këtë hap, duke u kërkuar qytetarëve të saj të ruajnë qetësinë. KE ka njoftuar se shpërthimet në centralet nukleare në Japoni nuk kanë provokuar pasoja për europianët dhe nivelet e radioaktivitetit janë normale. Autoritetet ruse kanë njoftuar nivele normale radioaktiviteti në lindjen e vendit dhe e kanë përjashtuar mundësinë për të evakuuar banorët. Edhe autoritetet filipinase nuk kanë vënë re rritje anormale radioaktiviteti. Sipas rregullatorit Nuklear në SHBA, janë shumë të ulëta mundësitë që një shpërthim i reaktorit Fukushima në Japoni të mund të ndikojë në Havai apo brigjet perëndimore amerikane. Edhe në Kinë ekspertët njoftuan se nuk ka rrezik kontaminimi.

Ndërtesat e shkatërruara
72.945 ndërtesa janë rrënuar plotësisht, apo janë bërë të papërdorshme në Japoni, pas tërmetit 9 ballësh dhe cunamit të fuqishëm, që goditën pjesën verilindore të vendit të premten, sipas agjencisë Kyodo, referuar Ministrisë së Brendshme japoneze. Tërmeti fillimisht u mat në shkallën 8,9 ballë, por më pas u rivlerësua në 9 ballë, dukë shënuar një nga tërmetet më të tmerrshëm në histori.

Rritet rreziku nuklear
Autoriteti francez për Sigurinë Nukleare (Asn), beson se rreziku i incidentit nuklear në Japoni mund të kalojë nga grada katër në gradën 5 apo 6 në shkallë ndërkombëtare, e cila e mat rrezikshmërinë nga shkalla 1 në 7. “Niveli 4 është realisht shumë i rëndë dhe në botë rrallëherë ka pasur incidente të kësaj natyre. Por ka mundësi që alarmi të rritet në gradën 5 apo 6”, tha në Paris presidenti i Asn-në, Jean-Claude Lacoste. Ai siguroi se incidenti nuk arrin në shkallën e Çernobilit.

Dozat e radioaktivitetit
Deri tani dozat e radioaktivitetit, të cilat po dalin nga centrali Fukushima, janë nën nivelin që mund të provokojë helmimin. Vlera 1557,5 mikro-Sievert, e regjistruar të dielën, është një mijë herë më e ulët nga baza e dëmeve biologjike akute. Efektet e para mbi shëndetin bëhen me një orë ekspozicion, mes 0,1 dhe 0,5 Sievert, që shkakton uljen e përkohshme të rruazave të bardha. Në nivelin 1 deri në 2 Sievert ka helmim radioaktiv të lehtë, me përzierje, të vjella e depresion. Helmimi radioaktiv i rëndë ndodh në ekspozimin në 3 Sievert, që pason me vdekjen e 50 për qind të pacientëve brenda 30 ditësh. Mbi 6 Sievert vdekshmëria është 100 për qind.

“Rrezikohet katastrofë e rëndë”
Situata në centralin nuklear të goditur nga tërmeti në Japoni është shumë e rëndë dhe rreziku i një katastrofe të madhe nuk mund të anashkalohet. Ky ishte alarmi i ngritur nga ministrja franceze e Ambientit, Nathalie Kosciusko-Morizet, e cila u prononcua në Bruksel, ku është mbledhur Këshilli i Ministrave të ambientit të vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkohë, Austria përforcon kërkesën për “test stresi” për centralet nukleare në Europë, pas situatës kritike në Japoni. “Unë do të kërkoj sot organizimin e një testi rezistence për centralet nukleare në Europë”, tha ministri austriak i Ambientit, Nikolaus Berlakovich.

“Të ndërpriten punimet në centrale”
Gjermania do të ndërpresë për tre muaj vendimin e mëparshëm për të zgjatur jetën e 17 impianteve nukleare gjermane pas incidentit në Fukushima, Japoni. Vendi do të mbyllë edhe dy centralet më të vjetra. Lajmin e dha dje Kancelaria Gjermane, Anxhela Merkel, në një konferencë për shtyp të përbashkët me ministrin e  Jashtëm, Guido Vestervelle. Edhe Zvicra ka njoftuar dje pezullimin e planit për rinovimin e centraleve të saj nukleare. Në përfundim të një takimi me ekspertët e sektorit, ministri për Energjinë, Doris Leuthard, “ka vendosur të pezullojë procedurat që kanë lidhje me autorizimin e përgjithshëm për centralet e reja nukleare”, thuhet në një komunikatë.

Japonia, ndihmë edhe nga ‘armiqtë’. Kontaminohet ekuipazhi amerikan

Shkatërrimi në Japoni ka bërë që edhe Rusia, Kina dhe Koreja e Jugut, të konsideruar si ‘armiqtë’ historikë të Tokios, të ulin tensionet dhe të ofrojnë ndihmat e tyre. Moska, e cila gjatë muajve të fundit ka zhvilluar debate të ashpra me Tokion për shkak të sovranitetit të ishujve Curile, ka dërguar 76 punonjës ndihme për të nxjerrë trupat nga rrënojat dhe asistencën e saj teknike për centralet nukleare. Koreja e Jugut ka njoftuar dje disponueshmërinë e saj për të ofruar një pjesë të rezervave të saj të gazit të importuar natyror, pasi ka dërguar edhe skuadrat e ndihmës dhe tre avionë ushtarakë transporti. Kina, e cila ka debatuar fort gjatë muajve të fundit me Japoninë për sovranitetin e ishujve Senkaku, ka dërguar personel dhe pajisje për operacionet e ndihmës, ndërsa Kryqi i Kuq kinez ka premtuar një milionë yuan ndihmë (mbi 108.000 euro). Japonia zyrtarisht i ka kërkuar ndihmë edhe SHBA-së për kontrollin e impianteve nukleare të dëmtuara nga tërmeti dhe cunami. Po ashtu, edhe ekspertëve të Agjencinë Ndërkombëtare Atomike. Ndihmë kanë dërguar edhe shumë vende të BE-së, Meksika, etj. Ndërkohë, ekuipazhi i aeroplanmbajtëses amerikane, “Ronald Reagan”, në mision humanitar në Japoni është ekspozuar në radioaktivitet dhe ka marrë në një orë qëndrim më shumë ajër radioaktiv sa ç’mund të merrte në një muaj. Shtatëmbëdhjetë marinarë në bordin e saj janë kontaminuar. Aeroplanmbajtësja ka kaluar renë radioaktive të dalë nga impiantet e dëmtuara nukleare në Fukushima, kur i është afruar brigjeve japoneze.

© Panorama.al

Te lidhura