Ambasadat e huaja në Tokio kanë përforcuar thirrjet për t’u larguar nga Japonia. Qeveria japoneze është akuzuar se po informon shumë ngadalë dhe jo mjaftueshëm mbi situatën në centrale dhe nivelet e vërteta të radioaktivitetit.Qeveria japoneze ka rikthyer në punë 180 punonjësit, të cilët më parë ishin tërhequr nga impianti i Fukushimës për të lënë atje vetëm 50 teknikë, për shkak të rritjes së radioaktivitetit. Ekspertët këtë e kanë konsideruar një mision vetëvrasës për një të mirë më të madhe. Dhjetëra prej tyre janë plagosur nga djegiet pas shpërthimeve dhe temperaturave të larta në katër reaktorët e dëmtuar të Fukushimës. Situata është shumë serioze. E gjitha bota i ka kthyer sytë nga Japonia, dhe të gjitha shtete po rishikojnë sigurinë e impianteve të tyre bërthamore. Shumë kanë hequr dorë përkohësisht nga përdorimi i një pjese të vjetruar të tyre, si Kina, apo edhe Gjermania, por shumë të tjerë e konsiderojnë energjinë atomike një burim të domosdoshëm energjie edhe në të ardhmen. E pra, ajo që ka deklaruar se do të nxisë vendin e saj të kërkojë zgjidhje të reja energjetike, ka qenë kancelaria gjermane, Anxhela Merkel. Gjermania është një nga vendet që i ka bërë thirrje shtetasve të saj të largohen menjëherë nga Tokio. Po ashtu ka ndodhur me Italinë, Francës, Britaninë, Spanjën, Rusinë, SHBA-në. Në aeroportet e këtyre vendeve janë ulur dje të evakuuarit e parë, të cilët janë kontrolluar për radioaktivitet. Nuk ka pasur raportime se ata janë prekur nga radioaktivitetit, por në SHBA dhe Seul, nga të ardhurit prej Japonisë, valixhet kanë rezultuar radioaktive, edhe pse në përmasa të vogla. Në Japoni ndërkohë kanë nisur kontrollet e para të ushqimit për radioaktivitet. Sipas ekspertëve, uji dhe ushqimet në Fukushima janë të papërdorshëm. Ndërkohë, konsumi i energjisë në Tokio ka rënë dhe kufizimet e energjisë mund të zvogëlohen. Kjo pasi shumë njerëz janë larguar nga Tokio. Ndërkohë, partia socialdemokrate gjermane dhe ajo austriake do të kërkojnë një referendum evropian mbi nxjerrjen jashtë përdorimit të energjisë nukleare. Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane, “Bild”, presidenti o Spd-së, Sigmar Gabriel, në marrëveshje me kancelarin austriak, Werner Faymann, do të ndërmarrin një iniciativë evropiane për daljen nga nuklearja. “Duhet të jenë popujt të vendosin, dhe jo lobistët e grupeve ekonomike apo qeveritë”, ka shpjeguar Gabriel.
Medvedev: Në Japoni, një katastrofë
Presidenti rus, Dimitri Medvedev, e ka përkufizuar incidentin nuklear në Japoni “një fatkeqësi nacionale kolosale, një katastrofë”. Lajmin e publikoi agjencia ruse e lajmeve “Itar-Tass”. Presidenti rus ka folur nga rezidenca e tij në Moskë ku kishte ftuar Presidentin kazakistanez, NurSultan Nazarbaiev. “Shpresoj që ky vit të jetë i mbarë për popujt tanë, që të jenë kushtet e mira klimatike dhe që të mos ketë probleme serioze dhe kataklizmi si ajo japoneze”.
10 mije
persona do t’i nënshtrohen testit të radioaktivitetit vetëm në zonën e prefekturës verilindore japoneze të Fukushimës, ku po ndodh edhe problemi i madh me centralin atomik që do nxjerr avuj të kontaminuar.
14 650 njerez
kanë vdekur dhe janë zhdukur nga tërmeti i madh dhe cunami rrafshues në Japoni, sipas Policisë Nacionale japoneze. Shifra është rritur me një mijë vetë vetëm në orët e fundit dhe pritet të ketë rritje të reja dramatike.
23 teknike
janë plagosur nga shpërthimet e fundit në centralin e Fukushimës (15 vetëm në reaktorin 3) dhe 20 të tjerë janë ekspozuar në nivele të larta radioaktiviteti. Zjarrfikësit e përfshirë në operacion janë nën kontroll.











