Bosnjë-Hercegovina dhe Rumania nuk i ndahen Francës dhe pretendojnë të zënë një vend kualifikimi për në europianin e 2012-s. Me dy fitoret e arritura dje në transfertë që të dyja këto skuadra kanë bërë një hap cilësor, duke e bërë edhe më tërheqëse tashmë luftën për kreun e renditjes. Por, surprizë mund të quhet dje fitorja e Bosnjës në Minsk ndaj Bjellorusisë, skuadër kjo që pretendonte të zinte vendin e dytë në këto eliminatore. Por, humbja në shtëpi i ka komplikuar gjithçka, kjo edhe për faktin se bjellorusët, ashtu si edhe Luksemburgu kanë nga një ndeshje më shumë se katër ekipet e tjera të grupit, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Salihoviç me penallti dhe Medunjanin, arritën që në harkun e vetëm dy minutave lojë (22’, 24’) të shkërmoqnin ëndrrën e trajnerit Shtange për të çuar këtë skuadër në europian. Në ndeshjen tjetër, Rumania, ashtu siç pritej, arriti të mposhtë që në fraksionin e parë të lojës modestët e Luksemburgut falë dopeitës së sulmuesit më të ri të Udinezes, ish-kolegut të Elis Bakajt te Dinamo i Bukureshtit, Torje. Në këto kushte, takimet e së martës, Rumani-Francë, Bosnjë-Bjellorusi dhe Luksemburg-Shqipëri bëhen edhe më interesante, pasi që të gjitha skuadrat do të kërkojnë fitore për të mos dalë totalisht nga objektivat. Natyrisht, ndeshja më e rëndësishme do të jetë ajo që do të luhet në Bukuresht mes vendësve të drejtuar tashmë nga Viktor Piturka dhe “gjelave” të Lorent Blank.
Bjellorusi-Bosnjë 0-2
Shënues: Salihoviç 22’ (p), Medunjanin 24’
Kartonë të verdhë: Trubilo/ Spahiç, Papac, Pjaniç, Maletiç
Gjyqtarë: Viktor Kasai/ G.Eros dhe G.Ring (HUN)
Bjellorusia: Zhevnov, Kulshij, Martinoviç, Kalaçev, Trubilo, Kornilenko (Voronkov 63’), Zhavnershik (Sitko 63’), Putilo, Kisljak, Verkhovtsov, Shitov. Trajner: Bernd Shtange
Bosnja: Hasagiç, Pandzha, Papac, Spahiç, Rahimiç, Pjaniç, Dzeko, Zahiroviç, Salihoviç, Luliç, Medunjanin. Trajner: Safet Sushiç
Luksemburg-Rumani 0-2
Shënues: Torje 32’, 34’
Kartonë të verdhë: Torje, Goian, Nikulae
Gjyqtarë: Sergei Karasev/ N.Golubev dhe D.Mosjakin (RUS)
Luksemburgu: Joubert, Bleiz, Hofman (Bukviç 76’), Shnel, Levek, Betmer, Da Mota (Janish 61’), Pajal, Joakim (Kitenge 46’), Mutsh, Gerson. Trajner: Luk Holtz
Rumania: Tatarushanu, Surdu, Raþ, Maftei (Herea 62’), Kontra, Marica (Stanku 87’), Tanashe, Torje (Nikulae 76’), Goian, Koçis, Gardos. Trajner: Viktor Piturka











