Federata Boshnjake e Futbollit është një hap larg pezullimit nga FIFA dhe UEFA. Vendimi me shumë gjasa do të merret ditën e nesërme nga Komiteti Ekzekutiv i qeverisë së futbollit botëror dhe në këtë rast Shqipëria është e para që feston.Një pezullim dhe më pas ndoshta edhe përjashtim i futbollit boshnjak do të thoshte që Shqipëria të merrte në tavolinë tri pikët për ndeshjen e radhës më 7 qershor dhe të shpresonte qartazi për një kualifikim të mundshëm në Euro 2012. Delegatët e Kuvendit të Federatës Boshnjake, të mbledhur dje kanë dështuar në tratativat për të ndryshuar statutin e Federatës, përkatësisht nenin 1 rreth organizimit, kusht ky i UEFA-s dhe FIFA-s. Me 28 vota kundër, 22 për dhe 3 abstenime, Bosnja nuk arriti ta shpëtonte futbollin e vet ndaj në kontekst pezullimi është thuajse zyrtar. Rregulli numër 1 i statutit që UEFA e cilëson si thelbësor konsiston në vendosjen e një presidenti me një mandat katërvjeçar. Ndërkohë që aktualisht në Federatën boshnjake udhëheqin me rotacion çdo 16 muaj, presidentë mes tre etnive bazë: myslimane, kroate e serbe.
Bogdan Ceko, president i Federatës së serbëve të Bosnjës, është shfajësuar para mediave duke pohuar se nuk ndihej aspak fajtor për mosarritjen e një konsensusi. “Nuk ndihem fajtor për atë që ndodhi. Në gjykimin tim është një përgjegjësi kolektive”. Serbët e Bosnjës kanë refuzuar Kushtetutën e vendosur më 1995-n në negociatat e Dejtonit në Ohajo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst ata kanë qenë të parët që kanë kërkuar që edhe futbolli të drejtohet nga tre presidentë dhe jo nga një i vetëm, sikundër janë rregullat e FIFA dhe të UEFA.
Nga ana tjetër, mediat në Bosnjë vlerësojnë se me mosndryshimin e statutit ka marrë fund futbolli në këtë vend, pasi normalisht, ashtu siç është pritur, boshnjakët i pret pezullimi real më 1 prill, i konfirmuar në vetë të parë që ditë më parë edhe nga Josef Blater (president i FIFA-s) dhe Mishel Platini (president i UEFA-s). “Është e tmerrshme të mendosh”, ka pohuar Muhidin Rasçiç, anëtar i komitetit Ekzekutiv të Federatës. “Kam kaluar dhe investuar një jetë në futboll dhe tani më vjen turp që gjithçka po shkatërrohet në këtë mënyrë”.
Me pezullim të futbollit do të thotë që Bosnja të mos ketë mundësi të luajë asnjë ndeshje zyrtare (miqësore ose kualifikuese), klubet të mos kenë mundësi të luajnë në Kupat e Europës si dhe arbitrat të mos kenë mundësi që të gjykojnë ndeshje jashtë Bosnjës. Dhe në rast se ky problem nuk do të zgjidhet në muajt në vazhdim, atëherë nga pezullimi mund të kalohet në përjashtim të të gjithë futbollit. Kështu, Bosnja nuk do të ketë mundësi të luajë ndeshjen e 3 qershorit ndaj Rumanisë dhe të 7 qershorit ndaj Shqipërisë. Por ndeshjet edhe mund të shtyhen dhe të luhen më pas nëse realisht FIFA dhe UEFA do të vërejë se boshnjakët janë të interesuar që të zgjidhin konfliktet mes tyre. Madje Bosnja nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë as në kongresin e FIFA-s më 1 qershor në Zyrih, ku do të votohet dhe për presidentin e ri të FIFA-s.
Ja si ndryshon renditja pa Bosnjën
Shqipëria nuk lëviz nga pozicioni i tretë në renditje, edhe pas pezullimit (e marrim të mirëqenë) që mund t’i bëhet Bosnjës më datë 1 prill. Ndryshimi i vetëm në renditje do të jetë fakti se Kombëtarja do të ketë një pikë më pak pasi nuk do të konsiderohet fare ndeshja e luajtur me boshnjakët. Neni 9-të i Rregullores së FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshjet kualifikuese thotë se kur një federatë është e pezulluar nga të gjitha aktivitetet, atëherë të gjitha ndeshjet e saj konsiderohen sikur nuk janë luajtur fare dhe pikët e kësaj zerohen. Në të njëjtën kohë hiqen të gjitha pikët që kundërshtarët kanë marrë ndaj kësaj skuadre. Kështu, Francës i zbritet fitorja në Bosnjë, ndërsa Rumania dhe Luksemburgu konsiderohen sikur nuk kanë humbur ndaj Bosnjës në dy ndeshjet respektive. Në këtë kontekst Shqipëri ka avantazh të madh, pasi në ndeshjen e radhës do të luante pikërisht ndaj Bosnjës, ndaj do të ketë kohë që të përgatitet për ndeshjen me Francën.
Si është aktualisht
Rumani-Shqipëri 1-1
Luksemburg-Bosnjë 0-3
Francë-Bjellorusi 0-1
Bjellorusi-Rumani 0-0
Shqipëri-Luksemburg 1-0
Bosnjë-Francë 0-2
Luksemburg-Bjellorusi 0-0
Shqipëri-Bosnjë 1-1
Francë-Rumani 2-0
Bjellorusi-Shqipëri 2-0
Francë-Luksemburg 2-0
Luksemburg-Francë 0-2
Bosnjë-Rumani 2-1
Shqipëri-Bjellorusi 1-0
Mbrëmë
Rumani-Luksemburg 3-1
Mutu 24′, 68′, Ziku 78’/ Gerson 22′
07/06/2011
Bosnjë-Shqipëri
02/09/2011
Shqipëri-Francë
06/09/2011
Luksemburg-Shqipëri
07/10/2011
Francë-Shqipëri
11/10/2011
Shqipëri-Rumani
Renditja
Ekipi ND F B H G+ G- P
1. Franca 5 4 0 1 8 1 12
2. Bjellorusia 5 2 2 1 3 1 8
3. Shqipëria 5 2 2 1 4 4 8
4. Bosnja 4 2 1 1 6 4 7
5. Rumania 5 1 2 2 5 6 5
6. Luksemburgu 6 0 1 5 1 11 1
Si do jetë pas 1 prillit
Rumani-Shqipëri 1-1
Francë-Bjellorusi 0-1
Bjellorusi-Rumani 0-0
Shqipëri-Luksemburg 1-0
Luksemburg-Bjellorusi 0-0
Francë-Rumani 2-0
Bjellorusi-Shqipëri 2-0
Francë-Luksemburg 2-0
Luksemburg-Francë 0-2
Shqipëri-Bjellorusi 1-0
Mbrëmë
Rumani-Luksemburg 3-1
Mutu 24′, 68′, Ziku 78’/ Gerson 22′
07/06/2011
Bosnjë-Shqipëri
02/09/2011
Shqipëri-Francë
06/09/2011
Luksemburg-Shqipëri
07/10/2011
Francë-Shqipëri
11/10/2011
Shqipëri-Rumani
Renditja
Ekipi ND F B H G+ G- P
1. Franca 4 3 0 1 6 1 9
2. Bjellorusia 5 2 2 1 3 1 8
3. Shqipëria 4 2 1 1 3 3 7
4. Rumania 4 1 2 1 4 4 5
5. Luksemburgu 5 0 1 4 1 8 1
Shënim: Bosnja e pezulluar, i zerohen të gjitha pikët.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











