Wikileaks: Olldashi dhe Ruçi të lidhur me trafikantët

Sep 3, 2011 | 10:35

Një raport tronditës zbulohet, i cili flet hapur për lidhjet e krimit me politikën shqiptare.Në një kabllogram sekret që ish-ambasadori amerikan Withers ka dërguar në Departamentin e Shtetit në gusht 2009, një vit para se të përfundonte mandatin, Withers raporton për të gjitha lidhjet e disa deputetëve me krimin e organizuar. Ai shkruan për lidhjet e deputetit të PS-së, Tom Doshi, deputetit të LSI-së, Lefter Koka, ministrit Sokol Olldashi, deputetit të PS-së, Paulin Skertaj, si dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Me një gjuhë aspak diplomatike, ish-ambasadori tregon atë që ai ka mundur të sigurojë duke pranuar se e ka të pamundur që të tregojë prova që ligjërojnë këto lidhje me krimin.
Sipas ish-ambasadorit, deputeti i PS-së, Tom Doshi, njihet si deputeti më i pasur, që ka deklaruar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe është gjithashtu i dyshuar për trafikim narkotikesh.
Ndërsa për Lefter Kokën ai shkruan se “përfaqëson LSI-në në Durrës dhe ndoshta është anëtari i familjes më famëkeqe të krimit të organizuar në Shqipëri, e lidhur me trafikimin e narkotikeve dhe trafikut njerëzor, si dhe aktivitete të tjera të paligjshme”. Për ministrin Olldashi ai shkruan se “ministri aktual i Punëve Publike e Transportit dhe deputet i PD-së në Fier, dyshohet për kontrabandë mallrash dhe narkotikesh. Prova rrethanore lidhin Olldashin me Fatmir Kajollin në Fier, për të cilin ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përdori një skemë për ta liruar nga burgu për të vepruar si komisioner”.
Ndërsa për deputetin Paulin Skerkaj ai thotë se është “një ish-mundës profesionist, me pak arsim, ose me asnjë edukim. Sterkaj ishte në Partinë Socialiste dhe është akuzuar nga një ish-miku i tij për vrasjen e një politikani në Shkodër vite më parë. Sterkaj pretendon se ka biznese me karburantet, restorante dhe ndërtim, por pak dihet për aktivitetet e tij”. Ambasadori e mbyll raportin me Gramoz Ruçin, duke thënë se ai “ka një lidhje të hershme me trafikantët e lëndëve narkotike dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar gjithashtu edhe hyrja në SHBA. Që nga viti 2005 nuk ka të drejtë të marrë vizë”.

Kabllogrami i plotë

Kriminelët që bëjnë ligjin në Parlamentin shqiptar
Pavarësisht qeverisë relative në ditën e zgjedhjeve, vëmendja jonë ka qenë edhe për “rrymën nënujore” të njerëzve të lidhur me krimin e organizuar, që marrin pjesë, ndoshta, edhe në manipulimin e zgjedhjeve. Të tria partitë kryesore, Partia Demokratike (PD), Partia Socialiste (PS) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar. Ndërkohë që nuk mund t’i ligjërojmë apo t’i provojmë këto lidhje, me urtësi konvencionale, mbështetur edhe nga raportime të tjera, Parlamenti i ri ka disa prej trafikantëve të drogës dhe pastruesit e parave. Gjatë fushatës, një politikan, Aleks Keka, kreu lokal i PDK-së në Veri në Shqipërisë, u vra nga një bombë në makinë. Keka dyshohej i përfshirë në trafikun e armëve dhe narkotikeve. (Keka nuk kandidonte për deputet).

Thyerësit e ligjit që u bënë ligjbërës.
Disa prej deputetëve me të rëndësishëm që kanë lidhje me krimin e organizuar:
Tom Doshi: Është deputet në Shkodër dhe është veçuar nga raporti i të Drejtave të Njeriut për një sulm fizik ndaj një gazetari në Hotel Sheraton. Ai ishte një figurë kyçe në financimin e fushatës së PS. Ai njihet si deputeti më i pasur, që ka deklaruar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe është gjithashtu i dyshuar për trafikim narkotikesh. Doshi ka shërbyer edhe në Parlamentin e mëparshëm si deputet me PD, përpara se të kalonte me PS-në në këto zgjedhje.
Lefter Koka: Përfaqëson LSI-në në Durrës dhe ndoshta është anëtari i familjes më famëkeqe të krimit të organizuar në Shqipëri, e lidhur me trafikimin e narkotikeve dhe trafikut njerëzor si dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Sokol Olldashi: Ministri aktual i Punëve Publike dhe Transportit, dhe deputet i PD-së në Fier, dyshohet për kontrabandë mallrash dhe narkotikesh. Prova rrethanore e lidhin Olldashin me Fatmir Kajollin në Fier, për të cilin ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përdori një skemë për ta liruar nga burgu për të vepruar si komisioner.
Lulzim Basha: Sipas një burimi nga Partia Socialiste, Basha, që kandidonte si deputet në Elbasan, ishte i përfshirë për të liruar një kriminel të njohur në Elbasan në mënyrë që familja e tij të ndihmonte në fushatë. Të afërmit e personit premtuan të organizojnë një takim me njerëz në Elbasan në mbështetje të Bashës. Personi u lirua më 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve.
Paulin Sterkaj: 48 vjeç, nga Shkodra. Aktualisht deputet i PD-së në Shkodër dhe një ish-mundës profesionist, me pak arsim, ose me asnjë edukim. Sterkaj ishte në Partinë Socialiste dhe është akuzuar nga një ish-miku i tij për vrasjen e një politikani në Shkodër vite më parë. Sterkaj pretendon se ka biznese me karburantet, restorante dhe ndërtim, por pak dihet për aktivitetet e tij.
Gramoz Ruçi: Deputet dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Ruçi ka një lidhje të hershme me trafikantët e lëndëve narkotike dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar gjithashtu edhe hyrja në SHBA. Që nga viti 2005 nuk ka të drejtë të marrë vizë.

Koment: Nuk dihet se çfarë do të ketë raporti i ODIHR-it pasi të dalë, por është e dukshme dhe e pranuar gjerësisht për dyshimet që deputetë paraqiten si “biznesmenë”, por që në fakt janë të dyshuarit më të fuqishëm për lidhjet me krimin e organizuar. Këta individë janë tani deputetë, kanë imunitet në bazë të ligjit dhe janë përgjegjës për bërjen e ligjeve që do të ta çojnë Shqipërinë drejt integrimit të mëtejshëm euroatlantik. Sjella e sëmurë, ndoshta penale, e shumë deputetëve shqiptarë, është shqetësuese dhe aspak shenjë demokratike për zhvillimin e vendit. Kjo është një pamje që shihet gjerësisht në të gjithë Shqipërinë, dhe të gjitha palët kanë deputetët e tyre të lidhur me krimin e organizuar dhe pranojnë para nga krimi i organizuar. Ky është një fenomen shqetësues për bashkësinë ndërkombëtare dhe do të duhet të trajtohet në të ardhmen. Një vend i ndritshëm, por megjithatë, ka deputetë që pranojnë se Shqipëria nuk duhet të njihet si e tillë. Se sa kohë do të duhet t’i heqësh këta rrufjanë nga pushteti, është një pyetje më vete. Në fund të fundit, paraja është si gjaku për trupin, për politikën dhe një vend i varfër, pa transparencë në financimin e fushatave apo me traditën e financimit të kandidatëve të preferuar, kriminelët janë një burim i lehtë për të hyrë në fondet e fushatave.
Ambasadori amerikan në Tiranë,
John Withers, Tiranë, gusht 2009

© Panorama.al

Te lidhura