Bllokada e Marinës amerikane ndaj porteve iraniane, Trump: Jemi disi si piratë, por nuk bëjmë lojëra

May 2, 2026 | 7:35

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se Marina e Shteteve të Bashkuara po vepron “si piratë” për të zbatuar bllokadën ndaj porteve iraniane.

donald-trump

Trump i bëri këto komente gjatë një aktiviteti në Florida, teksa përshkroi mënyrën se si forcat amerikane kishin ndaluar një anije disa ditë më parë.

“Ndryshoni kursin e anijes suaj. Largohuni menjëherë nga dhoma e motorëve”, shpjegoi presidenti amerikan se kishin urdhëruar forcat amerikane ekuipazhin e anijes. “Ajo ndodhej pesë milje larg dhe me një goditje në dhomën e motorëve, e shkatërruam atë. Anija u ndal dhe më pas e morëm nën kontroll, sekuestruam mallin, sekuestruam naftën. Është një operacion shumë fitimprurës”, theksoi ai.

“Jemi si piratë. Jemi disi si piratë, por nuk bëjmë lojëra”, shtoi Trump.

Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar disa anije iraniane që sapo ishin nisur nga portet e vendit, si edhe anije tregtare të sanksionuara dhe cisterna iraniane në ujërat aziatike.

Nga ana tjetër, Irani, pas fillimit të sulmeve amerikano-izraelite ndaj tij më 28 shkurt, ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e hidrokarbureve që konsumohen globalisht.

Si pasojë e kësaj bllokade, çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm, ndërkohë, si përgjigje, Trump ka vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane.

© Panorama.al

Te lidhura