Bleu fishekë në Shqipëri, edhe 2 vjet burg Diverolit

Sep 3, 2011 | 11:08
Efraim Diveroli

Gjykata amerikane i shtoi dje edhe dy vjet burgim dënimit prej katër vjetësh të dhënë më parë ndaj Efraim Diverolit, për mashtrim dhe falsifikim me kontratat e blerjes së fishekëve.Gjyqtari Gregori A. Presnell e shpalli fajtor Efraim Diverolin për akuzën e shkeljes së urdhrit të dhënë nga gjykata dhe armëmbajtje pa leje. Sipas gjykatës, Diveroli duhet të vuajë edhe dy vjet të tjera burgim, veç 4-vjeçarit të dënimit që është dhënë ndaj tij në lidhje me mashtrimin e autoriteteve amerikane për tregtinë e fishekëve kinezë nga Shqipëria. Në seancën e djeshme përfaqësuesi i Prokurorisë dhe Byrosë së Luftës Kundër Armëve deklaroi se ndërkohë që ndodhej nën akuzë për mashtrim të autoriteteve amerikane në kontratën e furnizimit me fishekë, me vlerë 298 milionë dollarë, Diveroli ka kryer një tjetër krim. Në gusht 2010, biznesmeni i armëve, Diveroli, sipas akuzës, u takua me një agjent të fshehtë dhe bleu një pistoletë me zhurmëshues dhe një pushkë. Ai gjithashtu shkoi në Walmart për të blerë municione”, tha përfaqësuesi i akuzës dje në seancë. Diveroli u arrestua atë ditë dhe më pas u deklarua fajtor për një akuzë të posedimit të armëve të zjarrit dhe municionit nga një kriminel i dënuar. Në gjykatë, para shpalljes së dënimit, avokatja e Diverolit pretendoi se klienti i saj është penduar dhe e ka kuptuar se në të shkuarën ka bërë gabime. Mirëpo përfaqësuesi i Prokurorisë tregoi një bisedë telefonike të kryer nga i akuzuari në burg me babanë e tij. Diveroli në këtë telefonatë shfaqej i pasjellshëm dhe mospërfillës. Në fund të seancës, gjykatësi tha se i shton edhe dy vjet burg dënimeve në fuqi ndaj 25-vjeçarit. Në cilësinë e presidentit të kompanisë “AEY”, ka blerë municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Sipas dëshmisë së biznesmenit Kosta Trebicka, i vdekur në shtator 2008 në Korçë, fishekët kinezë që mblidheshin nga depot e ushtrisë shqiptare i janë shitur kompanisë së Efraim Diverolit, pasi paketimet e tyre janë manipuluar në një punishte në Aeroportin e Rinasit.

Trafiku i municioneve

Sipas hetimeve të gazetës “New York Times”, ngarkesat me municione janë nisur me avionë nga Rinasi në 2007-2008 dhe kanë mbërritur në Afganistan për llogari të kompanisë “AEY”, e drejtuar nga Diveroli. Blerja e municionit u bë me paratë e buxhetit të SHBA-ve, ku është e ndaluar me embargo të trajtohen municione apo armë kineze. Për këtë Diveroli është dënuar me katër vjet burg.

© Panorama.al

Te lidhura