Blerje firmato me karta të klonuara, tre mashtrues në gjyq për vjedhje

Sep 26, 2011 | 11:11
Foto Ilustruese

Tiranë – Kanë klonuar kartat e kreditit të disa shtetasve të huaj dhe me to kanë blerë gjëra luksi në Tiranë, që nga buzhuteritë e deri te celularët e shtrenjtë, madje, edhe veshjet intime firmato. Tre persona janë dërguar në gjyq me akuzën mashtrim kompjuterik nga njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, pas një hetimi 3-mujor. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, shtetasit Maliq Kaca, Bedri Muda e Rejmonda Muda akuzohen se kanë kryer veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunim. Ata janë të pandehur në një dosje, hetimi i të cilës filloi në shkurt 2011, kur Policia e Shtetit referoi në Prokurori dosje penale, pasi kishte mësuar nga “Intesa Sanpaolo Bank” për kryerjen e disa transaksioneve të dyshimta. Bëhej fjalë për blerje me karta krediti në disa subjekte tregtare nga persona të cilët kanë përdorur karta bankare të klonuara (falsifikuara), me qëllim blerjen e sendeve dhe mallrave. Sipas Prokurorisë, vjedhjet kanë nisur më 2 shkurt, kur është kryer blerje me kartë të klonuar në vlerën 2 490 lekë të rinj. Një ditë më pas, pranë një subjektit tregtar te Rr. Durrësit, është kryer një transaksion në shumën 100 lekë, dhe më pas, në orën 17:31:59, është kryer një transaksion tjetër në shumën 34 500, për blerjen e bizhuterive. Karta e njëjtë është përdorur sërish, më 3 shkurt 2011, për të kryer blerje në shumën 24 800 dhe 9 000 lekë të rinj, për blerjen e bizhuterive. Përdorimi i kartave në fjalë ka vazhduar më pas, më 5 Shkurt 2011, ku është kryer transaksion me vlerë 25 000 lekë të rinj, për blerjen e një byzylyku floriri. Atë ditë, me të njëjtën kartë është kryer një transaksion me vlerën 13 000 lekë të rinj për blerje konfeksionesh. Më pas, edhe “Raiffeisen Bank” ka përcjellë informacion se i njëjti aktivitet kriminal është kryer edhe në terminalet “POS” të kësaj banke, pranë disa subjekteve tregtare. Më 5 shkurt, karta e njëjtë bankare ka kryer transaksionin në vlerën 11 050, dhe më pas është bërë edhe një blerje tjetër, në vlerën 100 000 lekë të rinj. Nga përgjimet telefonike të tre të akuzuarve, policia ka mësuar se Rajmonda dhe Bedri Muda kanë përdorur në Shqipëri karta të klonuara me të dhënat e marra prej të akuzuarit Maliq Kasa.

© Panorama.al

Te lidhura