Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, vetëm pas disa muajsh pritet të jetë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit. Mesfushori do të jetë një nga anëtarët e rinj të këtij organi vendimmarrës. Në fakt, propozimi për anëtar të Këshillit Bashkiak për Shkëmbin ka ardhur nga Partia Demokratike, forca politike që e ka preferuar ta ketë ndër emrat kryesorë lojtarin e njohur të bardhekuqve. Shkëmbi, edhe gjatë fushatës së kaluar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, kishte një angazhim të tijin në politikë, përkrah një kandidature të një tjetër force partiake. Tashmë lojtarin do ta shohim me një petk të ri, atë të vendimmarrësit për qytetin. Mësohet se ai do të jetë i katërti në listën e këshilltarëve të PD-së, që do të thotë se është një anëtar i garantuar për të bërë pjesë në “parlamentin” e ri të Korçës. Mes disa emrave të njohur të jetës politike dhe publike në këtë qytet është përzgjedhur kjo figurë e futbollit, për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të Korçës. Lajmi është konfirmuar nga burime të sigurta pranë degës lokale të PD-së në Korçë. Gjithashtu, konfirmohet fakti se kapiteni i Skënderbeut është njohur disa ditë më parë me vendimin e propozuar nga drejtues të lartë të kësaj dege.











