Bjellorusia vendos mbi objektivat e Kombëtares, por edhe mbi të ardhmen e trajnerit kroat Josip Kuzhe në krye të ekipit. Këtë gjë e ka konfirmuar dje vetë trajneri në një konferencë për shtyp. “Nga rezultati i ndeshjes me Bjellorusinë do të varen shumë gjëra sa i përket strategjisë që do të ketë Shqipëria pas kësaj sfide. Nëse arrijmë të marrim një rezultat pozitiv, do të luftojmë për të grumbulluar sa më shumë pikë deri në fund dhe do të luftojmë maksimalisht për vendin e dytë, edhe pse do të jetë e vështirë”, tha dje Kuzhe. Më tej ai ka sqaruar se nuk e shikon si problematike rinovimin ose jo të kontratës së tij me presidentin e Federatës. Për të e rëndësishme është që të fitojë me Bjellorusinë. “Ju garantoj se deri tani nuk kam menduar për asnjë sekondë për kontratën time. Unë kam menduar për renditjen, për formacionin, për mënyrën se si mund të marrim disa pikë më shumë, por jo për kontratën. Duhet ta pranojmë se Shqipëria ka një problem me sulmin, pra shënon pak gola. Ky nuk është problem i tanishëm, sepse ka ekzistuar si shqetësim edhe para se të vija unë në drejtimin e skuadrës. Unë jam përpjekur të rregulloj diçka në repartin e sulmit, por edhe të kemi një skuadër të balancuar, pra të mos çekuilibrohemi në fazën defensive. Kjo është e vështirë për t’u realizuar menjëherë, por gjithsesi unë mendoj se disa gjëra i kemi bërë në mënyrën e duhur”, ka thënë Kuzhe. Në fund ai i ka bërë edhe një analizë kundërshtarit. “Kam informacionin e duhur për Bjellorusinë. Di si luan kjo skuadër, se ku çalon dhe cila është forca e saj. Më duhet të pranoj se Bjellorusia është një skuadër cilësore dhe e vështirë. Ata kanë një grup futbollistësh që luajnë prej një kohe të gjatë bashkë dhe e gjejnë njëri-tjetrin me sy mbyllur në fushën e lojës. Por e përsëris edhe njëherë se fakti që kanë një grup lojtarësh që aktivizohen prej një kohe të gjatë bashkë, i bën ata të rrezikshëm. Përveç kësaj, kanë pasur kohë më shumë në dispozicion për t’u përgatitur, sepse ata kanë një kampionat dimëror dhe kanë ndenjur të grumbulluar për më shumë se 20 ditë. Madje kanë pasur mundësi të kryejnë fazë përgatitore të gjithë së bashku në Turqi dhe në Austri”.
Sonte, ora 20:00 : Shqipëri-Bjellorusi
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Arbitra: Markus Strombergson/ Magnus Sheblom dhe Daniel Vernmark
Formacionet e mundshme
Shqipëria (4-4-2): Ujkani, Lila, Cana, Teli, Vangjeli, Lala, Agolli, Bulku, Salihi, Bogdani. Trajner: Josip Kuzhe
Bjellorusia (4-4-1-1): Amelçenko, Shitov, Martinoviç, Omeljançuk, Molosh, Kulçi, Kisljak, Krivets, Putilo, V.Hleb, Kovel. Trajner: Bernd Stange
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











