Tarifat që ligji për amnistinë fiskale mbart në vetvete për detyrimet tatimore të sipërmarrjeve shqiptare apo ato për legalizimin e aseteve të padeklaruara, duhet të ulen.Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, këto tarifa të ligjit të miratuar në qeveri nuk i shërbejnë synimit për formalizimin e ekonomisë. Jaka sugjeron që përdorimi i një tarife 2 deri në 3 për qind është niveli normal që duhet të zbatohet, dhe jo 6% (për pasuritë e paluajtshme)dhe 7%(për makineritë) që parashikohen në draft.
Si e gjykoni ju ligjin që zbardhi qeveria disa ditë më parë lidhur me amnistinë fiskale. A ishte kjo ajo që biznesi ka kërkuar?
Në princip përputhet deri diku me atë çfarë biznesi apo sipërmarrja ka kërkuar. Pa e paragjykuar, ne mendojmë që ekziston dashamirësia dhe vullneti i qeverisë për të kaluar kërkesat e sipërmarrjes shqiptare lidhur me këtë iniciativë, por është e domosdoshme që ky draft i kaluar në qeveri të diskutohet në një tryezë ku të jenë të përfshirë të gjithë grupet e interesit.
Si i vlerësoni përqindjet e vendosura si tarifa për legalizimin e aseteve për secilën kategori biznesi të vogël apo të mëdha (prona 6%, makineri 7%)?
Tarifat e parashikuara në draftin e kaluar nga qeveria lidhur me detyrimet tatimore që i përkasin sipërmarrjes shqiptare janë shumë të larta dhe për mendimin tonë, cënojnë rëndë qëllimin e këtij ligji. Këto tarifa nuk i shërbejnë synimit tonë si Dhomë Tregtie lidhur me formalizimin e ekonomisë së vendit. Ne këtë ligj e shohim si një reformë të rëndësishme në ekonominë e vendit tonë. Tarifa që ne kërkojmë me forcë dhe mbetet e panegociueshme është jo më shumë se 3 për qind.
A ka përfshirë gjithçka që i nevojitet një amnistie ky ligj apo ka edhe çështje të tjera që lidhen me biznesin që kanë mbetur jashtë?
Në këndvështrimin tonë, pasi u njohëm me draftin, mendojmë se ka çështje të mbetura jashtë këtij draft-ligji që mund të përfshihen pa cënuar apo ndryshuar kontekstin e tij.
Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të këtij drafti dhe a mendoni se garantohet një amnisti e plotë fiskale?
Së pari nuk flasim për një draft aministi fiskale, por për një ligj “Për legalizimin e Kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit Tatimor dhe Doganor”. Lidhur me sigurinë dhe garancitë që jep ky ligj, ne mendojmë që ka vend për të diskutuar edhe me specialistë të mirëfilltë të fushës përkatëse, në mënyrë që qytetari dhe sipërmarrësi shqiptar të marrin garancitë e duhura për t’u përfshirë si subjekte të këtij ligji. Ajo çfarë ne kërkojmë është që ky ligj nuk duhet të lërë hapësira në implementim për subjektivizëm dhe njëanshmëri.
Ju si Dhomë Tregtie keni ndonjë propozim konkret që duhet të bëhet për ndryshimin e ndonjë pike për aq kohë sa ky draft do të jetë në diskutim.
Ne i kemi bërë propozimet tona të cilat i janë dërguar Ministrisë së Financave dhe shpresojmë që të merren parasysh në kohë, duke i përfshirë në këtë draft-ligj pa shkuar në Parlament. Gjej mundësinë dhe një herë për të përsëritur propozimet tona që i kemi depozituar pranë institucionit që është marrë me draftimin e këtij ligji. Kësisoj, në kontekstin e amnistisë së plotë, ne kemi kërkuar: Faljen e detyrimeve, kamatave dhe gjobave në të gjithë sistemin fiskal për të gjithë periudhën 20-vjeçare, tatime, dogana, sigurime shoqërore, duke aplikuar tarifa të arsyeshme që shkojnë në favor të sipërmarrësit, por dhe të buxhetit të shtetit.
Ka detyrime të prapambetura të cilat janë kthyer në gangrenë procedurale jo vetëm për sipërmarrjen shqiptare, por dhe për vetë administratën e sistemit fiskal, pa përmendur këtu ato detyrime apo procedura që vazhdojnë gjyqet pafundësisht, duke krijuar kosto të pallogaritshme, si për ata që i kërkojnë edhe për ata që duhet t’i paguajnë, duke e konsideruar këtë amnisti si të parën dhe të fundit në llojin e vet. Propozimi i Dhomës së Tregtisë për këtë proces formalizimi të ekonomisë shqiptare është përdorimi i një tarife 2 deri në 3 për qind.
NERTILA MAHO











