Bizhdili: S’e diskutoj mbijetesën

Mar 21, 2011 | 10:09

Me një qetësi të paparë, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, e ka marrë lehtë humbjen e skuadrës së tij në Vlorë. I kontaktuar pas ndeshjes, kreu i klubit kavajas ka theksuar se ishin mungesat ato që ndikuan në këtë dështim. “Në Vlorë kishim shumë mungesa të rëndësishme. Megjithatë, unë kisha besim se do të merrnim të paktën një pikë. Të them të drejtën, nuk e prisja humbjen dhe realisht u munduam të rezistonim, por për fat të keq edhe këtë herë ndëshkuam veten me autogol. U aktivizuan disa lojtarë të rinj, por që nuk arritën të bënin më shumë përballë një Flamurtari, që dihet se çfarë skuadre ka. Megjithatë, unë garantoj tifozët kavajas se Besa nuk rrezikon fare, pasi rivalët i pret në shtëpi, duke filluar që javën e ardhshme, teksa luajmë me Bylisin në Kavajë e gjithashtu më pas ndaj Kastriotit”, ka thënë fillimisht Bizhdili, i cili dje nuk ka qenë i pranishëm në Vlorë, për shkak të angazhimeve personale jashtë vendit. “Nuk dua të hyj në kompetencat e trajnerit. Ndoshta ndonjë nga ata lojtarë që u ndërruan s’ka qenë në formë. Pasi të konsultohem me trajnerin, atëherë do të nxjerrim konkluzionet. Unë nuk kam ndonjë dyshim për ndeshjen. Gjithsesi, për momentin nuk mund të them asgjë konkrete, sepse duhet të bëjmë një herë analizën e hollësishme të takimit me stafin teknik”.

© Panorama.al

Te lidhura