Nuk pati asnjë shans, me gjithë përpjekjet e krerëve të grupeve parlamentare, që draft-rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës të harmonizohet edhe me opozitën. Kështu, rezoluta e PDK-së mori 63 vota pro, 48 kundër dhe 1 abstenim. “Harmonizimi i tekstit të rezolutës me opozitën ka dështuar, prandaj kërkoj votimin në Kuvend me tekstin e propozuar nga PDK-ja”, tha në emër të PDK-së, kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci. “I lus deputetët ta përkrahin këtë projekt-rezolutë, e cila do t’i jepte Parlamentit të Kosovës një të drejtë që të mbikëqyrë, të përcjellë rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën që për çdo rast të kërkojnë sqarime në Parlamentin e Kosovës”, është shprehur ai. Opozita refuzoi të mbështesë rezolutën e PDK-së, pasi sipas saj nuk ekziston asnjë platformë e qeverisë për bisedimet, ose të paktën ata nuk kanë parë një të tillë. Sipas LDK-së, partia më e madhe në pushtet (PDK), nuk i përfilli propozimet e opozitës dhe kështu nuk e siguroi mbështetjen e saj. AAK e cilësoi dialogun të dëmshëm për Kosovën, duke e vënë si përgjegjëse për këto zhvillime qeverinë Thaçi. Sipas Vetëvendosjes, rezoluta e vetme që është dashur të aprovohet është ajo që kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Rezoluta u mbështet edhe nga grupi parlamentar i AKR-së, SLS-së dhe Grupit 6+.
“Dialogu dhe statusi”
Kryetarja e delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, tha se nuk është e pamundur që temat të cilat do të diskutohen mes dy palëve të implikojnë edhe çështjen e statusit, por sipas saj, gjithmonë mund të gjendet zgjidhje praktike pa prekur e çështjen e statusit. “Edhe në këtë dialog kemi ardhur me një varg mundësish dhe me propozime, por me një vijë të kuqe. Të gjitha propozimet tona, por edhe mundësia e marrëveshjes me palën serbe, mund të ndodhë në qoftë se zgjidhja nuk e prek sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Zgjidhjet të cilat kërkojnë ndryshim ligjesh nuk do të jenë zgjidhje, sepse ne nuk do t’i pranojmë”, tha ajo në një prononcim për “Koha Ditore”. Tahiri tha se dialogu e ka origjinën te Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila në shtator të vitit 2010 e ka njohur opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ka qenë një akt legal dhe e njëjta Rezolutë ka ftuar palët në bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. “Duke qenë se BE-ja e ka marrë detyrën e lehtësues nga Rezoluta e ajo flet për Kosovën dhe njeh mendimin e GJND-së dhe pavarësinë e Kosovës, atëherë ma merr mendja se as BE-ja, pa marrë parasysh problemet që ka me pesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë, nuk mund të mbetet në qëndrimet e saj, por duhet të reflektojë në kornizën që ofron Rezoluta”, tha ajo. Zonja Tahiri i ka konsideruar të bazuara edhe shqetësimet e shfaqura në opinionin kosovar, sidomos nga opozita parlamentare, duke iu referuar të kaluarës represive të Serbisë ndaj Kosovës.
Koshtunica akuzon qeverinë për “poshtërsi”
Opozita serbe dhe mediat në Rusi i kanë konsideruar bisedimet e reja mes Prishtinës dhe Beogradit, një hap përpara për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Liderët opozitarë në Beograd kanë folur me tone të ashpra kundër vendimit të qeverisë, duke akuzuar për poshtërsi kundër Serbisë. Deklarata më e fortë ka ardhur nga ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica. Tani vetëm kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë, Koshtunica tha se “qeveria serbe ka poshtëruar vendin në mënyrën më të keqe të mundshme, duke rënë dakord për nisjen e bisedimeve me përfaqësues të shtetit të rremë të Kosovës”. Ai akuzoi qeveritarët së kanë ngarkuar kreun e delegacionit serb për ta hedhur këtë hap, ndërsa Presidenti dhe qeveria merren me gjëra të tjera. Sipas Koshtunicës,”është e padenjë që këtë heqje dore nga Kosova në emër të Serbisë e bën një zyrtar shtetëror, derisa ata që me Kushtetutë janë të thirrur për ta udhëhequr vendin dhe për ta mbrojtur rendin kushtetues, janë të zënë kushtimisht me punë të tjera”. Ish-kryeministri serb akuzoi qeverinë e Beogradit se gjithçka po e bën në këmbim të kandidaturës për në Bashkimin Europian. “Çmimi që duhet të fitojë Serbia nga Brukseli dhe Uashingtoni për dialog të suksesshëm me shtetin e rremë të Kosovës, është kandidatura për BE”, tha Koshtunica, duke shtuar se “deri tani asnjë vend nuk e ka paguar hyrjen në Bashkimin Europian me territorin e tij, përveç Serbisë”. Edhe mediat në Rusi, vendi më pro serb mes vendeve të fuqishme në histori, vlerësojnë se pjesëmarrja e Serbisë në bisedimet e reja nuk ka ku të çojë kund tjetër përveçse drejt njohjes së pavarësisë, e cila është luftuar deri tani kaq fort nga Serbia. Gazeta më e njohur ruse, “Kommersnt”, i ka konsideruar bisedimet si fillimet e njohjes së shtetësisë së Kosovës. “Bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel paraqesin hapin e parë në rrugën e Serbisë drejt njohjes së Kosovës”, vlerësoi e përditshmja ruse. “Kommersant” shkruan se për fillimin e afrimit të Beogradit dhe Prishtinës ka kontribuar Bashkimi Europian, i cili nuk e fsheh se pa aktivizimin e dialogut mes dy palëve, ato nuk mund të ëndërrojnë për integrimet europiane. Gazeta e përditshme ruse vlerësoi se të dyja palët, si Beogradi ashtu edhe Prishtina, kanë vënë në krye negociatorë me përvojë. Gazetat e vendeve të interesuara për konfliktin Serbi-Kosovë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë këtyre bisedimeve, sidomos pas deklaratave nga zyrtarë të Bashkimit Europian dhe krerëve të delegacioneve të dy vendeve, se faza e parë ishte kaluar me sukses.
REZOLUTA
. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet dialogun midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, për çështje praktike, në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës europiane për të dy shtetet dhe për rajonin;
. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon parimin që dialogu midis dy palëve të lehtësohet nga BE-ja dhe SHBA-ja;
. Dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të jetë i përgatitur mirë, me agjendë të qartë dhe të përcaktuar paraprakisht, në marrëveshje ndërmjet palëve dialoguese, duke përfshirë edhe lehtësuesit e dialogut;
. Agjenda e dialogut do të përfshijë vetëm çështjet teknike të interesit të përbashkët, pa prekur në asnjë rast sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës;
. Obligohet qeveria e Republikës së Kosovës që t’ia paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës dokumentin themelor të dialogut brenda afatit ligjor;
. I/e emëruari nga Kryeministri udhëheqës i delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë, do të informojë në baza të rregullta Komisionin për Politikë të Jashtme dhe komisionet tjera përkatëse të Kuvendit të Kosovës dhe do të raportojë, edhe në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës;
. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, në të mirë të dy vendeve tona, popujve tanë, të integrimeve evropiane dhe të stabilitetit e prosperitetit të përgjithshëm të rajonit;
. Kuvendi i Republikës së Kosovës riafirmon qëndrimin se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu, janë kontribut për paqen e stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona dhe të rajonit në përgjithësi, si dhe për përshpejtimin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike;
. Kuvendi i Republikës së Kosovës e rikonfirmon të drejtën kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që i nënshkruan qeveria e Republikës së Kosovës.











