Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të presë të hënën, më 1 dhjetor në Paris, homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi sot Pallati Elysee, ndërsa një ekip negociator ukrainas ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar një plan amerikan që synon të vendosë fundin e konfliktit me Rusinë.
“Dy liderët do të shkëmbejnë mendime mbi situatën dhe mbi kushtet e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, në vijim të bisedimeve në Gjenevë dhe të planit amerikan, si dhe pas konsultimeve të ngushta me partnerët tanë evropianë. Ata gjithashtu do të diskutojnë punën që është bërë mbi garancitë e sigurisë brenda koalicionit të gatshëm për veprime,” njoftoi presidenca franceze.
Më herët, Zelensky deklaroi se negociatorët ukrainas kanë udhëtuar për në Uashington për të synuar një “paqe dinjitoze” dhe për të dhënë fund sa më shpejt të jetë e mundur luftës.
Kreu i ekipit negociator është tani ish-ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, pas ndryshimeve të fundit në mes të një vale skandalesh korrupsioni në Kiev.
Misioni është i qartë, shkroi Zelensky në X: “Të zhvillojnë shpejt dhe në mënyrë efektive hapat që duhen për të përfunduar luftën.”
© Panorama.al












