PRISHTINE- Raundi i dyte i bisedimeve Kosove-Serbi u finalizua me vendimin per ngritjen e nje grupi pune të udhëhequr nga EULEX-i, i cili do të çojë përpara punën praktike për kompletimin e të dhënave të regjistrit civil. Sipas deklarates se BE-se, leshuar ne fund te takimit thuhet se në palet diskutuan çështjet që ishin hapur në takimet e datës 8 dhe 9 mars dhe se edhe takimi i së hënës ishte në një frymë pozitive pune.
Nisur nga takimi i mëparshëm, në këtë takim u diskutua për regjistrin civil dhe të dhënat kadastrale. Në këtë deklaratë, me një gjuhë shumë teknike, nënvizohet se lidhur me kadastrat, palët do të punojnë më tej për të elaboruar një marrëveshje, e cila ka për qëllim nxjerrjen e shënimeve më të sakta kadastrale dhe në këtë mënyrë, të sigurohen të drejtat e pronës për pronarët.
Në komunikatën e BE-së, të lëshuar në cilësinë e lehtësuesit të dialogut, thuhet se pjesëmarrësit patën edhe shkëmbimin e parë të qëndrimeve për telekomunikim dhe energji, ndërsa vazhduan bisedat edhe për tregtinë rajonale dhe lëvizjen e lirë të mallrave.
Çështja më e përgjithshme e lëvizjes së lirë të njerëzve u ngrit shkurtimisht me idenë që të diskutohet për këtë në takimet e radhës. Takimi i ardhshëm do të zhvillohet në mesin e muajit prill, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bashkimi Evropian.
© Panorama.al











