Birra, pse pullat fiskale janë kundër prodhimit vendas

Mar 7, 2011 | 10:53

Shqipëria, duke qenë vend i hapur, nuk konkurron vetë me prodhimet e veta, në këtë mënyrë çdo ndryshim fiskal duhet që në radhë të parë të krijojë kushtet për mosndikim në konkurrencë. Vendosja e pullave fiskale në industrinë vendase të birrës do të cenojë direkt konkurrencën në treg. Krahasimi i shifrave, aplikimi për herë të parë në shishet dhe ambalazhin tjetër të birrës vetëm në vendin tonë e bëjnë të gjithë ligjin “armik” të prodhimit vendas të birrës. Dhe industria e birrës nuk jep pak, por vetëm taksa e tatime 10 milionë euro në vit, ka të punësuar me qindra qytetarë, ka lidhje direkte me financime miliona eurosh nga kreditë e bankave të nivelit të dytë. Duket se qeveria dhe tashmë parlamentarët nuk i kanë bërë mirë llogaritë, të paktën në rastin e birrës vendase.
Arsyet
Arsyeja e parë është e thjeshtë. Ky projektligj është unik, pasi nuk ekziston dhe nuk aplikohet në asnjë vend të Bashkimit Europian, ose të rajonit. Nga ana tjetër, edhe pse unik, qeveria ka vendosur që këtë shërbim ta privatizojë, pra ta lërë në dorë të një kompanie tjetër private. Ndërsa arsyeja madhore është goditja e prodhimit vendas. Pullat fiskale do të ndikojnë direkt në rritjen e kostove, çmimit dhe efektet e tjera zinxhir pas tyre. Çmimi i vendosur është 22 euro për 1000 pulla. Një llogaritje e thjeshtë bën që çmimi i një shisheje birrë prodhim vendi të kushtojë 6 lekë më shtrenjtë. Kjo vlerë është e barabartë me rritjen 10 për qind të akcizës. Nga ana tjetër, biznesit vendas, vetëm pak kohë më parë iu desh të përballojë rritjen e taksave të ambalazheve. Për industrinë e birrës vendase, kjo kosto ishte 10 për qind. Këto ndryshime fiskale ndikojnë direkt në konkurrencë. Pra diskriminohet prodhimi vendas ndaj importit.
Por nuk mbaron me kaq. Edhe krahasimisht akciza që paguhet në Shqipëri për birrën është tepër e lartë. Në Greqi paguhet 14.3 euro për hektolitër, në Gjermani 5 euro për hektolitër, në Bullgari 7 euro për hektolitër, ndërsa në Shqipëri qeveria e ka vendosur akcizën 22 euro për hektolitër. Kuptohet që vetë taksimi flet edhe për konkurrencën dhe arsyen e thjeshtë pse investitorët e huaj nuk janë pjesë e këtij tregu.
Arsyeja tjetër, pse projekti diskriminon prodhimin vendas, është çmimi. Koncesionarit, prodhuesit e birrës duhet t’i paguajnë 22 euro për 1000 pulla. Duke i shtuar edhe TVSH-në e taksat, llogaritet që kostoja të shkojë 30 euro. Bëhet fjalë për kodin, apo pullën e re fiskale. Ky çmim është 10 herë më i lartë se sa kostoja që paguajnë prodhuesit për etiketat e birrës. Pra etiketat e birrës kushtojnë 3 euro për 1000 copë, ndërsa qeveria ka vendosur që për pullë fiskale prodhuesit duhet të paguajnë 30 euro. Efekti është direkt në konkurrencë.
Listës së diskriminimit të prodhimit vendas i shtohet investimi. Për vendosjen e pullave apo kodeve të reja, prodhuesit shqiptarë duhet të shtojnë makineritë në fabrikat e tyre. Pra duhet të rishikojnë planet e biznesit, kontratat me bankat për investime të reja dhe të tjera kosto si këto, gjë që “çuditërisht” ligji nuk e ka reciprokisht për birrën e importit.
Një tjetër arsye është parapagimi. Pra ligji vendos që për çdo shishe të prodhuar birre, duhet që të blihen dhe vendosen kodet apo pullat fiskale. Kjo edhe në rastin kur birra nuk del nga fabrika, nuk shitet apo edhe skadon nga mungesa e tregut, qeveria e merr akcizën dhe koncesionari i merr paratë. Ligji parashikon që për rastet e eksportit, akciza do të rimbursohet, duke e futur biznesin në një tjetër spirale rimbursimi, bashkë me atë të TVSH-së.
Të gjitha këto arsye, në një farë mënyre mund të kundërshtohen, se nuk bëhet për të ndikuar në treg, për të diskriminuar prodhimin vendas karshi atij të importit, por për të rritur kontrollin dhe për të ulur evazionin. Dhe me shumë të drejtë, qytetarët mund ta mendojnë një gjë të tillë. Por ka një fakt, që është më dyshuesi i kësaj politike për industrinë vendase. Para disa muajsh, e gjithë industria e birrës, pra fabrikat e birrës në vend, kanë vendosur kalimatësit. Janë pajisjet fiskale që matin sasinë e birrës së prodhuar dhe mbi këtë sasi vendosen të gjitha detyrimet fiskale. Pra industria vendase e birrës ka qenë 100 për qind e monitoruar dhe kontrolluar. Vendosja e një barre tjetër, unike, eksperimentale, në dorë të një tjetër biznesi, pa asnjë arsye ekonomike në buxhet, në rastin më të mirë tregon nxitim, në rastin më të keq tregon manipulim të tregut. Në rast se ky manipulim do të ishte, në të kundërt do quhej proteksionizëm, por në këtë rast është kryekëput kundër interesit të industrisë së birrës në vend, prodhuesve, distributorëve, të punësuarve, bankave që kanë financuar dhe të tregut shqiptar.

Nivelet e akcizës

Shqipëria
22 euro/hektolitër
Greqia
14.3 euro/hektolitër
Gjermania
5 euro/hektolitër
Çekia
7 euro/hektolitër
Bullgaria
4.18 euro/hektolitër

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura