Besa, tifozët në protestë nëse tolerohet

Mar 11, 2011 | 13:52

Protesta nëse skuadra e tyre do të tolerojë në fushën e lojës ndaj Skënderbeut. Kjo është ajo ç’ka kanë premtuar një grup tifozësh kavajas para sfidës Besa-Skënderbeu. Gjatë këtyre ditëve, ashtu si edhe në ndeshjet e tjera të Skënderbeut në Kavajë, është përfolur se korçarët do të fitojnë pa djersitur shumë në ndeshjen ndaj verdhezinjëve. Një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga tifozët, të cilët menjëherë kanë reaguar. Grupimi “Furia verdhezi” është shprehur se do ta mbështesin skuadrën e tyre, por në rast se konstatojnë për ndonjë lëshim të mundshëm, ashtu siç edhe po përfliten së fundmi, do të protestojnë. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe në rrjetin social “Facebook”, ku fansat i kanë bërë thirrje ekipit që të luajnë ndershmërisht, në të kundërt do protestojnë për lëshimin ndaj korçarëve. Duke iu frikësuar aleancave të mundshme mes drejtuesve të dy ekipeve, tifozët kanë kërcënuar se do reagojnë edhe më keq se fqinjët e tyre peqinas, nëse Besa nuk do të luaj ndershmërisht në fushën e lojës. Kujtojmë se para dy javësh, sportdashësit e Shkumbinit u larguan nga stadiumi edhe pse skuadra e tyre po fitonte ndaj Bylisit, kur mësuan se rezultati i ndeshjes ishte fiksuar që më parë. Por nëse Peqini nuk humbiste asgjë pasi ndodhet më mirë në renditje, Besa është në pozita më të rënduara në klasifikim dhe në rast se do humbin sërish do t’i përkeqësojnë gjërat. Ndërkohë, numri një i pankinës korçare, Shpëtim Duro ka konfirmuar se për këtë takim do të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, hiq këtu Sokol Cikalleshi, i cili nuk është rikuperuar plotësisht. Sulmuesi nuk do ketë mundësi ashtu si në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë të luajë kundër ish-ekipit të tij.

Superiore/Java 24

Sot
Shkumbini-Laçi    14:00
Nesër
Besa-Skënderbeu    14:00
Teuta-Vllaznia    14:00
Kastrioti-Tirana    14:00
Dinamo-Elbasani    14:00
Pasnesër
Bylis-Flamurtari    13:00

 

Leonard Karaj

© Panorama.al

Te lidhura