Kreu i PD-së Sali Berisha vizitoi në spitalin e Traumës, deputetin Bledion Nallbati i cili u lëndua gjatë protestës së sotme të opozitës.
Nallbati u godit me ujë nga policia gjatë aksionit për shpërndarjen e protestës.
Berisha i vuri fajin Sokol Bizhgës, sipas tij urdhër dhënës i dhunës policore i Nallbatit.
Zv.drejtori i policisë, shton kryedemokrati duhet hetuar për tradhti, pasi gjatë një aksioni policor në Sarandë ka lënë kolegun në makinë të digjej dhe ja ka mbathur.
Berisha: Ka një hematomë dhe, sipas protokollit, do të qëndrojë në observim për një kohë për të parë nëse ka pasoja të tjera nga goditja. Ndërkohë, mësohet se urdhërdhënësi është krimineli i damkosur Sokol Bizhga, një nga kriminelët më të njohur me uniformë në Republikën e Shqipërisë.
E garantoj Sokol Bizhgën se do të mbajë përgjegjësi deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ai është njeriu të cilit i është djegur kolegu në makinë dhe ia ka mbathur kur banditët në Sarandë kryen atë akt kriminal. Bizhga duhej të ishte prej dekadash në burg. Një guximtar i vërtetë u dogj në makinë, ndërsa Bizhga u largua.
Nuk e di nëse e ka apo nuk e ka Valin, por di që Sokol Bizhga është krimineli që ka zbatuar urdhrin e Edi Ramës. Shpreh keqardhjen dhe mbështetjen time për gazetarin e News24. Dëshmitarët thonë se flaka ka ardhur nga ana e policisë dhe jo nga protestuesit. Ju lutem, kontrolloni të gjitha filmimet. Të dhënat tregojnë se mjeti është kapur nga policia dhe është hedhur drejt operatorit.
Sjellja e Sokol Bizhgës është kriminale dhe e paprecedentë. E garantoj se ai do të jetë përgjegjës për dhunën shtazore të përdorur ndaj protestuesve. Do të shihni pamje ku një qytetar me aftësi fizike ndryshe vjen në protestë dhe kapet në mënyrë kafshërore, hidhet si të ishte një objekt. Këto janë vepra të kriminelit Sokol Bizhga.
© Panorama.al












