Berisha: Statusi, peng i interesave të Ramës

Nov 8, 2011 | 13:32

TIRANË- Një vit nga vendimi i BE-së për heqjen e vizave për shqiptarët, kreu i qeverisë Sali Berisha ka deklaruar se ai ka qenë tërësisht i merituar, ndërsa shqiptarët, me fat, pasi reformat për to nuk vareshin nga votat e Ramës.

Në një konferencë për shtyp nga selia e qeverisë, Berisha theksoi se liberalizimi i vizave, erdhi si rezultat i reformave të thella dhe të gjithanshme të qeverisë dhe faktit që ato nuk vareshin nga votat e opozitës, pasi nuk ishin ligje me 3/5. Ndërkohë që akuzoi kreun e opozitës, se mbajti peng reformat për statusin e vendit kandidat në BE për interesa të tij personale.

“Shqiptarët ishin me fat se ky proces, ndonëse bazohej në dhjetëra ligje e reforma nuk bazohej në ligje me 3/5 që të mund ta bllokonte zoti Rama, si bllokoi cdo ligj me 3/5 përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e shqiptarëve, me luftën kundër larjes së parave dhe trafiqeve, me gjykimin mbi bazën e kodit administrativ. Na kanë mbetur ligjet me 3/5 që Rama i mban si plackë tregu për të dënuar shqiptarët me statusin e vendit kandidat”- tha ai.

Sipas Berishës, ky vit fakton se vendimi ishte i drejtë dhe se shqiptarët u sollën ndaj këtij akti madhor besimi me përgjegjësinë më të madhe.

“Në tërësi, Shqipëria ka në këtë proces rekordet më të mira në Ballkan. Disa komplikacione të vogla po shkojnë drejt zgjidhjes përfundimtare. Shqiptarët ishin fatlumë gjithashtu se përpjekjet e mëdha unike në historinë e Europës të kreut të opozitës për të bllokuar vizat, thirrjet e tij, ‘hap kutitë të clirojë vizat’, letrat e tij se po hoqët vizat 1 milionë shqiptarë do derdhen në Europë patën zero efekt në këtë proces”- tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura