Kryeministri Sali Berisha rrëzon paktin e propozuar nga Partia Socialiste prej
10 pikash. Në një intervistë për “ABC News”, kreu i qeverisë pranoi vetëm nisjen e reformës elektorale dhe ndryshimin e Rregullores, ndërkohë që hodhi poshtë pikat për hetimin e kabllogrameve të WikiLeaks-it dhe zgjedhjen me konsensus të krerëve të institucioneve të pavarura.
PS ka propozuar 10 pika. Fakti që ajo hoqi dorë nga bojkoti, u rikthye në Parlament, vjen me një propozim konkret. A shihet ky si një shans për nisjen e dialogut?
Unë nuk marr për bazë një paketë që ka brenda letrën. Rama ka një dhunti shumë të veçantë, ta perceptojë këtë realitet në mënyrë të paimagjinueshme. A mund ta imagjinojë kush në botën e lirë që t’u kërkohet të gjithë deputetëve që t’i bëjnë letër prokurores së Përgjithshme? Duhet të kesh një pasion të çmendur për letra që të pretendosh t’i kërkosh trupës legjislative të vendit që t’i firmosë letër një pushteti që është i pavarur prej tyre. Si mund të ndodhë kjo? Në një vend të lirë s’mund të imagjinohet kurrë.
Ju e keni sulmuar prokuroren e Përgjithshme…
Në Shqipëri është një pushtet i pavarur. Të paraqesësh në pakt kombëtar letrën drejtuar prokurores, kjo do të thotë të lësh pa gojë e pa mend të gjithë ata që të dëgjojnë. Se kush ia shtie në mendje atij këto gjëra, nuk e di. Së dyti, kërkon të hetohet WikiLeaks-i. Të garantoj që Rama është i vetmi politikan i botës që e bën këtë. WikiLeaks janë miliona kabllo të ambasadave amerikane të drejtuara qendrës që një hacker i vodhi. Të ngrihesh dhe të thuash që të hetohet WikiLeaks-i, bëhesh i vetmi në botë. Po ku fle lepuri? Pse e kërkon Rama hetimin? Sot do t’ua them shqiptarëve. WikiLeaks-i ka një kabllo që nuk është botuar, është i tmerrshëm. Rama ka frikë se mos e përdorim.
Kabllo e tmerrshme për kë?
Për PS-në. Rama ka frikë se Sali Berisha do ta përdorë. Unë nuk do ta përdor. Jam kategorikisht kundër botimit të çdo kablloje. Rama i përmbahet parimit që për të fshehur gjënë e vjedhur, duhet ta vësh në vendin më të dukshëm. Për WikiLeaks-in krijo komision në partinë tënde. Unë nuk kam punë me asnjë kabllo të WikiLeaks-it.
Rama thotë që pikat janë të negociueshme…
Jo, janë ultimative. I them zotit Rama “po” për reformën zgjedhore. Tani të ulemi bashkë me PS-në dhe t’i adresojmë të gjitha çështjet. Nëse Rama do të ulet në një komision elektoral me praninë e maxhorancës, me OSBE-në dhe Venecian, ne jemi të gatshëm që nesër. Nëse Rama kërkon që ta trajtojë problemin me Venecian, të marrë të gjitha rekomandimet, të thotë që unë i mora nga Venecia dhe OSBE-ja, unë jam i gatshëm ta mbyll që në janar.
Jeni të gatshëm për Rregulloren e Parlamentit, për shembull rikthim në rregullat e 2005-s?
Rikthimet mbrapa unë nuk i pëlqej kurrë. Ai thotë se është dënuar demokracia. Ne kemi një delegacion, që është i barabartë, që shkon në Parlamentin Europian. Të ngarkojmë dy nga PD-ja dhe dy nga PS-ja, të marrin Rregulloren e PE-së, të ulen dhe çdo gjë e Rregullores aktuale të Parlamentit që nuk përputhet me atë të PE-së, unë do ta votoj pa asnjë hezitim. Nuk jam kurrë i gatshëm të introduktoj metoda të shoqërive sekrete në Parlament.
Kujt i referoheni?
Nuk jam kurrë dakord që unë të kem frikë të nxjerr moralin tim para zgjedhësve të mi.
I referoheni votimit të fshehtë dhe të hapur?
Unë nuk e përjashtoj votimin e fshehtë. Kjo rregullore nuk e përjashton votimin e fshehtë. Unë dua që zgjedhësit të shohin votën time në çdo rast, dhe jo ta maskoj karakterin tim.
Jeni i gatshëm ta riktheni votën e fshehtë, meqë e ka edhe PE-ja?
Pikë për pikë. Por a mundet që unë ta votoj fshehtas dekretin? Nuk ndodh kurrë në botë që dekreti të votohet fshehtas. Propozimi është tjetër, dekreti është tjetër. Presidenti, i cili dekretoi gjykatësit, e di shumë mirë që në ligjin për Drejtësinë nuk është dekretimi, por bën mirë që e bën sepse e ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese, vendimi i së cilës është i barabartë me nenet e Kushtetutës dhe përderisa Presidenti i dekreton ata, për Parlamentin nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse ta votojë dekretin njësoj si ligjin, votohet haptas. Pse votohen fshehtas për Autoritetin e Konkurrencës? Sepse nuk janë dekrete presidenciale.
Ka propozime për krerët e institucioneve të pavarura. Pas zgjedhjeve të vitit 2000 ka një eksperiencë për zgjedhjen e krerëve të institucioneve me konsensus. Nuk është normale që një opozitë të kërkojë kontroll dhe ndarje pushteti?
Nuk jemi pyetur kurrë kur ishim në opozitë për KLSH-në dhe guvernatorin e Bankës. Po, jam pyetur për Avokatin e Popullit dhe kam mbajtur qëndrim pozitiv në atë kohë. Ambusmani i një vendi mik më tha që ne kemi bërë një investim shumë të madh në këtë institucion. Këtë nuk ma kërkoi qeveria e kohës, ma kërkoi një mik dhe i thashë ne do ta mbështesim. Asnjë marrëveshje me qeverinë e asaj kohe nuk kishte. Marrëveshja kryesore mes qeverisë dhe opozitës është Kushtetuta. A e përjashtojnë ato një diskutim për çdo gjë me opozitën? Absolutisht nuk e përjashtojnë. Por, a nënkuptojnë ato ultimatumin dhe kushtin që përcaktoi Rama? Ajo pastaj është e tëra në kundërshtim me rregullat më elementare të demokracisë, kur një pakicë kërkon t’i diktojë shumicës legjitime, ajo nuk është gjë tjetër veçse një tirani në minorancë, e cila në çdo rast dëshmon se çfarë është e gatshme të bëjë. Çfarë interesi ka një opozitë që të hapë një treg për funksione dhe poste që Kushtetuta ia ka dhënë shumicës? Një opozitë ka të drejtë të kërkojë kritere, standarde, por nuk ka të drejtë kurrë që të bëjë pazare.
PS kërkon figura apolitike, konsensuale…
Nëse nuk arrihet konsensusi, a do të shkojmë te ligji dhe Kushtetuta? Ai listim që ka bërë aty nuk është gjë tjetër veçse një seri kushtesh për të bllokuar më tej procesin e integrimit të vendit.
A është koha për të nisur një debat për ndryshimet kushtetuese?
Le të dalë një njeri sot dhe të japë argumentin më të vogël kushtetues ndaj njërit prej neneve të saj. Çfarë ndryshuam ne? Përveçse KQZ-së, që e hoqëm bashkë dhe e nxorëm jashtë. Mua më vjen keqardhje që Rama pendohet edhe për një propozim të arsyeshëm që ka bërë vetë. Ne i hoqëm vendit krizën e zgjedhjes së Presidentit. Greqia shkoi në zgjedhje dhe pastaj zgjodhi të njëjtin president. A është normale që të shkosh në zgjedhje dhe pas 3 zgjedhjesh ta zgjedhësh me 50% + 1 dhe të mos marrësh këtë model që morëm? Ne i bëmë një shërbim real këtij vendi.
Presidenti do të zgjidhet me këtë Kushtetutë, pavarësisht se nuk përmendet emri i tij në këto pika…
Aty i fle lepuri atij. Lidhjet janë normale, por jo t’i shndërrosh ato në ultimative. Ato kanë vetëm një qëllim, një seri kushtesh ultimative për të bllokuar procesin e integrimit.
I keni në tryezën tuaj këto pika?
S’mund të kem unë në tryezën time hetimin e WikiLeaks-it dhe letrën drejtuar Ina Ramës. Opozita ka të drejtë të plotë për reformën zgjedhore, sepse pushteti që buron nga zgjedhjet dhe jo nga tavolinat, duhet të jetë qëndrimi i saj kryesor.
Po sa i përket kufizimit të imunitetit me Kushtetutë?
Venecia është institucioni që ka hartuar tekste të të gjitha kushtetutave që pas rënies së Perdes së Hekurt. A i beson Rama Komisionit të Venecias? Komisioni i Venecias ka një ekspertizë për heqjen e imunitetit, në të cilën thotë se është kushtetues dhe duhet të votohet me 3/5 në Parlament. Pse Rama kërkon ndryshimin e Kushtetutës? Sepse nuk është për heqjen e imunitetit. Nëse na vë para alternativës ose ndryshime kushtetuese, ose s’ka, unë Kushtetutën nuk kam pse ta prek.
Gjatë kësaj periudhe ka shumë akuza ndaj anëtarëve të kabinetit tuaj…
Prokuroria nuk ka asnjë pengesë, ajo ka pengesë të tmerrshme vetëm veten. Nuk ka ndihmë më të madhe që i bëhet korrupsionit sesa po e politizove atë. Prokuroria në këtë periudhë gjykoi në mënyrë totale të njëanshme. Nuk është kjo më e keqja, sepse është qeveria ajo që do të gjykohet e para për korrupsionin. Introduktimi dhe vrapi politik kanë qenë faktori kryesor. A e di ti se Prokuroria krijoi grupin për WikiLeaks-in? Krijoi grupin dhe vetëm se i shkoi porosia nga sipër dhe pastaj “Eureka”. Nuk kërkoi një pakt ai, kërkoi një letër për shoqen Rama.
Që ka një problem me institucionet ka, përderisa Kryeministri akuzon Prokurorinë…
Nuk zgjidhet me letra kjo, zgjidhet me reformë të institucionit. Nuk zgjidhet duke e shndërruar Prokurorinë në shtojcë të PS-së. Ti mendon se fiton, mendon se duke botuar dokumente të disa prokurorëve të papërgjegjshëm, që t’i japin çdo ditë ato, lufton kundërshtarin, por gabon shumë rëndë.
Berisha: Ne në BE, edhe pse ka krizë
Kryeministri Sali Berisha tha dje në një intervistë në rrjetin televiziv “CNN”, se Shqipëria kërkon të bëhet pjesë e ekonomisë europiane, edhe pse ajo për momentin ndodhet në krizë. I pyetur pikërisht për këtë fakt, kreu i Ekzekutivit u shpreh se “është e vërtetë që është një krizë serioze, por kam besimin e thellë se kombet europiane kanë të gjithë potencialin për ta kaluar atë dhe Shqipëria nuk ka asnjë arsye për të ngadalësuar përpjekjet e saj për integrimin europian për shkak të kësaj krize. Unë besoj se euroja, pavarësisht vështirësive momentale, do të vazhdojë dhe do të mbahet ndoshta si një nga trashëgimitë më të mira të Europës, të të gjitha kohërave”. Sipas tij, “unë mbetem i fokusuar dhe integrimi në Bashkimin Europian është dhe do të mbetet projekti i prioritetit më të lartë i vendit tim. Ne do të bëjmë më të mirën për të arritur çfarë kërkohen: standarde, norma, praktika, për ta merituar atë. Unë e konsideroj një proces plotësisht të bazuar në meritë”.











