Kryeministri Sali Berisha, deklaroi dje se kreu i opozitës Edi Rama, ka kërkuar tërheqje nga debati publik. Gjatë inaugurimit të rrugës Bubq-Ishëm, kreu i maxhorancës tha se Rama ka dërguar mesazhe për të hequr dorë nga debati, por që sipas Kryeministrit, PD-ja nuk do të tërhiqet.”Urdhëro zotëri, ulu dhe bisedo me kryetarët e komunave të Bubqit dhe të Ishmit dhe t’u dëshmojmë qytetarëve të Tiranës se këta dy zotërinj kanë asfaltuar rrugë në komunat e tyre, dy herë më shumë rrugë se sa ju zoti Rama, në kryeqytetin e vendit. Jo se Tirana nuk ka rrugë dhe rrugica, sigurisht nuk mund të përballojë debatin, ndaj dhe i dërgon mesazhe kundërshtarit të tij politik të heqim dorë nga debati. Jo zotëri, ne nuk heqim dorë nga debati se po ta bëjmë këtë, tregojmë që kemi frikë nga ju”, tha Berisha. Sipas Kreut të Qeverisë, fjalori politik i Ramës do të ngjallte lakmi nga ish- krerët e diktaturës. “Jo, ne nuk kemi frikë nga askush, se ne vijmë para jush, duke arsyetuar për ato që kemi bërë dhe ato që do të bëjmë, ndërsa zotëria i tij, i cili këto dy vitet e fundit ka bërë vetëm kutinë, natyrisht nuk ka se ç’t’u thotë qytetarëve të Tiranës, ndaj dhe ka vendosur të zhvillojnë një fushatë tipike të vjetër, të bazuar në sharje, trillime, shpifje”, shtoi Berisha. Kreu i maxhorancës, e cilësoi fushatën e opozitës si të mbushur me shpifje e sharje dhe ka harruar interesat e qytetarëve, mbi të gjitha atyre të kryeqytetit. “Sigurisht, kur nuk vë të parat interesat e qytetarëve, atëherë del e bërtet dhe thua se do të bëj fushatë politike, por dil dhe bëj sa të duash fushatë politike. Ky është një vend i lirë. Ne e kemi bërë zgjidhjen tonë, do të bëjmë fushatë për ju. Nga ana tjetër, sigurisht që bën fushatë politike, se përmes sharjeve nuk ke çfarë t’u thuash qytetarëve të Tiranës se çfarë ke bërë për ta”, tha ai. Gjatë inaugurimit në Ishëm, Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve socialistë që të shkojnë në votime në datën 8 maj dhe të mos i’u përgjigjen thirrjeve të Edi Ramës. Sipas tij, askush nuk mund të heqë më dyshimet e kreut të opozitës. “Kryetari i PS-së akuzon në mënyrë të paskrupullt komisionerët e tij. Sigurisht që po të lëshosh një lumë akuzash, pa pasur asnjë fakt për ta, pa gjetur asnjë dokument, edhe ata pastaj nuk duan të jenë komisionerë dhe e vërteta është që nga PS-ja janë ta panumërt ata që refuzuan të bëhen komisionerë për zotin Rama. Unë ftoj socialistët, të mos ndikohen nga akuzat e tij, sepse punën e tyre e ka vlerësuar dhe e vlerëson kombi, në komisione, e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë vëzhguesit ndërkombëtarë. Çdo gjë që mund të bëjnë, gjithçka në këtë botë, dyshimin nga mendja e tij nuk mund ta heqin. Prandaj, le ta lënë atë si “mister dyshimi” dhe të shkojnë e të votojnë si qytetarë të lirë”, deklaroi Kryeministri, i cili më pas bëri disa vizita në pikat turistike të këtyre komunave.
Turizmi
Kryeministri foli në Ishëm për investime të tjera në fushën e turizmit. “Ne po ecim drejt Kishës së Skënderbeut, në kepin e Rodonit dhe ju jeni dëshmitarë se çfarë zhvillimi të jashtëzakonshëm ka njohur turizmi në zonën tuaj pas ndërtimit të rrugës, Maminas-Gjiri i Lalzit. Turizmi ka fuqizuar në mënyrën më të ndjeshme tregun, shitjen e prodhimeve tuaja, ndërkohë garantoj fermerët e këtyre komunave, se qeveria do të financojë çdo rrënjë ulliri, se qeveria do të financojë të gjithë drurët arrorë që ju do të mbillni”, tha Berisha.
Inaugurimi
Kryeministri Sali Berisha, inauguroi rrugën Bubq-Ishëm, me gjatësi 13.4 km dhe vlerë 342 milionë lekë. Kjo rrugë, e ndërtuar sipas të gjitha parametrave më të mira, lidh komunat Bubq dhe Ishëm dhe u shërben 7 mijë banorë të zonës. Fshatrat të cilat përfitojnë direkt nga ky investim janë Bubq, Mazhë e Madhe, Mazhë e Vogël, Mallkuc, Gjuricaj, Kapedane dhe Ishëm. Kryeministri tha se “Kjo rrugë, e cila lidh fshatra të një zone të fuqishme bujqësore e frutikulture, do të përmirësojë dhe lehtësojë ndjeshëm punën e përditshme të
fermerëve të zonës”.
“Zoti t’i shpëtojë shqiptarët nga piktorët dështakë”
Kryeministri Sali Berisha, vizitoi dje varrin e artistit të madh shqiptar në Ishëm, atë të piktorit Ibrahim Kodra. Ai vendosi një kurorë me lule në varrin e tij, si dhe ngriti lart kontributin e dhënë nga ky piktor në historinë e artit shqiptar. Duke folur për artin e pikturës, Kreu i Qeverisë nuk harroi kundërshtarin e tij politik, Edi Ramën, duke shpresuar që zoti të shpëtojë shqiptarët nga piktorët e dështuar. “Meqë jam këtu, nuk mund të rri pa thënë dy fjalë për nderin e madh që i bëjnë kombit, korifenjtë e arteve pamore, por dhe për problemin që i krijojnë piktorët e dështuar. Këtu, tek varri i Ibrahim Kodrës, është vendi ku mund të lutem, zoti t’i shpëtojë shqiptarët nga piktorët dështakë. Le të merren me gjëra të tjera, të merren dhe me bojra dhe të lyejnë pallate, por pikturën le tua lëne korifenjve”, tha Berisha.
PD:Rama e ktheu Tiranën në më të ndoturën
Partia Demoktratike reagoi dje nëpërmjet zëdhënëses Albana Mustafaraj, pas akuzave të ardhura nga selia rozë për kontrabandën e naftës. Sipas PD-së, Rama ktheu Tiranën në qytetin më të ndotur në Evropë. “Kreu i bllokmenëve të rinj sërish shprehu dëshpërimin e tij për goditjen e kontrabandës së naftës “Virgine”, të cilën qeveria e tij ua shiti për 8 vite rresht firmave, me paratë e të cilave paguan protestat, por edhe mediat që ai vetë kontrollon. Sot, kreu i bllokmenëve të rinj që vetë banon në Pezë, larg ndotjes së tmerrshme që ka krijuar në Tiranë, derdhi lot krokodili për shëndetin e kryeqytetasve, pasi ka shndërruar këtë qytet sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, në qytetin me ndotje më të lartë në Evropë, ndotje që po sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me sëmundjet e rënda që shkakton, ka shkurtuar jetën e banorëve të qytetit me rreth 2 vjet”, thuhet në reagimin e PD-së, duke u bërë thirrje qytetarëve të Tiranës t’i japin përgjigje në datën 8 maj.
LSI: Gjuha e Ramës si e Gedaffit
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, reagoi dje duke akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama, se ka braktisur qytetarët e kryeqytetit. Sipas Ramës, kreu i opozitës nuk ka asnjë alternativë, ndërsa ofron dogma si diktatori i Libisë. “Shqipëria ka nevojë për forca politike të përgjegjshme, Shqipëria ka nevojë për njerëzit e ndryshimit, Shqipëria ka nevojë për njerëzit që ofrojnë alternativë dhe projekt real të zhvillimit evropian, dhe jo për njerëz që ofrojnë dogma, apo që flasin njësoj me të njëjtën gjuhë, me të njëjtën frekuencë siç bën edhe djali i Gadaffit”, tha Rama. Sipas tij, Edi Rama sot nuk ka asnjë alternativë dhe ka futur PS-në në krizë identiteti. “Natyrisht, kjo shpjegohet jo vetëm me krizën e plotë të identitetit në të cilën gjendet aktualisht për fat të keq lidershipi i PS-së, por edhe me mungesën totale të alternativës, të ofertës, të projektit të zhvillimit evropian të Tiranës dhe të gjithë vendit, pra me mungesën e gjithçkaje që duhet të shfaqë një parti politike serioze në një garë elektorale”, shtoi Rama. Në lidhje me marrëveshjen me PD-në, Rama tha se “aktualisht jemi në diskutimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me përputhjen më të mirë, të emrit më të mirë, me projektin më të mirë dhe me atë çfarë ne synojmë të arrijmë në këto zgjedhje”.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











