TIRANE- Kryeministri Sali Berisha, i ka bërë thirrje kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, të dëgjojë zërin e ndërkombëtarëve, të cilët flasin për zhvillimin e zgjedhjeve në 8 maj. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i ekzekutivit u shpreh se, “Jam i bindur se në këto zgjedhje qytetarët shqiptarë do të japin kontributin e tyre thelbësor për konsolidimin e demokracisë. E ftoj zotin Rama të lexojë mesazhet e qytetarëve shqiptarë, por edhe të miqve të Shqipërisë në Evropë dhe në botë. Këto mesazhe janë: zgjedhje lokale, një provë e qëndrimit ndaj lirisë së forcave politike shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Kryeministri. Ai tha se Partia Demokratike ka nisur ‘de facto’ fushatën elektorale.
Gjatë një takimi në Paskuqan, ai akuzoi sërish kreun e socialistëve, lidhur me pretendimet e opozitës për manipulimin e zgjedhjeve. “Për dy vite me radhë, zoti Edi Rama bëri gjithçka, bëri çdo gjë për të shkelmuar votën tuaj, por dështoi. Për dy vite me radhë ai u përpoq të nxinte votën tuaj, të nxinte liritë tuaja, por e mori përgjigjen që meritonte. Vetëm një muaj më parë 75 parti të Qendrës së Djathte Evropiane do t’i rikujtonin zotit Rama se pushteti me dhunë nuk merret; do t’i rikujtonin atij se në Shqipëri, Shkodra faktoi se është bërë numërimi më korrekt i votave në Evropë”, tha më tej Kryeministri.
Ndërkohë, gjatë një takimi me zv.presidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qëndrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin, kreu i ekzekutivit akuzoi sërish Kryeprokuroren Ina Rama. Sipas njoftimit për shtyp, Kryeministri shprehu shqetësimin që mbas më shumë se 1 muaj, ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan dhe organizuan tentativën për përmbysjen anti-kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se nxjerrja e vazhdueshme në media e dokumenteve të procesit hetimor, po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm.











