Berisha: Rama, me skenarin për shtyrjen e zgjedhjeve do dështojë

Mar 10, 2011 | 10:04

Kryeministri Sali Berisha u takua dje me zv/Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Kryetarin e Komitetit të Miqësisë Austri-Shqipëri në Parlamentin Austriak, deputetin Wolfgang Grossruck. Në këtë takim, Berisha dhe Grossruck folën për zgjedhjet lokale ku Kreu i Qeverisë akuzoi kryetarin e PS-së se po kërkon të destabilizojë procesin. “Kryeministri theksoi se qëllimi i zotit Rama për të destabilizuar procesin zgjedhor nëpërmjet mosdërgimit të komisionerëve në komisionet zgjedhore dhe regjistrimit të Partisë Socialiste si subjekt garues në afatin fundor, dështuan përballë zbatimit korrekt dhe konsekuent të ligjit të miratuar në mënyrë konsensuale dhe mbi bazën e propozimeve të Partisë Socialiste në fundin e vitit 2008. Kryeministri  Berisha u shpreh se tentativat e zotit Rama për të përsëritur skenarin e vitit 2007 për bllokimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, i mirënjohur si nga opinioni publik vendas edhe nga ai ndërkombëtar, do të dështojë në çdo rast”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë. Sipas këtij njoftimi, thuhet se “Grossruck e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe vlerësoi arritjet e mëdha dhe të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare nën drejtimin e kryeministrit Berisha dhe Shqipëria kanë shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në të gjitha fushat, duke e transformuar rrënjësisht Shqipërinë dhe imazhin e saj në botë”. Nga ana tjetër, edhe Kryetarja e Kuvendit Topalli zhvilloi një takim me Grossruck, ku i kërkoi sa më shumë vëzhgues nga OSBE.

© Panorama.al

Te lidhura