Kryeministri Sali Berisha garantoi zgjedhje me standarde, ndersa akuzoi liderin e opozites, Edi Rama, se synon destabilizimin e procesit zgjedhor. Deklarata eshte bere sot, në një takim Zv/Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Kryetarin e Komitetit të Miqësisë Austri – Shqipëri në Parlamentin Austriak, deputetin Wolfgang Grossruck.
Sipas Berishes, “qëllimi i zotit Rama për të destabilizuar procesin zgjedhor nëpërmjet mos dërgimi të komisionerëve në Komisionet Zgjedhore dhe regjistrimit të Partisë Socialiste si subjekt garues në afatin fundor, dështuan përballë zbatimit korrekt dhe konseguent të ligjit të miratuar në mënyrë konsensuale dhe mbi bazën e propozimeve të Partisë Socialiste në fundin e vitit 2008. Kryeministri Berisha u shpreh se tentativat e zotit Rama për të përsëritur skenarin e vitit 2007 për bllokimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, i mirënjohur si nga opinion publik vendas edhe nga ai ndërkombëtar, do të dështojë në çdo rast”.
Nga ana e tij, Grossruck vlerësoi arritjet e mëdha që qeveria shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe Shqipëria kanë shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në të gjitha fushat, duke e transformuar rrënjësisht Shqipërinë dhe imazhin e saj në botë. “Në këtë kontekst zoti Grossruck shprehu keqardhjen që përpjekjet destabilizuese të zotit Rama ndikojnë negativisht për imazhin e vendit dhe ecurinë e Shqipërisë përpara në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian”- thuhet ne njoftimin e kryeministrise.
Grossruck e informoi Kryeministrin Berisha për angazhimin e tij dhe të miqve të tjerë të Shqipërisë për të dërguar një numër sa më të madh vëzhguesish ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 majit. Ai vlerësoi edhe një herë infrastrukturën e shkëlqyer që ekziston për sa i përket regjistrit elektronik të zgjedhësve, dokumenteve të identifikimit nga më të sigurtat në Evropë, si dhe procedurave të tjera të cilat bënë të mundur që zgjedhjet e 28 qershorit të cilësohen nga raporti i OSBE-së si zgjedhjet e para në Shqipëri që plotësuan shumicën dërrmuese të standardeve ndërkombëtare.











