Berisha në SHBA, merr pjesë në asamblenë e OKB

Sep 18, 2011 | 10:33

Kryeministri, Sali Berisha është nisur sot për në New York, për të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku do të mbajë një fjalim në seancë plenare.

Gjatë qëndrimit të tij në New York, Berisha do të ketë njës serë takimesh dhe do të marrë pjesë në disa forume.

Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim me Nënsekretarin e Shtetit për cështjet politike zotin William Burns. Një takim të veçantë, Kryeministri Berisha do të ketë edhe me delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Presidentja Atifete Jahjaga.

Ai do të jetë i pranishëm në pritjen që do të japë Presidenti Obama për nder të delegacioneve pjesëmarrëse në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e Forumit të parë të Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit dhe sipërmarrjes amerikane.

Një moment mjaft i veçantë i vizitës së tij do të jetë edhe vizita në bursën e New York-t, NASDAQ, ku do të bëjë mbylljen e një prej sesioneve ditore të bursës, në Wall Street. Kjo ceremoni do të shoqërohet edhe me transmetimin përreth një orë në ekranin që ndodhet në sheshin e Times Square në New York të një videoje promovuese me imazhe nga Shqipëria.

© Panorama.al

Te lidhura